14 Apr Gjoni: Atentat Kushtetutës dhe Ligjit. Përgjegjësi morale, historike e juridike për ata që shkelin ligjin.
Gjatë një interviste për Ora News, Sekretari Ndërkombëtar i LSI Ralf Gjoni e cilësoi ndërhyrjen politike ndaj përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si një akt të paligjshëm dhe si një atentat që po i bëhet Kushtetutës dhe ligjit në Shqipëri. "Ne presim që Partia Demokratike të tërhiqet që sot nga nisma e tyre e paligjshme për të çuar në Kuvend, shkarkimin e një Anëtari të KQZ, i cili gëzon paanshmëri dhe një mandat 6 vjeçar në detyrë. KQZ është trupi më i lartë kushtetues në Republikën e Shqipërisëqë merret me organizimin, administrimin dhe çertifikimin e zgjedhjeve dhe si i tillë, po pëson një atentat politik" - tha Ralf Gjoni.
Gjoni shtoi gjithashtu se nëse votimi bëhet të hënën duke u prekur KQZ, çdo gjë mund të pritet të ndodhë në Shqipëri. Me këtë logjikë, i bie që nesër koalicioni i ri qeverisës mund të ndërrojë përbërjen e KQZ. Por më rëndë akoma, me këtë logjikë i bie që të gjitha zgjedhjet dhe vendimet që janë bërë në këto katër vite bashkëqeverisje me PD të rrëzohen. Nëse cënohet që tani puna e KQZ, do të thotë që cënohet mbarëvajtja dhe integriteti i tërë procesit zgjedhor dhe vetë çertifikimi i zgjedhjeve apo besueshmëria e votës, do të thotë që gatuhet vjedhja e zgjedhjeve që në këtë moment.