Konferenca për shtyp e Nënkryetarit të LSI-së, Ylli Manjani

Konferenca për shtyp e Nënkryetarit të LSI-së, Ylli Manjani

llimanjani26022013

90% e shqiptarëve sa herë pyeten në çdo test, sondazh apo çdo aktivitet tjetër i kësaj natyre që bëhet, deklarojnë që qartësisht se e duan Evropën dhe se e duan Shqipërinë pjesë të Evropës sa më parë që të jetë e mundur. Kur mendon që sot në Bashkimin Evropian ka vende anëtare, popullsia e së cilës është me mbështetje shumë të ulet, më këtë përqindje jo e jo, është për të ardhur keq që shqiptarët nuk e kanë këtë mundësi që të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian. Arsyeja që perceptohet gjerësisht se pse Shqipëria nuk është anëtare e BE-së është sepse politika shqiptare nuk po arrin të harmonizojë sa dhe si duhet axhendën e saj me këtë interes madhor të Shqipërisë.

Në mënyrë të përsëritur mesazhi që marrim nga Bashkimi Evropian është bashkëpunimi politik në funksion të përfaqësimit sa dhe si duhet të interesit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve për integrimin. Kjo është ajo që na është thënë edhe dje nga komisioneri Fule por edhe nga europarlamentari Kukan në lidhje me këtë çështje. LSI ka qenë dhe mbetet e vendosur në të gjitha qëndrimet e saj politike dhe publike se bashkëpunimi politik në shërbim të integrimit është i domosdoshëm. Ndarja, debati shterp apo deklaratat e stisura në emër të politikës së ditës janë ata që na ndajnë dhe aspak nuk ndihmojnë axhendën e integrimit.

Miratimi dje me konsensus absolut i marrëveshjes së TAP-it ishte dhe është padiskutim një mesazh shumë shpresëdhënës dhe shumë pozitiv që politika shqiptare i jep në radhë parë zhvillimit ekonomik të vendit, në radhë të dytë klimës së biznesit në vend në këto ditë të vështira për ekonominë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë globin. Është një mesazh që duhet ta japë edhe për çështje të tjera, është një mesazh që sigurisht duhet përshëndetur por kur mendon se në axhendën e parlamentit është në pritje për tu miratuar një amendim ligjor për Gjykatën e Lartë, një ligj i ri për shërbimin civil dhe një rregulloreje e Parlamentit që do të rregullonte sa më mirë interesat e përfaqësuesve politik të zgjedhur në këtë parlament dhe që ende nuk janë miratuar sigurisht kjo është për të ardhur keq. Është për të ardhur keq sepse shqiptarët nuk meritojnë mesazhe të tilla negative që e largojnë gjithnjë e më shumë interesin e tyre për integrim nga vetë Evropa.

LSI mendon se janë të gjitha kushtet jo më për tu marrë me çështjen e statusit por për të çelur negociatat për anëtarësim brenda këtij viti. Janë këto kushte. Këto kushte do të vijnë të bëhen më të kapshme dhe më të prekshme në qoftë se miratohen këto tre projekt-akte, në qoftë se ne për shkak të miratimit të këtyre projekt-akteve marrim një status të vendit kandidat që duhet ta kishim marrë dhe sigurisht që nuk duhet të harrojmë për asnjë çast përgatitjen e një klime pozitive për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend. Është momenti që të fokusohemi shumë edhe në këtë çështje me qëllim që të garantojmë që çdo shqiptar të votojë lirisht dhe të zgjedhë demokratikisht. Kjo është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë dhe me plotësimin e këtyre dy kushteve në axhendën e integrimit ne besojmë se brenda këtij viti bëhet e mundur edhe çelja e negociatave për anëtarësim.

>

Prandaj ne jemi sot për t’i bërë thirrje edhe një herë të gjitha partive parlamentare që të marrin të gjitha përgjegjësitë politike që dikton interesi madhor i 90% të shqiptarëve, dhe ky 90% i shqiptarëve kam parasysh që ka ndikim në nivelin e përfaqësimit në çdo parti politike parlamentar. Të marrim këtë përgjegjësi dhe të përshpejtojmë këtë axhendë integruese sa më parë të jetë e mundur.

Është parashikuar që më 23 qershor të ketë numërim elektronik të votave në Qarkun e Fierit dhe verifikim elektronik të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës. Si është ecur sipas jush në përgatitjen e këtij procesi dhe mendoni se do të jetë një proces funksional?

Është me vend të kujtojmë që LSI ka shprehur mbështetje dhe shqetësimin në kohën dhe vendin e duhur për të dyja proceset. Ne ishim të parët që shprehëm shqetësimin kur diskutohej përgatitja e kodit të ri zgjedhor në lidhje me këtë aspekt që thoni ju dhe sigurisht miratimi i këtyre ndryshimeve në kodin zgjedhor e lejon numërimin elektronik të votës në Qarkun e Fierit dhe qytetarët e Tiranës të verifikojnë kartën e identitetit në mënyrë elektronike. Ne i çmojmë si një risi të padiskutueshme, të cilat duhen mbështetur pa asnjë diskutim.

Sigurisht çmojmë edhe punën e institucioneve që kanë për detyrë të përgatisin këtë infrastrukturë zgjedhore, pavarësisht nga ndonjë vonesë e cila për fatin e keq ka ardhur nga partitë politike. Kam parasysh këtu debatet e gjata me natyrë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat nuk i kanë lënë shumë hapësirë këtij komisioni që të përshpejtonte këtë proces dhe kjo është për të ardhur keq. Sidoqoftë ka kohë, teknikisht është e mundur, pavarësisht ndaj ndonjë rezerve që mund të jetë shprehur më Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe veçanërisht për fletën e votimit elektronike për Qarkun e Fierit. Por shpresojmë që kjo të mos e bllokojë procesin por shpresojmë që ta avancojë atë.

Që çdo gjë që përgatitet në Komision të Zgjedhjeve të jetë e vlefshme duhet me patjetër të ndahet gjerësisht me opinionin publik. Pra votuesi shqiptar duhet të dijë si të votojë, ku të votojë, ku ta gjejë emrin në listë dhe si numërohet vota e tij apo e saj. Janë çështje të cilat që në këtë fazë të procesit ne do t’i nxisim nëpërmjet të gjitha formave legale dhe politike që të jenë sa më publike që të jetë e mundur, një farë edukimi masiv që zgjedhësi të ndihet i informuar dhe për pasojë i lirë që të zgjedhë alternativën që dëshiron.