10 May Meta prezanton kandidatet ne Qarkun e Shkodres. Meta – Prioriteti i Kryetarit të PD-së mesa duket, për fat të keq, nuk paska qenë miratimi i tre ligjeve por mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një takim madhështor në qytetin e Shkodrës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 11 kandidatëve për deputetë në Qarkun e Shkodrës.
I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Shkodra ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë një qytet i madh në historinë e Shqipërisë por do të jetë një qytet akoma më i madh për të ardhmen e shpejtë të Shqipërisë.
“Ndaj edhe ne e firmosëm pikërisht këtu në Shkodër “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, e cila zotohet se brenda dy mandateve të anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, tha z. Meta. Kryetari i LSI-së u shpreh i bindur në mbështetjen e madhe që qytetaria shkodrane do t’i japë LSI-së më 23 qershor pasi sipas tij LSI ka rrezatuar, që në gjenezën e saj, qytetari, shpirt konstruktiv, energji pozitive.






