Ilir Meta: Pranojmë ftesën e PS-së për koalicion parazgjedhor për një ekuilibër politik dhe ekuilibër në ndarjen e pushteteve

Ilir Meta: Pranojmë ftesën e PS-së për koalicion parazgjedhor për një ekuilibër politik dhe ekuilibër në ndarjen e pushteteve

ilirmeta03042013

Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka mbledhur sot në orën 17:00 mbledhja e Kryesisë së në vazhdën e funksionimit normal dhe në përputhje me statutin të të gjitha strukturave drejtuese të partisë për të bërë një vlerësim politik të të gjitha zhvillimeve politike në vend në përputhje me vlerësimin dhe gjykimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gjithashtu në këtë mbledhje u bë edhe një vlerësim i situatës reale të strukturave të LSI-së në të gjitha qarqet e vendit në vazhdën e angazhimit dhe të profilit politik të LSI-së për të përgatitur të gjitha strukturat për të përballuar me sukses sfidën elektorale të afërt. Në këtë mbledhje të Kryesisë, përveç anëtarëve të zgjedhur, morën pjesë edhe Sekretarët Politikë të qarqeve, të cilët bënë një vlerësim të detajuar të punës që bëhet në qarqet respektive. Mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim zgjati për rreth një orë.

Pas kësaj mbledhjeje Lideri i LSI-së, Ilir Meta, doli në një konferencë për shtyp ku iu përgjigj interesimit të madh të medieve. Z. Meta u shpreh se Kryesia e LSI-së vendosi që ta konsiderojë të përfunduar marrëveshjen me Partinë Demokratike dhe të pranojë ftesën për koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste.

Konferenca e plotë për shtyp kryetarit të LSI-së, Ilir Meta

Mirëmbrëma! Në emër të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim dua të vlerësoj sot bashkëpunimin me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Kryeministrin Berisha, për bashkëpunimin gjatë katër viteve në koalicionin qeverisës, i cili garantoi jo vetëm stabilitet por edhe disa reforma të rëndësishme në funksion të zhvillimit dhe të integrimit evropian të vendit.

Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim vlerësoi se kjo forcë politike ka përmbushur me përgjegjësi maksimale dhe korrektesë politike të gjitha pikat e marrëveshjes së saj politike të nënshkruar katër vite më parë me Partinë Demokratike dhe sot e konsideron këtë marrëveshje të përfunduar.

Lëvizja Socialiste për Integrim, duke vlerësuar domosdoshmërinë e një ekuilibri të ri politik si dhe të një ekuilibri të ri pushtetesh, që do të forconin stabilitetin e qëndrueshëm dhe afatgjatë në jetën ekonomike, politike dhe sociale të vendit, si dhe njëkohësisht do të përmbushnin më mirë edhe nevojën e domosdoshme të një ritmi të ri dhe më intensiv të reformave dhe të procesit të integrimit evropian, ka vendosur të pranojë ftesën e Kryesisë së Partisë Socialiste për koalicion parazgjedhor me të. Pranimi i kësaj ftesë do të thotë angazhim për realizimin e një dimensioni thelbësor të një bashkëpunimi politik dhe parimor midis LSI-së dhe PS-së për një fitore të së majtës më 23 qershor, si e vetmja rrugë politike që mund të sjellë atë ekuilibër politik dhe atë ekuilibër të ri në ndarjen e pushteteve, për të cilin ka aq shumë nevojë jo vetëm forcimi i mëtejshëm i stabilitetit të vendit por edhe rritja e një baze më të gjerë të konsensusit për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, i cili prej kohësh është në stanjacion.

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim miratimi i tre ligjeve që do të ndihmonte marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë brenda këtij viti është prioriteti më kryesor edhe për ditët, edhe për javët në vazhdim dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet që kjo gjë të realizohet brenda mandatit të këtij Parlamenti sepse përndryshe statusi i Vendit Kandidat, jo vetëm që nuk do të mund të arrihej brenda këtij viti por do të shtyhej për në kalendat greke.

Njëkohësisht nga ky moment ne jo vetëm do të tërhiqemi nga të gjitha funksionet qeverisëse politike por njëkohësisht duke u deklaruar si një forcë politike në opozitë do të punojmë për realizimin dhe konkretizimin e një marrëveshjeje parimore me Partinë Socialiste, jo vetëm në funksion të fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit por mbi të gjitha të forcimit të stabilitetit të vendit dhe të garantimit të një dinamike të re të procesit të integrimit evropian.

Kjo do të thotë që ju ia keni vendosur kusht paraprakisht PS-së për tre ligjet? Dhe së dyti me largimin e ministrave të LSI-së, pritet që të ketë një zëvendësim të tyre. A do ta mbështesë LSI-ja emrat e rinj, pavarësisht se tashmë është kthyer në opozitë?

Lëvizja Socialiste për Integrim ka prioritet të parë integrimin evropian të vendit dhe ka prioritet të parë miratimin e tre ligjeve. Këto nuk janë kusht i yni për Partinë Socialiste apo për cilindo tjetër. Kjo është një kërkesë e domosdoshme dhe një imperativë që ka të bëjë me të ardhmen evropiane të vendit që nuk duhet të vonohet më tej. Natyrisht që kërkon një proces politik dhe ne do të angazhohemi për të realizuar këtë proces politik sa më parë.

Lidhur me tërheqjen e ministrave, kuptohet që me përfundimin e marrëveshjes, për shkak të afatit të saj katër vjeçar, me imponimin e kodit, i cili brenda dy javësh ka afatin e fundit të regjistrimit të koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhjet e 23 qershorit duke imponuar pozicionin e çdo force politike për këtë garë të re elektorale, natyrisht që çdo vazhdim i tyre do të ishte i pakuptimtë dhe tërheqja e tyre nuk është në funksion të cenimit të stabilitetit të qeverisë, apo të qeverisjes. Përkundrazi, është në funksion të përfundimit të një marrëveshjeje.

A do të ketë një takim me z. Rama për tre ligjet, qoftë edhe për çështje të tjera të kodit pasi thatë që ka edhe dy javë?

Natyrisht që unë kam besim të plotë se kjo është një çështje që mund të gjejë zgjidhje, duke pasur në konsideratë edhe pretendimet e ngritura nga lidershipi i Partisë Socialiste në të kaluarën dhe kjo do të jetë një nga çështjet e para që ne do të diskutojmë në ditët në vijim. Besoj se të gjithë socialistët njëkohësisht janë të interesuar për të shtuar kontributet e tyre për një progres më të shpejtë të vendit në drejtim të integrimit evropian.

A do ti qëndroni marrëveshjes me Partinë Demokratike për qeverisjen vendore në bashkitë dhe këshillat bashkiakë? Me vendimin tuaj, ju prishët balancën e KQZ-së. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë?

Ne asnjëherë nuk e kemi konsideruar KQZ-në si politike dhe angazhimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë që KQZ-ja të funksionojë në bazë të ligjit dhe në bazë të kodit, mundësisht të gjitha vendimet të merren me konsensus, 7 me 0. Për këtë do punojmë.

Po përsa i përket qeverisjes së Tiranës. A do të kemi tashmë një maxhorancë të majtë në Këshillin Bashkiak? Pra, a do të ndërpritet bashkëpunimi me Partinë Demokratike?

Ne nuk synojmë të politizojmë qeverisjen vendore, e cila është e ndryshme në qytete të ndryshme dhe në rajone të ndryshme. Kjo do të jetë një kompetencë e të zgjedhurve vendorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne nuk synojmë politizimin e institucioneve dhe as ashpërsimin e luftës politike dhe as bllokimin e vendimeve që janë në interes të qytetarëve në çdo nivel të qeverisjes. Për ne, qytetarët do të jenë të parët.

Ju thatë se nuk doni të cenoni stabilitetin, por nuk thatë nëse do të votoni emrat e rinj që do të sjellë kryeministri Berisha. Dhe së dyti, a nuk jeni në antagonizëm të plotë me Partinë Socialiste, kur kjo parti mendon se Berisha nuk ka mirëqeverisur, por ju mendoni të kundërtën?

Fakti që ne pranojmë ftesën e Kryesisë së Partisë Socialiste nuk do të thotë se ne ndajmë të njëjtat vendime dhe vlerësime për të kaluarën, për të sotmen, me lidershipin e Partisë Socialiste dhe as e synojmë të rishkruajmë historinë e së kaluarës, përkundrazi. Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë e majtë, është një forcë që i takon familjes socialiste evropiane. Në vitin 2005, jo vetëm që nuk ka pasur një ftesë nga Partia Socialiste për bashkëpunim apo koalicion por, përkundrazi ka pasur një klimë eksterminuese ndaj kësaj force politike. Po kjo gjë ka ndodhur edhe në vitin 2009, pavarësisht se ka qenë LSI-ja ajo që ka kërkuar bashkëpunim. Aktualisht kemi një ftesë zyrtare dhe për të gjitha arsyet që unë përmenda në deklaratën time ne investohemi me qëllime shumë të mira dhe në interes në radhë të parë të vendit, të publikut, të vetë integrimit evropian, që të punojmë së bashku në emër të së ardhmes.

Po sa i përket emrave të rinj të kabinetit qeveritar?

Kjo nuk është një çështje e jona. Ne jemi për ndryshimin e qeverisë dhe qeverisjes përmes votës së qytetarëve shqiptarë. Ky është ndryshimi legjitim, i qëndrueshëm dhe ne do të jemi në funksion të këtij ndryshimi.

Ju po artikuloni që do të tërhiqeni nga qeveria, atëherë në nivel drejtorish do të tërhiqet LSI-ja?

Ne tërhiqemi në çdo nivel politik.

Nëse Partia Socialiste kërkon një votëbesim në Parlament ndaj qeverisë, ju do t’i përgjigjeni pozitivisht apo negativisht ?

U përgjigja edhe më parë që për ne ndryshimi i qeverisë dhe i qeverisjes duhet të ndodhë përmes votës mbarëpopullore dhe kjo do të ndodhë më 23 qershor.

Z. Meta, a prisni që të ketë një ndjesë publike nga kryetari i Partisë Socialiste për atë çfarë ndodhi në 21 janar ?

Ne dhe të gjithë shqiptarët presim që të hedhim një hap më përpara drejt procesit të integrimit evropian. Me të kaluarën u takon të merren të gjithëve, analistëve, historianëve, pse jo dhe arkeologëve. Unë jam politikan, punoj për zgjidhje politike. Vlerësoj se koalicioni i deritanishëm i ka përmbushur disa nga objektivat e tij kryesore dhe vlerësoj se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri, i cili do të shtojë bazën e bashkëpunimit midis të gjitha palëve në funksion të rritjes së konsensusit për reformat që ka vendi në të gjitha fushat, dhe sidomos për ato të integrimit evropian.

Z. Meta, aleatët e Partisë Socialiste janë shprehur kundër koalicionit me PS-në, veçanërisht kreu i PSD, Skënder Gjinushi. Keni një koment lidhur me këtë reagim?

Ne në këtë koalicion nuk vijmë me fjalë. Ne në këtë koalicion vijmë sot me 120 mijë vota të sigurta, të cilat shumë më tepër deri në 23 qershor.

A ka rënë morali politik pas bashkëpunimit me Partinë Socialiste, ku dukshëm ju keni shkëmbyer akuza shumë ashpra?

Morali më i rëndësishëm në politik është ai i të ardhmes, me të shkuarën ftoj historianët, arkeologet dhe të gjithë ata që mund ta bëjnë më mirë se ne politikanët këtë punë që të merren. Ne duhet të japim zgjidhje politike dhe ne jemi në funksion të një zgjidhjeje të re politike aspak përjashtuese por zgjidhje politike që do të vendos një ekuilibër të ri politik dhe një ekuilibër të ri në ndarjen e pushteteve në vend.

Zoti Meta. A mendoni se me pranimin e kësaj ftese ju keni përmbushur synimin tuaj për të mos qenë patericë e asnjë force politike. Dhe pyetja e dytë është: zoti Rama ditën e djeshme kur ju drejtoi dje ftesën e përligji atë me faktin që e majta duhet të jetë e bashkuar që mos të vjedhë më Kryeministri Berisha zgjedhjet, a kishit frik ju se do të vidheshin zgjedhjet dhe a do ti mbroni ato?

Ne në fakt nuk punojmë vetëm për bashkimin e të majtës sikurse e kemi treguar edhe në të kaluarën dhe mendoj se edhe kjo eksperiencë e re 4 vjecare që solli bashkëpunimi PD-LSI ishte një risi natyrisht në kushte të vështira të një konflikti të pajustifikuar politik dhe ju të gjithë jeni dëshmitar që LSI ka bërë vazhdimisht përpjekje për të zgjeruar frymën e bashkëpunimit dhe të konsensusit. Por në fakt ne punojmë për më shumë sesa bashkimi i të majtës, ne punojmë për bashkimin të gjithë shqiptarëve dhe jam i bindur se kjo gjë do të ndodh më 24 qershor sepse edhe opozita e nesërme do të ketë përfaqësimin e saj në institucionet më të larta të shtetit duke filluar nga Presidenti i Republikës.

Zoti Meta a prisni që të ndryshoj mendim për taksën progresive Edi Rama, keni thënë që do të shkaktoj kolaps ekonomik në qoftëse do të zbatohet?

Ne jemi të bindur se ky proces që nis sot do të garantoj një program ekonomik dhe social i cili do të forcoj më tej stabilitetin jo vetëm politik por edhe ekonomik dhe shoqëror të vendit dhe naty
risht do të zhvillohet partneritet të ngushtë edhe me komunitetin e biznesit, investitorëve vendas dhe të huaj.

Z. Meta pas katër vitesh qeverisjeje me Kryeministrin Berisha, si mund ta cilësoni atë me vetëm një fjalë?

Unë e falënderova dhe e vlerësova edhe në krye të fjalës sime. Unë e falënderova edhe para dy ditësh dhe natyrisht që nuk ka qenë një sinqeritet i një prillit përkundrazi por qëlloi që ishte një prilli. E falënderoj përsëri. Ka qenë një bashkëpunim i qëndrueshëm në rrethana jo të lehta, ka qenë një eksperiencë që do t’i vlejë politikës shqiptare edhe në të ardhmen.