Ilir Meta: Më 23 qershor, LSI-ja vendos shumë më tepër se sot në qeverisen e ardhshme në Parlamentin e ardhshëm

Ilir Meta: Më 23 qershor, LSI-ja vendos shumë më tepër se sot në qeverisen e ardhshme në Parlamentin e ardhshëm

ilirmeta29032013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së për Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranë, Elez Gjoza, ka zhvilluar një takim në këtë njësi. Në fjalën e tij Lideri i LSI-së deklaroi më 23 qershorit qytetarët shqiptarë do votojnë LSI-në sepse ata duan të ecin më shpejt dhe e kuptojnë plotësisht mesazhin dhe angazhimin e LSI-së.

“Të gjithë shqiptarët duan të ecin më shpejt dhe njëkohësisht sepse ne në dallim nga të tjerët nuk i drejtohemi yjeve por u drejtohemi njerëzve. Unë kam besim të plotë se ata e mirëkuptojnë plotësisht mesazhin dhe angazhimin tonë dhe e kanë të qartë se ne nuk bëjmë fushatë me ta por se ne i ndjejmë realisht problemet e tyre dhe jemi të angazhuar për t’i zgjidhur ato”, u shpreh z. Meta.

Sipas tij Lëvizja Socialiste për Integrim pas zgjedhjeve e 23 qershorit do të ketë një peshë shumë më të madhe në qeverisjen e ardhshme, në Parlamentin e ardhshëm. Meta tha se për koalicionet e ardhshme do të vendosi konventa e LSI-së, por sipas tij e rëndësishme është që pas 23 qershorit LSI do të ketë më shumë peshë në qeverisjen e ardhshme, në parlamentin e ardhshëm sepse është një parti me këmbë në tokë dhe e angazhuar për zgjidhjen e problematikave që shqetësojnë qytetarët.

“Lidhur me çështjen e koalicioneve, kjo është një çështje që do të vendoset nga forumet e LSI-së dhe normalisht nga konventa e saj, por duhet të kemi parasysh se nuk votohet për koalicionet, votohet për partitë. Pra kudo që të jetë LSI-ja, votohet për LSI-në, apo votohet për PD-në apo për PS-në apo për PBDNJ-në, pra nuk votohet për koalicionet. Ndaj edhe ne jemi shumë të qetë sepse jemi të angazhuar se të gjithë votuesit tanë të jenë të qartë për këtë gjë dhe në kohën e duhur do të merret edhe vendimi i duhur. Por një gjë është e padiskutueshme, LSI-ja vendos shumë më tepër se sot në qeverisen e ardhshme në Parlamentin e ardhshëm. Kjo është një gjë e mirë për vendin sepse LSI është një forcë politike me këmbë në tokë, nuk është një forcë e prirur për aventura, për konflikt dhe është një forcë e angazhuar për të zgjidhur problemet kryesore që kanë qytetarët tanë”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar me Shtabin Elektoral të LSI-së në Njësinë nr.2 në kryeqytet, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Duke analizuar funksionimin e strukturave Z. Meta deklaroi se janë të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat historik. “Do ta arrijmë patjetër, në mënyrë që të jemi edhe më përcaktues për të ndihmuar të ardhmen e vendit dhe të çdo qytetari shqiptar që të jetë më e sigurt. E ardhmja e tyre tronditet sa herë që politikanët për arsye të fushatave dalin nga realiteti dhe për hir të stresit që kanë për zgjedhjet dhe të rezultatit të tyre janë gati të bëjnë çdo lloj deklarata apo të nxisin çdo lloj fryme konfliktuale”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Është për të ardhur keq kur dëgjon edhe ndonjë deklaratë se nuk miratohet ky ligj për Gjykatën e Lartë apo se nuk duhet të ndërtohet Gjykata Administrative sepse ajo mund të jetë një thertore tjetër për biznesin. Kjo është njësoj sikur të themi se nuk duhet të ndërtohet një autostradë e re Tiranë-Rrogozhinë, që qytetarët të ecin më shpejt, sepse do të ndodhin aksidente. Është koha që të gjithë të marrin përgjegjësi reale dhe të kontribuojnë për një fushatë sa më pozitive”, tha ai.

Duke folur mbi sondazhet e fundit z. Meta tha se LSI do të ketë një rezultat spektakolar më 23 qershor dhe sondazhet sipas tij i paguajnë të tjerët sepse e dinë shumë mirë peshën reale të LSI-së. “Ju e shikoni që ne jemi shumë të qetë, të tjerët janë në halle. Të gjithë përpiqen të paguajnë sondazhe. Të gjithë kanë hallin se si të nxjerrin sa më poshtë LSI-në sepse e dinë që LSI-ja është e vetmja forcë reale, përveç dy të tjerave, që do të imponojë Parlamentin e ardhshëm dhe që qeverisjen e ardhshme.

“Ne me punën tonë, qetësinë tonë, me sigurinë tonë dhe mesazhin tonë konstruktiv do të arrijmë rezultat spektakolar, siç e arritëm më 8 maj në Tiranë që kanë qenë zgjedhjet ndoshta nga më të ashprat politike, se nuk ishin zgjedhje lokale ato, ku LSI-ja arriti në qytetin e Tiranës nga 13 mijë vota në 23 mijë vota. Njësia juaj arriti një rezultat të shkëlqyer”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai deklaroi se “ka një prurje të vazhdueshme drejt LSI-së, aq sa ne nuk po i përgjigjemi dot me prodhimin e kartave. Kjo mendoj që është normale. Qytetarët shqiptarë janë velur nga kjo politikë konfliktuale, kanë nevojë për mesazhe bashkëpunimi, kanë nevojë për mesazhe pozitive”. Z. meta bëri edhe një herë thirrje që ethet elektorale të mos i bëjnë politikanët që të bëjnë premtime skandaloze që cenojnë edhe stabilitetin ekonomik të vendit.

“Nuk mund të flasim pa i kuptuar treguesit ekonomikë. Nuk mund të bëhen premtime skandaloze ndërkohë që rritja e shpenzimeve publike njëkohësisht është shumë e lartë dhe është shqetësuese. Kjo tregon një mungesë përgjegjësie. Njëkohësisht premtohet që do të hapen me qindra e mijëra vende pune, premtohet që do të rriten shumë më tepër pagat, do të rriten shumë më tepër pensionet, do të ulen taksat. Atëherë vërtet vjen pyetja: në këtë mënyrë do të ulen edhe të ardhurat, atëherë do të rritet deficiti, do të rritet borxhi publik dhe ku do të shkojnë? Pra janë ethet e 23 qershorit të cilat ndikojnë mbi politikanë të caktuar dhe nuk janë ata dhe forcat politike të cilat duhet të menaxhojnë këtë problematikë që ka vendi, me arritjet dhe vështirësitë që ajo ka”, vijoi ai.

Z. Meta tha se këtu edhe dallimi i LSI-së është shumë i qartë me gjithë të tjerët. “Ne ishim të parët që ngritëm problemin tepër serioz të rimbursimit të TVSH-së bizneseve, sepse në çdo biznes që të shkosh një ndër shqetësimet kryesore është që nuk rimbursohet TVSH-ja sipas ligjit dhe në kohën e duhur.

Ndërkohë që biznesi për një ditë që nuk paguan detyrimet ndaj shtetit i fillojnë kamatëvonesat, nuk ka asnjë detyrim administrata tatimore apo ajo shtetërore kur nuk i jep biznesit në kohën e duhur atë që i takon. Ndaj ne insistuam dhe insistojmë për rimbursimin automatik si mënyra më transparente, më e drejtpërdrejtë dhe më e thjeshtë që ndihmon këto raporte midis administratës fiskale dhe biznesit.

Ne gëzohemi që të gjithë tani kanë filluar të flasin për biznesin fason, por kjo ka qenë një temë e hapur për herë të parë në politikën shqiptare nga LSI-ja para 5-6 vitesh dhe janë bërë jo pak në këtë drejtim. Janë ndërmarrë shumë masa për lehtësimin dhe për mbijetesën e këtij biznesi në këtë kohë të vështirë krize dhe duhet vazhduar akoma edhe më tej, sepse është një biznes që në një kohë të shkurtër punëson shumë njerëz. Ne do të vazhdojmë që të gjithë thelbin e politikës tonë ekonomike ta bazojmë tek rritja e punësimit. Kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në këtë situatë krize, sepse njerëzit duan një punë, ajo është një siguri për të ardhmen, është edhe dinjiteti i tyre, dhe në të gjitha politikat që ndihmojnë të rinjtë për tu punësuar më shpejt dhe për të gjetur një vend pune. Këtu LRI-ja ka një meritë të veçantë me iniciativën e saj për praktikat e punës të cilat do t’i ndihmojnë të rinjtë për të gjetur më shpejt një vend pune pas diplomimit të tyre”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.