Vasili: Programi i LSI, jo populist

Vasili: Programi i LSI, jo populist

petritvasili09022013

Jemi në këtë komunikim së bashku për të informuar opinionin publik lidhur me disa momente shumë të rëndësishme të aktivitetit dhe zhvillimit politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lëvizja Socialiste për Integrim ka përfunduar draftin e saj për programin elektoral, që lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti. Ky draft është prodhuar pas një konsultimi tepër të gjerë, si asnjëherë më parë, me një grup specialistësh, i cili ka punuar gjerësisht me grup-komisionet politike në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe ka prodhuar një produkt elektoral, i cili është formësuar në programin elektoral, tepër të rëndësishëm për Lëvizen Socialiste për Integrim por edhe për ato efekte pozitive që sjell në mënyrë të drejtpërdrejtë implementimi i tij në praktikë.

Së pari, programi i hartuar është ndërtuar në shenjën e një realizmi të thellë përkundrejt mjaft qëndrimeve të tjera të forcave të tjera politike, të cilat kanë pasur qëndrime tërësisht jo realiste, shpeshherë dhe me një sens fantastik, duke na kthyer mbrapa në kohë me ato premtime historikisht thjesht demagogjike dhe pa asnjë mundësi objektive për tu mbajtur.
Së dyti, çdo element i programit tonë ka pasur një kalkulim të kujdesshëm lidhur me efektet financiare dhe me mundësitë financiare të drejtpërdrejta për realizimin e tij, duke e bërë tërësisht realist dhe me ‘këmbë në tokë’ këtë program dhe duke bërë që objektivat elektorale të këtij plani të realizohen në katër vitet e ardhshme të qeverisjes.

Së treti, programi ka një sens shumë të fortë social sepse ka dy këmbët e tij themelore, ekonominë dhe punësimin. Ekonominë nën dritën e zhvillimeve të reja e të mëdha që kanë shoqëruar në mënyrë globale botën por edhe rajonin tonë në përgjithësi e ku qëndrimet tepër të kujdesshme racionale të programuara mirë lidhur me ekonominë, ishin dhe mbeten një prioritet absolut. Gjithashtu, në program është zhvilluar gjerësisht akoma edhe me një dimension tjetër, dimensioni i punësimit, një dimension me të cilin Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë në pararojë të mendimit politik shqiptar dhe asnjë nuk mund të heqë nga vëmendja, që edhe në vitin 2011 ndonëse zgjedhjet ishin zgjedhje lokale, thelbi i programit tonë ishte punësimi, spotet tona elektorale ishin vetëm me punësimin,  Ndërkohë që mjaft spote politike konsumoheshin nga forcat e tjera politike për zgjedhjen e atyre në atë kohë. Pra duke ruajtur duke lajtmotiv karakteristik për LSI-në siç është punësimi ka zhvillime të reja tepër të rëndësishme në programin tonë elektoral të cilat mundësojnë realisht përgjigje për punësimin në tërësi por në mënyrë specifike dhe të veçantë punësimin e të rinjve me prioritet dhe të grave në veçanti.

Së katërti një element thelbësor i këtij programi është zhvillimi i çështjeve të të mëdha me të cilat jeta shoqërore, jeta politike dhe ekonomike e vendit është e lidhur, çështje edhe me dimension të lartë social sepse lidhen me punësimin dhe zhvillimin ekonomik, siç janë zhvillimet programore në çështjet e bujqësisë, arsimit dhe të për konsolidimin e mëtejshëm të reformës së filluar në shëndetësi.

Në tërësinë e vet ky program është i konsultuar gjerësisht me ekspertë dhe ku LSI në qindra e qindra takime, qoftë të kryetarit Meta por edhe drejtuesve të tjerë të LSI-së, ka zhvilluar dhe ka bërë të sajën dimensionin e të dëgjuarit të shumtë, pra kemi dëgjuar shumë se çthonë njerëzit, elektorati, shqetësimet e të gjitha kategorive të moshave, kategorive sociale dhe kategorive profesionale. Këto shqetësime i formësuar në një program elektoral tërësisht realist që jep shpresë dhe që i jep dimension të ri zhvillimit ekonomiko-social në Shqipëri. Pra dimensioni i të dëgjuarit të gjatë dhe me vëmendje dhe i transplantimit të tij në një program politiko-elektoral, ka qenë ky edhe dimensioni i ri që i kemi dhënë këtij programi duke ruajtur frymën e të qenit konkret dhe realist nën atë traditë të shkëlqyer të “Planit për Veprim” me të cilin konkurruam edhe në zgjedhjet e vitit 2009.

Në mënyrë përfundimtare mund të themi që në Konventën e prillit LSI, duke pasur prioritet madhor programin e saj elektoral, do të diskutojë gjerësisht dhe do të marrë mirëkuptimin e të gjithë të zgjedhurve të saj për të shkuar tek shqiptarët pikërisht me një ofertë elektorale të vërtetë dhe konkrete, realiste dhe me këmbë në tokë, duke i bërë ata që vërtetë të besojnë se këtu ka analizë të madhe edhe politike, edhe të karakterit teknik, edhe të karakterit shkencor, duke krijuar më së fundmi risinë e programeve elektorale të cilat prodhojnë vërtet objektiva të mbajtshme përkundrejt atyre programeve të cilët prodhojnë objektiva që thjesht mbeten ëndrra dhe pikësynime por asnjëherë realizime të drejtpërdrejta.

Z. Vasili nesër pritet të mbërrijë në Tiranë Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule. Çfarë prisni nga ky takim dhe mendoni se do të ketë një axhendë politike?

Prezenca e z. Fule në Shqipëri nesër është një prezencë gjithmonë pozitive dhe e mirëpritur sepse është një personalitet shumë i rëndësishëm i Brukselit, drejtpërdrejtë i lidhur me integrimin.  Kjo prezencë përcjell vetëm pozitivitet dhe vëmendjen e shtuar të Brukselit për integrimin e Shqipërisë dhe sigurisht që prezenca e tij është e mirëpritur. Njëkohësisht ne jemi të lumtur si Lëvizje Socialiste për Integrim sepse po nga kjo foltore pak ditë më parë unë kam ngritur e ringritur çështjen e integrimit si një prioritet madhor i cili nuk mund të errësohet nga asnjë prioritet tjetër elektoral apo i ditës dhe prezenca e zotit Fule dhe dimensioni që ai i ka dhënë ditës së tij të nesërme në një takim kryesisht me shoqërinë civile, pra për të krijuar një sensibilitet  gjithmonë e më të fort shoqëror për çështjen e integrimit, është një takim i mirëpritur. Për LSI-në sigurisht do të vazhdojë të përcillet me shumë seriozitet si një ngjarje pozitive në vijim dhe të atij komunikimi të shpeshtë dhe intensiv që ne kemi pasur me Komisionin Evropian si një forcë politike përsa i takon çështjeve të integrimit Evropian.

Kryetari i PS-së, z. Rama, dje nga qyteti i Korçës ka goditur sërish sistemin shëndetësor duke thënë se përveç të sëmurit shqiptarët duhet të marrin me vete batanije, ngrohëse, ilaçe etj.  Si i komentoni këto deklarata?

Besoj që jemi të ndarë qartë nga ato që janë vlerësime programore për një sistem të caktuar si shëndetësia përkundrejt programeve humoristike, portokalli apo të tjera programe artistike të njohura në Shqipëri të cilat kanë të tjera synimi. Besoj që këtu jemi të ndarë në këtë çështje.

Deputeti i LSI-së Nasip Naço ka deklaruar se LSI në do të pranonte kurrë të bënte koalicion duke u kushtëzuar në bazë shifrash. Ai është referuar kështu skemës së Partisë Socialiste për koalicionet. Do të thotë kjo që keni marrë një ftesë zyrtare nga Partia Socialiste për koalicion?  

Ka dy çështje brenda pyetjes tuaj. Së pari deklarimi i zotit Naço është një deklarim korrekt dhe parimor. Ky
është dhe thelbi i mënyrës se si Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndërtuar edhe bashkëpunimin politik, edhe aleancat e saj dhe programin politik dhe të gjithë jetën politike të saj që nga themelimi në vitin 2004. Jo rastësisht, ngjizur mbas një kauze të madhe siç ishte integrimi, ne ndërtuam partinë tonë përkundrejt forcave të tjera që e ndërtojnë nga mënyra më të shumëllojshmet pa u bashkuar fort në kredo të forta. Kështu që komunikimi i zotit Naço ka qenë korrekt dhe unë ndaj të njëjtin mendim me të. Sigurisht LSI vazhdon të jetë dhe do të mbetet gjithë jetën partia e parimeve dhe ulja në tavolinë me këdo partner politik për çdo çështje në radhë të parë për integrimin do të kishte kritere të forta politike, parimore dhe asgjë tjetër jashtë këtyre kritereve. Përsa i takon çështjes së numrave kam thënë edhe gjetkë, këto janë çështje kombinacionesh numerike, trajtimesh, mënyra mbledhjesh, shkëmbime votash që nuk kanë lidhje më Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ata forca që i ndërtojnë besojnë se kjo mund të jetë mënyra për të bërë politikë.