30 Mar Konferenca për shtyp e Zëvendëskryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Sot ndodhemi para jush për të ndarë një shqetësim lidhur me përdorimin apo shpërdorimin e sallës së Parlamentit për qëllime thjesht dhe vetëm për qëllime elektorale. Sikurse e keni përcjellë ju por edhe të gjithë qytetarët salla e Parlamentarit ka filluar t’i ngjajë seriozisht një studioje televizive ku bëhet debati elektoral, që ka pak lidhje me ato që janë detyrat e natyrshme të institucionit më të lartë të vendit. Ethet apo ankthet elektorale dhe në disa raste edhe pakontrollueshmëria e emocioneve elektorale ka bërë që të shpenzohen orë të panevojshme debati parlamentar elektoral në vend të detyrës të natyrshme për të diskutuar projektligje të cilët janë tepër të rëndësishëm, duke e parë këtë edhe në optikën e integrimit evropian ku edhe cilësia e legjislacionit, i cili përmirësohet nëpërmjet diskutimit të tij në sallën e Parlamentit, është bërë jetike.






