30 Mar Konferenca për shtyp e Zëvendëskryetarit të LSI-së, Petrit Vasili
Sot ndodhemi para jush për të ndarë një shqetësim lidhur me përdorimin apo shpërdorimin e sallës së Parlamentit për qëllime thjesht dhe vetëm për qëllime elektorale. Sikurse e keni përcjellë ju por edhe të gjithë qytetarët salla e Parlamentarit ka filluar t’i ngjajë seriozisht një studioje televizive ku bëhet debati elektoral, që ka pak lidhje me ato që janë detyrat e natyrshme të institucionit më të lartë të vendit. Ethet apo ankthet elektorale dhe në disa raste edhe pakontrollueshmëria e emocioneve elektorale ka bërë që të shpenzohen orë të panevojshme debati parlamentar elektoral në vend të detyrës të natyrshme për të diskutuar projektligje të cilët janë tepër të rëndësishëm, duke e parë këtë edhe në optikën e integrimit evropian ku edhe cilësia e legjislacionit, i cili përmirësohet nëpërmjet diskutimit të tij në sallën e Parlamentit, është bërë jetike.
Normalisht ky debat është zëvendësuar pothuajse tërësisht në debat elektoral dhe diskutimi i ligjeve ka shërbyer dhe po shërben më tepër si një arsye apo si një mundësi për të shkëmbyer batuta dhe debat të egër elektoral në vend të atij me përmbajtje që ka të bëjë me ligjet që janë tepër të rëndësishëm të miratohen, jo për të tashmen e asaj dite por për vite të tëra që do të pasojnë. Njëkohësisht është vënë re për fat të keq që Parlamenti po përjeton një klimë sikur ai është në ikje dhe jo si një institucion shumë i rëndësishëm, një institucion fondamental në një Republikë Parlamentare, i cili duhet të kryejë me korrektesë dhe me efiçencë të plotë dhe me seriozitet detyrat e tij deri në ditët e fundit kur ai do të shpërndahet për t’i lënë vendin zgjedhjeve të reja. Ky seriozitet Parlamentit po i mungon dhe ne jemi këtu për të bërë apel për një rikthim në normalitet, për një disiplinim të tij dhe për një funksionim në bazë të rregullores së Parlamentit, ku respekti ndaj problematikave të ditë të jetë kryesor dhe të mos zëvendësohet nga ky që quhet debat elektoral.
Sigurisht ka vend për një debat të vërtetë politik që ka të bëjë me ligjet e integrimi, të cilat janë të gjithëpranuara nga gjithë opinioni publik shqiptar dhe këtu ka vend për të rihapur një debat të madh në Parlament e për të ecur në rrugën e miratimit të tyre, në vend të deklaratave shterpë apo hipokrizive të shkëmbyera në distancë lidhur me përbetimet për integrimin. Apelet më të fundit, që shprehin sigurisht dhe deziluzion nga Evropa për mosmiratimin e tyre sigurisht janë këto problemi më i madh i Parlamentit dhe i politikës dhe jo më debatet elektorale shterpë me elemente të theksuara provincializmi dhe hipokrizie, të cilat as nuk i ndihmojnë qytetarët por as nuk i bindin dot ata për efektivitetin e këtyre debateve, a thua se premtimet që shkëmbehen në sallën Parlament, si një studio televizive ku bëhet debat elektoral, sigurisht që nuk mund t’i bëjë shqiptarët të binden nëpërmjet kësaj gjuhe të përdorur në vendin e gabuar dhe në mënyrën e gabuar.
Z. Vasili, ju deklaruat se Parlamenti po konsumon debate shterpë. E kishit vetëm për tre ligjet e integrimit, siç thatë, apo edhe për dekretet e Presidentit të cilat nuk u votuan në seancën e kaluar? Cili është shpjegimi i LSI-së për këto dekrete, për 2 në Gjykatën Kushtetuese dhe 1 në Gjykatën e Lartë?
Besoj se është një moment i mirë ky komunikim me ju për t’i dhënë një fund dhe një përgjigje një debati spekulativ, kryesisht mediatik, ku termi ‘mosvotim ligjesh’ është përdorur gjerësisht. Thënë më thjesht, nuk ka pasur një votim, nuk ka qenë futur në axhendën e Parlamentit lidhur me këto dekrete të cilat besoj se do të futen në axhendë në ditët që vijnë. Ju e dini që në lidhje me këto ka pasur vetëm komente jo mbështetëse nga përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët kanë shprehur edhe votën e tyre kundër siç ka qenë edhe rasti i zotit Alibeaj. Ndërkohë që kur ato të vijnë në sallën e parlamentit sigurisht do të jenë objekt i shqyrtimit dhe i shprehjes me votë, por në rastin konkret jemi përpara komentit të një gjëje që nuk ka ndodhur, pra nuk kanë qenë pjesë e agjendës dhe nuk janë vënë për votim. Kështu që në shumë raste besoj që në mënyrë paradoksale kemi folur për një mos votim ndërkohë që s’kemi pasur një produkt i cili duhet të votohej. Duhet të vijnë në sallën e parlamentit, të futen në rendin e ditës dhe pastaj kur të votohen kemi vend për të diskutuar për votën apo për profilin e kësaj vote. Deri në këtë moment nuk ka ndodhur asnjë gjë, kështu që besoj që ky spekulim daravitet këtu.
Ju do votoni pro emrat apo nuk do ti votoni?
Në momentin që do të kemi një ofertë në sallën e parlamentit, sigurisht do të shprehemi me votë siç jemi shprehur vazhdimisht, nuk kemi pse të paragjykomë dhe të hamendësojmë për një gjë që nuk ka ndodhur.