Ilir Meta: Vendi, në një stanjacion politik për shkak të një konflikti të paarsyeshëm

Ilir Meta: Vendi, në një stanjacion politik për shkak të një konflikti të paarsyeshëm

ilirmeta23032013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së së Tiranës, Shezai Rrokaj, nënkryetari i LSI-së për Njësinë Bashkiake nr. 1 në Tiranë, Geron Ibrahimi, si dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë në një takim entuziast të organizuar me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Njësinë nr. 1 në kryeqytet. Në këtë aktivitet, ku merrnin pjesë qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së, janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 120 anëtarë të tjerë, një pjesë të të cilëve Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë. Në fjalën e tij Lideri i LSI-së deklaroi se për LSI-në është e rëndësishme që të kuptohet se 23 qershori është momenti më i mirë për LSI-në, për të maksimizuar rezultatin e tre zgjedhjeve bashkë, pra të 2005-s, 2009-s dhe 2013-s që po vjen. “Në të kaluarën kemi qenë në një situatë shumë në të pafavorshme dhe mjaft trysnuese, shumë jo demokratike.

Në të dyja zgjedhjet nuk kemi pasur komisionarë, numërues, jemi përjashtuar në mënyrë flagrante ndërsa në këto zgjedhje ne vijmë në një pozitë të barabartë dhe janë të gjitha arsyet që qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të votojnë për LSI-në sepse besoj që janë bindur që kjo është forca e arsyes, është forca e logjikës, është forca e problemeve që kanë njerëzit dhe e angazhuar për t’i zgjidhur ato. Nuk është një forcë politike që bazohet në retorika boshe por edhe që bazohet në disa çështje thelbësore që kanë të bëjnë jo vetëm me stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të vendit por që kanë të bëjnë edhe me përmirësimin e vazhdueshëm të standardit të jetesës së çdo qytetari dhe të çdo familjeje. Ndaj besoj shumë në këtë përkrahje të madhe që pritet të kurorëzohet më 23 qershor, e cila natyrisht ka nevojë për një punë edhe më energjike nga të gjithë ne drejtuesit e LSI-së,dhe këtu kam parasysh edhe kryetarët e organizatave të LSI-së në terren dhe kam parasysh edhe çdo anëtar të LSI-së sepse ai e drejton punën atje ku ai jeton, atje ku banon”, u shpreh z. Meta. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se vendi është në një stanjacion politik për shkak të një konflikti të paarsyeshëm që vë në plan të parë interesat e luftës së ngushtë politike mbi interesave të përgjithshme të vendit.

“Ne nuk kemi në dorë t’i ndryshojmë aktorët e tjerë por qytetarët shqiptarë kanë mundësi që me votën e tyre të ndryshojnë jo pak përbërjen e ardhshme të Parlamentit dhe mbi të gjitha të vlerësojnë ato forca të cilat punojnë për bashkëpunimin në interes të vendit. Unë mendoj se LSI-ja e ka të kristalizuar shumë qartë profilin e saj si një forcë bashkëpunuese dhe si një forcë që i bëhet ndihmesë zhvillimit të vendit dhe jo pengesë për interesa të ngushta”, vijoi ai. Duke folur për çështjen e punësimit z. Meta tha se LSI është krenarë për atë që ka mundur të bëjë deri më duke implementuar angazhimet e saja në “Planin për Veprim” të vitit 2009. Ai deklaroi se duhet bëtë më shumë për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.  “Të gjithë flasim për punësimin dhe kjo është një gjë pozitive por më e rëndësishme është të punohet në këtë drejtim. Ne jemi krenarë që shumë nga angazhimet tona, të përmbledhura edhe në “Planin për Veprim” në 2009-n, sidomos në drejtim të punësimit, janë bërë një realitet, sidomos mbështetja konkrete ndaj biznesit fason por edhe shumë elementë të tjerë, pavarësisht se jemi të ndërgjegjshëm se duhet përmirësuar edhe më tej klima e biznesit pasi ka ende arbitraritet, mungesë profesionalizmi.

Ka probleme të rëndësishme me rimbursimet që nuk bëhen asnjëherë dhe që rëndojnë koston e bizneseve dhe që rrezikojnë reduktimin e aktiviteteve të tyre dhe njëkohësisht vendeve të punës. Ne për këtë kemin ardhur dhe vijmë me një propozim konkret për këto zgjedhje për të realizuar rimbursimin automatik sikurse ndodh në shumë vende të tjera të zhvilluara. Ne biznesin nuk e shohim si një armik por si një partner që ndihmon zhvillimin e vendit, ndihmon rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Z. Meta tha se mbi 80% e ekonomisë sot është private dhe gjallërimi i asaj është ajo që do të krijojë mundësi më të mëdha për punësim dhe për progres. “Dëgjojmë shpesh se spekulohet me një gjendje të vështirë që kanë një pjesë e madhe e familjeve në Shqipëri duke u thënë se “ne do ta përmirësojmë jetën e këtyre shqiptarëve duke vendosur taksa më të forta ndaj biznesit sepse në këtë mënyrë ne do të arrijmë që tua marrim këtyre dhe tua japim këtyre të tjerëve”.

 Në fakt ky është një spekulim dhe një demagogji sepse ne jetojmë në një botë ku konkurrohet jo më midis vendeve por midis rajoneve dhe ne jemi në një vend ku taksa e fitimit në Maqedoni është 10%, ku taksa e fitimit në Malin e Zi është 9% dhe në Shqipëri është 10%. Në qoftë se ne do të bënim politika të tilla populiste padyshim që kjo do t’i nxiste investitorët e ndryshëm, jo vetëm të huaj por ndoshta edhe shqiptarë, që të lëvizin, të shkojnë në vende të tjera, në ambiente më të qëndrueshme ekonomike, ku ata do të kishin një ambient më të sigurt. Sepse ne pamë rastin e Francës, presidentin e ri, i cili erdhi me angazhime të reja, vuri një taksë shumë më të lartë dhe shumë biznese po largohen nga Franca, që do të thotë më pak zhvillim dhe më pak punësim edhe në Francë. E njëjta logjikë funksionin kudo, ndaj ne nuk jemi në këto pozita sepse këto janë pozita spekulimi”, tha Lideri i LSI-së. Ai deklaroi se LSI me këmbë në tokë dhe e bindur që politika më e mirë ekonomike dhe politika më e mirë e taksave, është politika që favorizon dhe rrit punësimin sepse kjo është politika më e mirë për të luftuar edhe varfërinë. “Nuk luftohet varfëria me asistencë sociale dhe as me lëmosha por ajo luftohet duke hapur vende të reja pune dhe sidomos duke nxitur për ato biznese e aktivitete që hapin për një kohë të shkurtër më shumë vende pune. Një nga këto ka qenë biznesi fason, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes sonë për gati 5-6 vitesh, kur të tjerët edhe emrin nuk ia dinin.

. Ai tha se LSI-ja përfaqëson alternativën më realiste, më të përgjegjshme. “Natyrisht që ne e kemi bërë të qartë që në krijimin tonë se në themel të suksesit tonë qëndron kujdesi ndaj njerëzve.  Dhe një parti që nuk kujdeset ndaj anëtarëve të saj, nuk ka sesi të kujdeset edhe për qytetarët e tjerë. Ndaj, edhe unë besoj tek angazhimi juaj, tek mbështetja juaj sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë të jemi një garanci për të gjithë qytetarët shqiptarë që në katër vitet e ardhshme, Shqipëria të ecë në rrugën e stabilitetit, të ecë në rrugën e normalitetit dhe në rrugën e zhvillimit.

Por, unë besoj se qytetarët shqiptarë kanë një forcë ku mund të mbështeten sot për të garantuar stabilitetin e vendit, për të garantuar ecurinë e Shqipërisë  në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit evropian dhe natyrisht që kjo forcë është Lëvizja Socialiste për Integrim”, vijoi ai. Duke përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, I
lir Meta, tha se është kjo arsyeja se pse në LSI afrohen shumë anëtarë të rinj

“Këtu nuk kam parasysh thjesht çështjen e moshës, por që dëshirojnë të aderojnë dhe të kontribuojnë sepse ne kemi treguar që jemi një parti e bazuar në vlera, në vlera demokratike, në vlera politike, por edhe në vlera shoqërore dhe njerëzore. Dhe forca e kësaj partie qëndron pikërisht tek këto vlera të cilat e bëjnë atë një forcë politike kohezive dhe gjithëpërfshirëse. Nuk përjashtohet askush nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe as ka për të ndodhur asnjëherë një gjë e tillë sepse LSI është një parti e hapur, një parti që duke nxitur edhe kritikat për përmirësim arrin  standarde të reja të demokracisë dhe të funksionimit”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Njësinë Bashkiake nr. 1 në Tiranë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.