21 Mar Ilir Meta ne Corovode dhe Poliçan: Vota për LSI-në, investim i sigurt për stabilitetin dhe zhvillimin
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Qarkut Berat, Nasip Naço, ka zhvilluar një sërë takimesh në këtë qark. Ai mori pjesë në një takim entuziast me qindra banorë të qytetit të Poliçanit, gjatë një takimi të zhvilluar në Çorovodë, vizitoi një punishte artizanale për prodhimin e produkteve me thupra si dhe mori pjesë gjithashtu edhe në ceremoninë e përurimit të urës tip “Bejli” të ndërtuar nga forcat e armatosura në Komunën Vendreshë. Në takimin nw një punishte artizanale për prodhimin e produkteve me thupra, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se LSI do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të zgjeruar aktivitete të tilla por edhe aktivitete të llojeve të ndryshme që hapin vendet e rejat të punës. Sipas tij punësimi është obligimi kryesor i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndërkohë që në përurimin e urës në Komunën Vendreshë, z. Meta ishte i shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi. Z. Meta duke i falënderuar Forcat e Armatosura tha se kjo urë shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone. Ndërsa në takimin e madh të zhvilluar me qindra banorë të qytetit të Poliçanit, kryetari i Lëvzijes Socialiste për Integrim tha se është domosdoshmëri forcimi i stabiliteti të vendit por edhe Shqipëria duhet të ecë më shpejt. Sipas tij për këtë duhet gjetur një e mesme e artë dhe e mesmja e artë është LSI-ja. Lideri i LSI-së tha se përmes fuqizimit të LSI-së do të normalizohet Parlamenti dhe do të përmirësohet klima politike në vend, sepse LSI ka filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të konfliktit. Sipas tij rezultati i jashtëzakonshëm më 23 qershor do të jetë një “ngjarje e sigurt”. Sipas kryetarit të LSI-së çdo votë për LSI-në është një investim për një Shqipëri më të mirë, për një Parlament më normal, për një klimë politikë sa më të mirë.
Takimi ne punishten artizanale të thuprave
Gjatë takimit të zhvilluar në Çorovodë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vizitoi edhe një punishte artizanale për prodhimin e produkteve me thupra. Në një prononcim për mediat e pranishme aty, z. Meta tha se LSI do të bëjë çdo gjë për të krijuar hapësira për të tilla produkte, pasi, sipas tij, ndihmojnë punësimin. “Është e rëndësishme për të gjetur treg të qëndrueshëm, në mënyrë që dhe puna të jetë e qëndrueshme dhe të zgjerohen këto aktivitete. Ne do të bëjmë çdo gjë që të jetë një projekt afatgjatë dhe do të përpiqemi që t’i shtojmë vendet e reja të punës edhe në këtë aktivitet, edhe në aktivitete të tjera”, tha ndër të tjera z. Meta.
Përurimi i urës në Komunën Vendreshë
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë gjithashtu edhe në ceremoninë e përurimit të urës tip “Bejli” të ndërtuar nga forcat e armatosura në Komunën Vendreshë. Në ceremoninë e rastit mori pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi. “Dua të shpreh kënaqësinë e madhe që jam sot në këtë përurim. Kjo rrugë po përfundon sot falë angazhimit, përkushtimit dhe sensibilizimit të bërë nga komuniteti në mënyrë të veçantë ndaj qeverisë, ndaj ministrisë së Mbrojtjes etj. Prandaj sot falënderimi më i madh dhe mirënjohja më e thellë i takon Ministrisë së Mbrojtjes, i takon Shtabit të Përgjithshëm, për vëmendjen, gatishmërinë dhe kontributin që dha që përfundimisht ne ta kemi këtë vepër në shërbim të një perspektive më të mirë për këtë komunitetit për të gjithë banorët, në veçanti për fëmijët që shkojnë në shkollë. Kjo është një urë e cila sjell një shpresë të re për të gjithë banorët këtu, është një urë e cila tregon edhe lidhjen e fortë të ushtrisë sonë me popullin tonë, dimensionin e ri që ajo ka marrë”, tha ndër të tjera z. Meta në këtë përurim.
Takimi në qytetin e Poliçanit
Në fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Poliçan, Lideri i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se shumë janë bërë deri më tani për këtë qytet por duke pasur mundësi më të mëdha pas 23 qershorit do të bëhet akoma më shumë për Poliçanin. Ai tha se LSI kërkon që Shqipëria të ecë më shpejt dhe të mos bëhen më gabimet e së kaluarës.
“Ne duam që të ecim më shpejt, e gjithë Shqipëria të ecë më shpejt, edhe Poliçani të ecë më shpejt. Nuk duhet të bëjmë gabime të së kaluarës. Populli shqiptar nuk ka kohë të gënjehet, nuk ka kohë të mashtrohet, aq më tepër në këtë periudhë krize për të gjithë botën, për të gjithë Evropën, për Greqinë, për Italinë, që ju e dini shumë mirë. Prandaj duhet forcuar stabiliteti i vendit por edhe Shqipëria duhet të ecë më shpejt”, tha z. Meta. Sipas tij duhet gjetur një e mesme e artë dhe e mesmja e artë është LSI-ja. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se LSI do të ketë shumë më tepër përfaqësim pas 23 qershorit sepse situata është shumë më e favorshme për të.
“Ne jemi përpjekur të bëjmë më të mirën. Sikurse e tha edhe Nasipi ne kemi bërë maksimumin brenda mundësive që kemi pasur. Mundësitë i kemi pasur të kufizuara sepse edhe mandatet i kemi pasur të kufizuara dhe çdo gjë në politikë është në raport të drejtë, pra ndikimi, me përfaqësimin. Natyrisht që ai nuk ka qenë përfaqësimi ynë i merituar sepse jemi ne jemi goditur padrejtësisht. Ju e dini shumë mirë sepse ju i keni vuajtur edhe më shumë në terren padrejtësitë ndaj LSI-së por situata është shumë më e favorshme. Ndryshe nga zgjedhjet e 2005-s dhe 2009-s ne hyjmë në këto zgjedhjet si të barabartë me të gjithë të tjerët, kemi komisionarë, kemi numërues, kemi anëtarin e KQZ-së, kemi eksperiencat e duhura dhe tani do të arrijmë një rezultat maksimal që të kompensojmë edhe ato humbjet e 2005-s dhe të 2009-s. Prandaj janë shumë të rëndësishme zgjedhjet e 23 qershorit”, vijoi ai.
Lideri i LSI-së tha se në Qarkun e Beratit pretendimet e LSI-së janë shumë më të mëdha se sa në të kaluarën sepse edhe mundësitë janë shumë më të mëdha. “
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për
Integrim, Ilir Meta, tha se rezultati i jashtëzakonshëm më 23 qershor do të jetë një ngjarje e sigurt. Sipas tij çdo votë për LSI-në është një investim për një Shqipëri më të mirë, për një Parlament më normal, për një klimë politikë sa më të mirë. “Ne duam të bëjmë më shumë për Poliçanin, por për këtë duam edhe ndihmën edhe mbështetjen tuaj. Ne jemi të sigurt që më 23 qershor rezultati do të jetë jashtëzakonisht pozitiv për LSI-në dhe kjo është e sigurt nga të gjithë , është “ngjarje e sigurt kjo” quhet në probabilitet. LSI-ja do të jetë ajo që do të vendosi të ardhmen, do të përcaktojë akoma më shumë qeverisjen e ardhshme të vendit dhe kjo është pozitive sepse LSI-ja është një forcë me këmbë në tokë , kujdeset për njerëzit, ka përgjegjësi për vendin, që ka prioritete të qarta sidomos për zhvillimin e ekonomisë dhe për punësimin.
Ndaj edhe besoj se çdo votë për LSI-në është investimi më i sigurt që bën çdo qytetar i Poliçanit dhe i gjithë Shqipërisë. Jo vetëm kaq por përmes fuqizimit të LSI-së do të normalizohet Parlamenti dhe do të përmirësohet klima politike në vend, sepse LSI ka filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të konfliktit”, tha z. Meta. Ai tha se votën e qytetarëve të Poliçanit dhe të gjithë Shqipërisë LSI do ta përdorë për ta bërë Poliçanit më të zhvilluar, për ta bërë Shqipërinë më të zhvilluar. “Prandaj unë besoj shumë tek vlerësimi që do të bëjnë qytetarët tanë më 23 qershor për LSI-në sepse në këtë mënyrë ata krijojnë mundësi vetes së tyre për të ecur më shpejt përpara.
Ky do të njihet si viti i LSI-së dhe i suksesit të saj, jam i bindur për këtë, dhe unë mezi pres njëkohësisht të vij këtu pas 23 qershorit, sigurisht që do të vij edhe më përpara, për të festuar një fitore madhështore këtu në Poliçan dhe në të gjithë rrethin e Skraparit dhe në të gjithë Qarkun e Beratit. Atmosfera është shumë entuziaste. Entuziazmin duhet ta menaxhojmë me qetësi deri në 23 qershor. Jam i bindur se do të arrijmë ta çojmë Poliçanin atje ku duam ne dhe atje ku ju do edhe zemra juve, sepse janë mundësitë përmes riaktivizimit të shumë projekteve në kombinat. Përveç kësaj, edhe të krijojmë mundësi përmes disa sipërmarrjeve të tjera për të hapur vende të reja pune në Poliçan, sidomos për të gjitha gratë e vajzat, të cilat duan dhe e kanë të domosdoshme një vend pune”, tha Lideri i LSI-së. dukë përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe u shpreh se LSI përfaqëson aspiratën për një Poliçan që ecën më shepjt drejt Evropës, për një Shqipëri që ecën më shpejt drejt Evropës.
“Ndaj ju falënderoj për pritjen tuaj, për përkrahjen tuaj. Do të jeni gjithmonë në mbështetjen e popullit të mrekullueshëm të Poliçanit, por edhe ju, jam i sigurt se, do ta zhvilloni më tej këtë ndjenjë solidariteti dhe besimi, sepse në fund të fundit LSI-ja nuk jemi ne, LSI-ja jeni ju dhe ne përfaqësojmë vullnetin dhe aspiratën tuaj për një Poliçan që ecën më shpejt në rrugën e progresit, në rrugën e punësimit dhe për një Shqipëri që ecëm më shpejt në rrugën e integrimit evropian. Ju uroj gjithë të mirat, juve, familjeve tuaja dhe gjithë komunitetit të Poliçanit dhe suksese të gjithëve së bashku në 23 qershor dhe njëkohësisht urojmë që z. Naço të jetë vetëm deputet i parë i Qarkut të Beratit por jo i fundit. Pra, të vazhdojë listën, përmes votës suaj, me deputetë të tjerë”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar më banorët e qytetit të Poliçanit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.