05 Apr Meta: Me PS për të ardhmen evropiane. Meta : Ata që s’dinë të bëjnë politikë, ktirikojnë
Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi sot në ambientet e Hotel “Tirana International”, mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, (KDK). Në këtë takim ishte i pranishëm Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga Grupi Parlamentar i LSI-së dhe nga drejtues të tjerë të kësaj force politike. Mbledhja e KDK-së së LSI-së u zhvillua në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet e 23 qershorit, përcaktoi objektivat me qëllimin e vetëm realizimin e një fitoreje të madhe në këto zgjedhje.
LSI organizoi këtë mbledhje të Komitetit Drejtues Kombëtar pas disa zhvillimeve të rëndësishme politike të cilat sollën një situatë të re në konfigurimin e skenës politike shqiptare, që lidhet me vendimin e rëndësishëm të Kryesisë së LSI-së për të pranuar ftesën e Partisë Socialiste për koalicion parazgjedhor me këtë forcë politike. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se me vendimin e marrë për një koalicion me Partinë Socialiste, Kryesia e LSI-së pranoi kështu një koalicion të natyrshëm i cili synon t’i japë vendit një frymëmarrje të re demokratike dhe bashkëpunimi.
Fjala e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar
Është kënaqësi që takohemi në këtë mbledhje të radhës të Komitetit Drejtues Kombëtar, në prag të vendimeve për regjistrimin përfundimtar të koalicioneve për zgjedhjet e 23 qershorit. Sikurse e dini, Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka vendosur për të realizuar, në përgjigje të ftesës zyrtare për bashkëpunim dhe koalicion parazgjedhor nga ana e Kryesisë së Partisë Socialiste, një bashkëpunim dhe koalicion me këtë forcë politike në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit. Me këtë rast Kryesia vlerësoi të përfunduar marrëveshjen qeverisëse 4-vjeçare me Partinë Demokratike. Duke u nisur nga kjo marrëveshje besoj se të gjithë mbajnë mend se nuk ka një vendim i lehtë ai i realizimit të koalicionit me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të vitit 2009. Ka qenë një koalicion i papritur, i paparashikuar dhe i panatyrshëm. Megjithatë absolutisht që ka qenë një vendim i drejtë, i imponuar nga interesi i vendit, i stabilitetit të tij dhe besoj se koha na ka dhënë plotësisht të drejtë në këtë vendim. Ne kemi treguar qartë se jemi një forcë politike e përgjegjshme, atdhetare, serioze, që i përmbahemi marrëveshjeve. Vetë Kushtetuta është një marrëveshje midis qytetarëve të këtij vendi, vetë ligji është një marrëveshje por edhe një marrëveshje politike në thelb është një ligj sepse demokracia dhe politika moderne shkon përpara përmes realizimit të marrëveshjeve dhe respektimit të tyre.
Momenti në të cilin ndodhemi u vlerësua për një kompleks rrethanash nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim si një moment kur LSI, përmes këtij koalicioni të ri dhe përmes këtij bashkëpunimi të ri, mund të japë një kontribut shumë më të madh për perspektivën evropiane të vendit sesa duke vazhduar në situatën e mëparshme.
Koalicioni me Partinë Socialiste nuk është një koalicion i panatyrshëm si ai i katër viteve më parë. Është një koalicion mëse i natyrshëm për arsye se këto forca janë forca të cilat i takojnë të majtës, pavarësisht nga historia e ndryshme, kanë një qëndrim të përbashkët apo të përafërt lidhur me historinë, lidhur me qëndrimin ndaj luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe lidhur me çështje të rëndësishme parimore dhe programore. Njëkohësisht ky është një koalicion mëse i natyrshëm po të kemi parasysh se të dyja forcat politike i takojnë familjes së majtë evropiane, e cila e ka mbështetur Lëvizjen Socialiste për Integrim që nga themelimi i saj e në vazhdimësi. njëkohësisht, sikurse e keni ndjekur, përmes drejtuesve dhe personaliteteve të saj nga më të shquarit në Parlamentin Evropian dhe në krye të Partisë Socialiste Evropiane, ka kërkuar të realizohet ky bashkëpunim në interes jo vetëm të bashkimit të forcave të majta në Shqipëri por edhe të një vizioni të ri të së majtës për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, një vizion që kalojë vetëm përmes bashkëpunimit, vetëm përmes një reflektimi i cili sjell motivime të reja për t’i shërbye në mënyrë konstruktive një të ardhme më të mirë të Shqipërisë.
Në këto drejtime unë besoj se ne duke kaluar në opozitë, jo vetëm që jemi rikthyer atje ku e filluam si LSI, si forcë opozitare, por njëkohësisht edhe kemi marrë të gjitha përgjegjësitë dhe të gjitha pasojat, duke treguar edhe njëherë se LSI është një forcë kurajoze, e cila di të guxojë në emër të ndryshimit, të një ndryshimi më të mirë dhe konstruktiv për të gjithë vendin dhe shoqërinë tonë.
Unë besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në vitin 2005 nuk ishte LSI-ja ajo që përjashtoi bashkëpunimin me lidershipin e Partisë Socialiste në atë kohë. Përkundrazi, ishte ai lidership që e vlerësoi LSI-në një pikë uji në mes të oqeanit dhe që ndoqi një politikë tepër të gabuar me “Dushkun e Madh”, i cili solli atë produkt që e la të majtën në opozitë, pavarësisht se kishte shumicën e votave. Unë besoj se të gjithë ju e mbani mend që ne iu përgjigjëm pozitivisht ftesës së kryetarit të ri të Partisë Socialiste në vitin 2006 për një bashkim të së majtës dhe të opozitës dhe i qëndruam në mënyrën më luajale të gjithë detyrimeve tona, të cilat sollën një fitore të jashtëzakonshme të opozitës në vitin 2007, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë qytetet kryesore të vendit. Nuk kemi qenë ne faktor të prishjeve të marrëveshjeve, asnjëherë dhe me askënd, përkundrazi.
Sot që ne kemi një ftesë të tillë, për shumë nga arsyet që unë ju thashë, nuk mund ta refuzojmë, përveç edhe shumë arsyeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e një ekuilibri të ri politik në vend dhe të një ndarjeje të re të pushteteve në vend. Këtu nuk e kam fjalën për ndarjen e pushtetit ekzekutiv por për ndarjen e pushteteve të cilat kanë të bëjnë me kolonat e shtetit, sepse qëndrimi i pushteteve në dorën e një partie të vetme, natyrisht që nuk është e shëndetshme për demokracinë, por është një shqetësim dhe një problem për të. Sigurisht që fajin gjithmonë e kanë sistemet dhe mua më vjen ndërmend një shprehje e avokat Spartak Ngjelës, i cili ka qenë në burgun e regjimit komunist për një kohë të gjatë, për arsye të bindjeve të tij politike dhe se ishte kundër diktaturës. Avokat Ngjela gjithmonë thotë: ‘Më jepni kompetenca, të bëhem diktator’. Kjo do të thotë se sot është e rëndësishme të kontribuojmë për një balancim të këtyre pushteteve në të ardhmen sepse edhe ngërçi i krijuar lidhur me bashkëpunimin e reformave, të cilat kanë të bëjnë me integrimin evropian, ësh
të edhe si rezultat i një mosbesimi të thellë politik që vjen për shkak të këtyre raporteve midis pushteteve në vendin tonë.
Ne nuk kemi asnjë qejfmbetje dhe asnjë pakënaqësi me Partinë Demokratike, absolutisht. Ne i kemi qëndruar korrekt marrëveshjes, e kemi bërë të qartë me kohë që një koalicion midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike në zgjedhje politike ishte i panatyrshëm, për arsyet të cilat unë i përmenda edhe më parë.
Natyrisht që një alternativë shumë e rëndësishme ka qenë dalja përsëri më vete, të cilën LSI e ka realizuar edhe në vitin 2005, edhe në vitin 2009 në kushtet kur nuk ka pasur një ftesë për bashkëpunim nga ana e Partisë Socialiste. Dhe, pa asnjë diskutim, që përsëri rezultati i LSI-së do të ishte një rezultat shumë më i mirë dhe do të ishte një rezultat përcaktues për qeverisjen e ardhshme të vendit. Por, për arsyet politike që unë përmenda dhe njëkohësisht edhe për arsyet që kanë të bëjnë me Kodin tonë Zgjedhor, të cilin ne e kemi kundërshtuar për thelbin e tij jo demokratik. Përsëri ekzistonte mundësia e humbjes së disa mandateve në mënyrë të padrejtë, jo thjesht për LSI-në por edhe për Partinë Socialiste apo forcat e tjera të opozitës.
Unë besoj se ndaj të njëjtën bindje me ju dhe me shumë të tjerë që na ndjekin që e majta në tërësi përfaqëson një shumicë në Shqipëri dhe kjo është treguar në mënyrë sistematike gjatë këtyre 23 viteve. Natyrisht që edhe këtu ka një arsye të rëndësishme, edhe politike, edhe morale, për t’i krijuar mundësinë të majtës në tërësi dhe gjithë shtresave progresiste të shoqërisë sonë për të dhënë një alternativë të re më vizionare dhe më bashkëpunuese për të ardhmen e vendit.
Unë jam i sigurt se përmes këtij vendimi ne kemi çelur një perspektivë të re, natyrisht një sfidë të re, por LSI është krijuar si parti e sfidave dhe do të vazhdojë që në emër të atyre sfidave që ndihmojnë vendin dhe që ndihmojnë shoqërinë dhe qytetarët tanë të ecin më shpejt në rrugën e stabilitetit, të progresit dhe të integrimit evropian të bëjë më të mirën sepse LSI është një parti që pasqyron vlerat më të mira më të mira evropiane të shoqërisë shqiptare. Është parti e dialogut, është parti e bashkëpunimit, është parti e marrëveshjeve. LSI, si forcë evropiane, thelbin e moralit të saj ka ligjin dhe zbatimin e ligjit. Nuk ka thashethemet si një rudiment anadollak i shoqërisë sonë që vjen nga e kaluara. LSI është një parti e pjekur dhe nuk mundet kurrsesi të mbetet peng e së kaluarës dhe absolutisht nuk mundet kurrsesi të ngacmohet nga “mistrecllëqe”, të cilat u takojnë njerëzve të vegjël, të cilët jo vetëm që nuk kanë bërë ndonjëherë politikë por që as mund ta kuptojnë politikën, e cila e çon shoqërinë përpara, e cila e çon vendin përpara dhe ne jemi krenarë, si forcë politike, që kemi sjellë dhe do të sjellim risi të vazhdueshme në vendin tonë dhe në shoqërinë tonë duke përçuar vlerat më të mira evropiane.
Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë këtyre katër viteve përmes këtij bashkëpunimi qeverisës me Partinë Demokratike solli një risi, e cila do të studiohet, do të vlerësohet edhe më vonë nga ana e historianëve, edhe e politikanëve. Ka kapërcyer një tabu të rëndësishme. Por mendoj se me hapin e ndërmarrë ditët e fundit, duke ecur me besim të plotë drejt një koalicioni të ri, të një koalicioni të natyrshëm, të një koalicioni i cili synon t’i japë vendit një frymëmarrje të re demokratike dhe bashkëpunimi duke çliruar energji më të mëdha të të gjithë shoqërisë sonë dhe të njerëzve më të aftë dhe më të talentuar që ajo ka beson se po i bën një shërbim të çmuar dhe historik vendit tonë dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Unë i falënderoj të gjithë anëtarët e kryesisë për mirëkuptimin e tyre pavarësisht vlerësimeve të ndryshme. LSI ka qenë dhe mbetet një forcë demokratike e cila respekton mendimin e çdo anëtari të saj. Por njëkohësisht ka qenë dhe mbetet një forcë tepër e përgjegjshme dhe serioze e cila i zbaton me përgjegjshmëri vendimet e saj. Ndaj besoj edhe në mirëkuptimin tuaj të plotë dhe të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve tanë. Ju uroj të gjithëve ju dhe të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së në këtë sfidë të re të nisur së bashku.