Alternativa Politike e Partisë së Lirisë

Partia e Lirisë krijohet për të çuar më tej misionin e Lëvisjes Socialiste për Integrim, si kërkesë për përfaqësimin e një baze më të gjerë zgjedhore e ideologjike, në kushtet e jashtëzakonshme të keq-qeverisjes dhe të shpopullimit të vendit.

 

Në realitetin e sotëm politik shqiptar, partitë politike kanë tejkaluar dhe kanë tjetërsuar përkatësinë në spektrin politik. Sistemi demokratik është dëmtuar në themelin e tij, në zgjedhjet e lira e të ndershme, dhe për rrjedhojë pozicionimi ideologjik i partive është i parëndësishëm në politikë-bërje dhe në efekte elektorale.

 

Përkatësia ideologjike, si themel i formulimit të politikave të mazhorancës, që sot kontrollon të gjithë pushtetet, ka kohë që është zëvendësuar me autokracinë dhe arrogancën qeverisëse që ka dale jashtë çdo lloj modeli politik të majtë apo të djathtë dhe ka tashmë tiparet e një regjimi korruptiv oligarkik, jo demokratik, që nuk respekton vullnetin e qytetarit, që pasurohet nga resurset dhe të mirat që i përkasin publikut, dhe që e përdor këtë pasurim për të blerë pushtetin dhe sovranitetin e qytetarit dhe votuesit të thjeshtë.

 

Modeli aktual i qeverisjes funksionon duke:

Grabitur dhe blerë vullnetin e qytetarëve nëpërmjet kërcënimit me privimin e të ardhurave jetësore të individit dhe familjeve, si dhe duke angazhuar hapur botën e krimit në grabitjen e pushtetit.

Shkelur ligjet, rregullat dhe ligjin themelor të shtetit, Kushtetutën.

Grabitur pronën publike dhe atë private në funksion të pasurimit të tejskajshëm personal.

 

Evituar plotësisht përgjegjësinë dhe llogaridhënien përpara qytetarëve.

Krijuar një ekonomi kombëtare në funksion të pasurimit të kryeministrit dhe klanit rreth tij, duke sjellë defekte të rënda në funksionimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

 

Fuqizuar grupe biznesi të lidhura me krimin dhe grupe mediatike në shërbim të verbër të qeverisjes dhe deformimit të opinionit publik.

 

Polarizuar shoqërinë dhe duke krijuar një hendek të madh mes një pakice super të pasuruar dhe varfërimit të qytetarëve të tjerë, dhe duke mos realizuar rritjen e pagave dhe të ardhurave të qytetarëve si dhe duke dështuar në mbrojtjen e qytetarëve nga inflacioni dhe rritja e çmimeve.

 

Injoruar përkatësinë historike, kulturore, identitare, si dhe integritetin e paprekshmërine e territorit.

 

Shkatërruar vlerat bazë të familjes si qelizë e shoqërisë si dhe marrëdhëniet në një familje të shëndoshë.

 

Injoruar rëndësinë e vitalitetit demografik të kombit dhe fenomenin e pasojat e rënda të shpopullimit.

 

Treguar papërgjegjshmëri të plotë për jetën e mirëqenien e qytetarit të zakonshëm.

 

Ndjekur një politikë egocentrike, amatoreske në politikën e jashtme, duke krijuar hendek dhe duke dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

 

Ngadalësuar e vonuar për mbi një dekadë procesin e integrimit të vendit në BE.

 

Si dhe duke e mbuluar keq-qeverisjen me një fasadë propagandistike

KAUZAT DHE OBJEKTIVAT

1. Forcimi i lirive politike, ekonomike, dhe të drejtave të qytetarëve, kthimi i vendit në normalitet demokratik ku vullneti i qytetarëve zgjedh qeverisjen dhe imponon llogaridhënien e saj, duke zbatuar referendumin si formë të demokracisë direkte dhe si garantor se vullneti i qytetarëve nuk mund të merret peng nga keq-qeverisja.

Demokracia vdes kur vullneti i popullit deformohet, vidhet dhe blihet me kërcënim, ku liritë, të drejtat, ligji dhe kushtetuta nuk respektohen, kur rregullat dhe normat e saj mbeten në dorë të qeverisë për t’u respektuar ose jo, kur institucionet garantuese të ligjit dhe të sistemit demokratik humbasin aftësinë e kontrollit dhe balancës. Në kushtet kur qeverisjet uzurpojnë pushtetin dhe shkatërrojnë sistemin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, qytetarëve u mbetet vetëm një mënyrë demokratike të shprehin sovranitetin e tyre: Referendumi. Partia e Lirisë do të mbështesë dhe sanksionojë institucionalizimin e referendumit si forca e demokracisë direkte, si garanci e sovranit popull nga çdo deformim i vullnetit të tij nga përfaqësuesit e zgjedhur. Partia e Lirisë beson se efektet e institucionalizimit të këtij instrumenti demokratik janë të shumëfishta, në drejtim të përmirësimit të qeverisjes, llogaridhënies së saj përpara qytetarëve, angazhimit cilësor civil dhe politik të qytetarëve në politikë-bërje dhe rritjes së besimit të humbur të qytetarit tek politika.

Partia e Lirisë do ta ketë prioritar miratimin e ligjit për referendumet, me qëllim që të bëjë të mundur zbatimin real të së drejtës kushtetuese për organizimin e referendumeve.

2. Transformimi i qeverisjes në shërbëtore e qytetarëve dhe jo të krimit dhe të oligarkëve, duke vënë individin dhe familjen e tij si përfitues kryesor të zhvillimit dhe rritjes ekonomike.

Sot, qeverisja ka degjeneruar në një instrument në shërbim të bizneseve të mëdha klienteliste, grupeve bizneso-mediatike dhe grupimeve kriminale pranë saj, të cilat janë bërë njësh me qeverisjen dhe janë përfituesit e mëdhenj të parave publike nëpërmjet PPP-ve, prokurimeve të drejtëpërdrejta apo formave të tjera që kanë shkatërruar konkurrencën dhe kanë mbyllur hapësirat e bizneseve të ndershme për të realizuar investime publike.

 

Ndërkohë, asnjë vëmendje nuk është treguar për përfitimin e qytetarit, punëtorit, mësuesit, pedagogut, inxhinierit, mjekut, profesionistit e biznesmenit të thjeshtë, nëpërmjet rritjes dhe indeksimit të pagave, apo mbrojtjes nga rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të produkteve të konsumit, të energjisë dhe shërbimeve.

Partia e Lirisë do ta shkëpusë qeverinë dhe qeverisjen nga kontrolli i grupeve bizneso-mediatike, për ta kthyer në shërbim të qytetarëve. Partia e Lirisë do të miratojë Ligjin për Indeksimin e Pagave që ajo ka paraqitur në Kuvend, dhe do të vendosë një lidhje të drejtëpërdrejtë të rritjes ekonomike me rritjen e të ardhurave për çdo individ dhe familje.

3. Transformimi i sistemit arsimor duke synuar formimin e qytetarëve që ruajnë dhe fuqizojnë demokracinë, ekonominë e tregut të lirë dhe të drejtat e liritë, që e duan atdheun e shqiptarinë dhe që janë krenarë për përkatësinë e tyre mes kombeve të tjera evropiane.

Demokracitë e konsoliduara, shoqëritë e zhvilluara dhe me prosperitet kanë qytetarë të arsimuar mirë, me kërkesa të larta ndaj cilësisë së qeverisjes, që si individë apo të organizuar në parti apo organizata të shoqërisë civile detyrojnë llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe të qeverive. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë, sot më shumë se kurrë, për cilësi më të lartë të arsimimit të tyre si profesionistë dhe si qytetarë, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë fenomenit mbi të cilin abuzon qeverisja e sotme e Rilindjes, seme shqiptarët mund të qeverisësh si të duash, se janë popull pa ndjenjën e protestës.

Në mënyrë të padiskutueshme, forcimi i rolit të qytetarit si aktor dhe faktor politik, shkon në të njëjtin kah me forcimin e identitetit dhe ndjenjës kombëtare. Roli i shkollës në një mision të tillë është i pazëvendësueshëm. Prandaj, investimi në sistemin arsimor në të gjithë zinxhirin e tij, duke filluar nga çerdhet e kopshtet, rritja e cilësisë së shkollës për të edukuar qytetarin evropian të Shqipërisë janë një kauzë e madhe e Partisë së Lirisë dhe investimi strategjik më i rëndësishëm i saj.

4. Çlirimi i ekonomisë nga korrupsioni, nga monopolet dhe interesat klienteliste për biznes dhe investime, duke garantuar rritjen e punësimit dhe të pagave si dhe paga dinjitoze për këdo që punon ndershmërisht.

Korrupsioni i tejskajshëm, orientimi preferencial i investimeve nga qeveria tek klientët e saj, kanë shkatërruar klimën e biznesit dhe kanë deformuar strukturën ekonomike të vendit, larg qëndrueshmërisë, bazuar tek lëndët e para të papërpunuara, shfrytëzimi i burimeve natyrore pa krijuar vlerë të lartë, tek puna me kosto të lirë dhe tek bujqesia, ku burimet e rritjes ekonomike janë me risk të lartë. Në 10 vite qeverisje të Rilindjes nuk u arrit të ndryshohej struktura e ekonomisë drejt një ekonomie prodhuese dhe shërbimesh cilësore, që krijojnë vlerë të lartë dhe me eksporte në rritje. Prandaj, tërheqja e investimeve është në nivelet më të ulta në rajon, dhe klima e biznesit në vendet më të ulëta të indeksit “Doing business”. Pasojat janë të ndjeshme në nivelin e pagave, ndër më të ulëtat në rajon.

Prandaj, krijimi i një ekonomie të tregut të lirë, të bazuar mbi konkurrencën e ndershme, me një strukturë ekonomike prodhuese e shërbimesh cilësore, që krijon vlerë dhe eksporton, krijimi i mjedisit më tërheqës për investime vendi dhe të huaja në rajon, me taksa të ulëta, me siguri ligjore për investitorët, me qëllim rritjen e vazhdueshme të punësimit dhe të pagave, përben një kauzë tjetër madhore të Partisë së Lirisë.

5. Mbështetje reale për shtresat në nevojë, duke rivleresuar të ardhurat jetike dhe duke i mbrojtur këto shtresa nga efektet e inflacionit, të rritjes së çmimeve, si dhe risku i menjanimit nga shërbimet jetike publike si arsimimi dhe shërbimi shëndetësor.

Fytyra humane e çdo shoqërie dhe qeverisjeje shihet tek mënyra si i trajton shtresat në nevojë, të cilat për arsye të qenësishme nuk mund të punojnë dhe të shpërblehen denjësisht nga puna e tyre. Aktualisht shpenzohet 9% e buxhetit për mbrojtjen sociale, një shifer tepër e ulët e krahasuar me mesataren prej 28 % të vendeve të BE.

Përcaktimi i pagës së jetesës do të jetë një objektiv i rëndësishëm i Partisë së Lirisë krahas rritjes të vazhdueshme të ndihmës sociale për përfituesit e saj.

6. Ndalimi i shpopullimit të vendit dhe krijimi i besimit tek çdo shqiptar, veçanërisht tek të rinjtë, se Shqipëria është vend i bekuar nga Zoti, ku ata janë zotër dhe kanë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre dhe familjeve të tyre në siguri, liri e prosperitet.

Shpopullimi që po i ndodh vendit është një fenomen që dëmton rëndë vitalitetin e shoqërisë sonë, aftësinë e saj për t’u rritur, zhvilluar e garantuar ekzistencën, për të qenë e suksesshme në një mjedis tepër konkurrues mes kombeve të tjera në rajon dhe në Evropë ku vendi ynë po integrohet, është një humbje e madhe për vitalitetin demografik të vendit, një humbje e madhe ekonomike për investimin që shoqëria ka bërë për arsimimin e tyre dhe për fuqinë punëtore të munguar, një dhimbje e madhe për familjet që i përjetojnë.

 

Largimi masiv i shqiptarëve detyrohet nga mungesa e shpresës se vendi mund t’i ofrojë atyre kushte më të mira për punësim me të ardhura dinjitoze, për sigurinë e jetës, sigurinë fizike, atë shëndetësore e juridike. Qeverisja aktuale e injoron këtë fenomen dhe konsideron si të natyrshem largimin e shqiptarëve.

 

Partia e Lirisë do të ketë si kauzë madhore ndaljen e shpopullimit të vendit dhe kthimin e shqiptarëve pranë familjeve të tyre, për të realizuar plotësimin dhe prosperitetin e tyre personal dhe për të gëzuar zhvillimin e prosperitetin e vendit me gjithë pasuritë e të mirat që i ka dhënë Zoti.