Vasili: Administrata, fushata elektorale të mos zbehë përpjekjet për të ecur përpara në drejtim të anëtarësimit në BE

Vasili: Administrata, fushata elektorale të mos zbehë përpjekjet për të ecur përpara në drejtim të anëtarësimit në BE

petritvasili09022013

Jemi në këtë komunikim së bashku lidhur me një shqetësim i cili dita ditës po merr një dimension sigurisht problematik dhe shqetësues, atë që ka të bëjë me shpërqendrimin e ardhur për arsye të etheve, ankthit dhe të përqendrimit shproporcional në zgjedhjet e 23 qershorit në raport me detyrimet e mëdha që administrata shtetërore dhe ajo lokale kanë në raport me qytetarët. Është vërejtur, dhe kjo përcillet qartë edhe mediatikisht, një përqendrim energjish jo proporcional, i pavend dhe sigurisht jashtë atyre kërkesave që qytetarët kanë lidhur me atë përqendrim që administrata qendrore dhe lokale duhet të ketë për problemet e qytetarëve. Ky fenomen, i cili po shkon drejt intensifikimit në vend që të ndodhë e kundërta, sigurisht i krijon problematika të shumta qytetarëve por edhe projekteve apo edhe mjaft punëve të tjera që kërkojnë një ndjekje sistematike, intensive dhe për një kohë të gjatë.

Ndaj ne duke tërhequr vëmendjen bëjmë thirrje që e gjithë administrata qendrore dhe lokale të rikthehet me përqendrimin e duhur në të gjitha problemet që janë përgjegjësi shtetërore, administrative dhe burokratike. Sigurisht të ekonomizohet e gjithë fuqia elektorale në kohën dhe në vendin e duhur, në mënyrë që kjo fushatë e nisur para kohe, e tezgjatur pa vend, të mos t’i krijojë probleme artificiale qytetarëve në vend të zgjidhjeve të shumta që ata presin në mënyrë të përditshme.

Gjithashtu është për ne problematikë edhe qëndrimi apo heshtja në përgjithësi e politikës shqiptare ndaj apeleve të rëndësishme të bëra nga z. Fule dhe nga z. Kukan në lidhje me ngecjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe pandjeshmërinë a një pjesë të madhe të klasës politike dhe përqendrimin e energjive vetëm në fushatën zgjedhore duke zëvendësuar një prioritet madhor e historik siç është integrimi me ethet elektorale të zgjedhjeve të radhës.  

Mesazhet për integrimin qenë të qarta, shumë të drejtpërdrejta dhe është kërkuar në mënyrë të qartë të ndahet një herë e përgjithmonë problematika e integrimit nga problematikat elektorale të këtyre zgjedhjeve, të zgjedhjeve lokale të radhës apo të zgjedhjeve të tjera parlamentare të radhës. Integrimi është një problematikë madhore e cila i krijon një dëm sistematik vendit në tërësinë e tij, qoftë në planin politik, qoftë në planin ekonomik ashtu edhe në atë social.

Dhe çdo zëvendësim dhe indiferencë lidhur me këtë është një gabim i pafalshëm, faturën e së cilës, për fat të keq, e paguajnë shqiptarët mbi 90 për qind proeuropianë, për arsye të papërgjeshmërisë dhe mosndjeshmërisë së politikës, e cila e mbytur nga ankthi elektoral nuk e ndan dot këtë nga prioriteti madhor historik i integrimit. Ndaj duhet një ndryshim i menjëhershëm i vëmendjes, i kursit dhe ndërtimit të çdo lloj kompromisi në këtë çështje, duke kërkuar të ekzistojnë diferencat normale, të qarta, politike, programore që ndajnë forcat politike nga njëra-tjetra. LSI do të vazhdojmë ti bëjë pareshtur apele të tilla. Do të vazhdojë të jetë deri në fund misionare e procesit të madh të integrimit, duke e shndërruar atë në kredo të vërtetë dhe duke u bërë një me miliona qytetarë, të cilët e presin dhe duan një veprim dhe një hap të tillë të Shqipërisë për një integrim të suksesshëm në Bashkimin Europian.

Z. Vasili, cili është komenti juaj në lidhje me diskutimin iu bë dje dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Ligjeve?

Lidhur me mosshqyrtimin e dekretit për gjykatësin Artan Hoxha, ne e vlerësojmë si një anormalitet, sepse çdo dekret i Presidentit ka detyrimin ligjor që të merret në shqyrtim nga Parlamenti dhe ky i fundit mund të shprehet pro apo kundër sipas gjykimit të tij, por ka detyrim ta marrë në shqyrtim dhe të shprehet me votë për të.

Deklaratat e kreut socialist nga Korça lidhur me sistemin shëndetësor, sidomos etiketimi që ai i ka bërë infermiereve, ka shkaktuar debate dhe reagime të shumta si nga Urdhri i Infermierit ashtu edhe nga politika. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë?

Puna e infermiereve dhe kontributi i tyre në sistemin shëndetësor është i qenësishëm dhe i pazëvendësueshëm. Nuk ka një sistem shëndetësor në Shqipëri apo në botë që të ekzistojë pa praninë e figurës themelore të infermierit në sistem. Sigurisht që deklaratat e nxituara, pa vend dhe pa seriozitetin e duhur sigurisht që janë të papranueshme dhe në vend të këtyre duhet të ketë një vlerësim maksimal për punën e tyre duke vlerësuar dhe kushtet jo të lehta në të cilat ajo zhvillohet, përballjen jo vetëm me të sëmurin dhe problematikën shëndetësore që vetë përbën një problematikë shumë të komplikuar, por edhe me vështirësi të tjera të gjitha llojeve që infermieret hasin, qoftë në planin psikologjik në raportin e tyre me të sëmurin dhe familjarët por edhe me raportin e plotësimit e të gjitha atyre procedurave mjekësore të cilat duhen përmbushur. Sistemi shëndetësor shqiptar i konsoliduar në pikëpamjen e modelit të tij dhe të shtyllave ku reforma duhet të vendoset sigurisht ka probleme përsa i takon masës dhe sasisë së financimit. Këtu ka ende shumë për të bërë në mënyrë që sistemi të jetë gjithmonë e më efikas, kompetitiv dhe t’i japë gjithmonë e më shumë përgjigje sa më të shpejta qytetarëve. Por kjo është në sfidë e cila do të jetë e pandryshuar prej të gjitha qeverisjeve në Shqipëri dhe besoj që te gjitha qeverisjet kanë përgjegjësitë e tyre për masën e ulët të financimit në shëndetësi.

Zoti Vasili, a keni një koment lidhur me sondazhin e djeshëm i cili e nxjerr LSI-në me 1% dhe tregon që ka edhe rrjedhje vote?

Ne lidhje me sondazhin e djeshëm, më vjen vërtet gjynah që janë shpenzuar para nga këta përfaqësues të fondacionit “Soros” për një gjë që as mund ta bëjnë dhe as nuk dinë ta bëjnë. Nisur nga një optikë e tillë dhe nga nevojat e mëdha dhe të shumta që Shqipëria ka besoj që mund të ishin shpenzuar në mënyrë shumë më të dobishme për të rikonstruktuar një çerdhe diku apo pse jo një kopsht dhe besoj që qytetarët do të ishin mirënjohës sa herë që të shpinin fëmijët e tyre atje në vend që të shpenzonin para siç thashë edhe një herë në padije të plotë për të kryer një proces të caktuar profesional. Ndërkohë në 24 qershor do të ketë një rezultat të qartë, të saktë dhe jo më sondazh i cili sigurisht do të evidentojë dhe do të kërkojë shpjegime se pse u shpërdoruan këto para.