05 Apr Meta: Me PS për të ardhmen evropiane. Meta : Ata që s’dinë të bëjnë politikë, ktirikojnë

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi sot në ambientet e Hotel “Tirana International”, mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, (KDK). Në këtë takim ishte i pranishëm Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga Grupi Parlamentar i LSI-së dhe nga drejtues të tjerë të kësaj force politike. Mbledhja e KDK-së së LSI-së u zhvillua në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet e 23 qershorit, përcaktoi objektivat me qëllimin e vetëm realizimin e një fitoreje të madhe në këto zgjedhje.
LSI organizoi këtë mbledhje të Komitetit Drejtues Kombëtar pas disa zhvillimeve të rëndësishme politike të cilat sollën një situatë të re në konfigurimin e skenës politike shqiptare, që lidhet me vendimin e rëndësishëm të Kryesisë së LSI-së për të pranuar ftesën e Partisë Socialiste për koalicion parazgjedhor me këtë forcë politike. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se me vendimin e marrë për një koalicion me Partinë Socialiste, Kryesia e LSI-së pranoi kështu një koalicion të natyrshëm i cili synon t’i japë vendit një frymëmarrje të re demokratike dhe bashkëpunimi.