Ilir Meta priti Zv. Presidentin e Parlamentit Evropian, z. Gianni Pittella

Ilir Meta priti Zv. Presidentin e Parlamentit Evropian, z. Gianni Pittella

ilirmeta04032013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot në selinë e partisë, Zv. Presidentin e Parlamentit Evropian, z. Gianni Pittella.

Z. Meta dhe z. Pittella diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian dhe mbi situatën para zgjedhore.

Z. Meta e falënderoi  z. Pittella për inkurajimin e vazhdueshëm të forcave social-demokrate evropiane në interes të krijimit të një momenti të ri bashkëpunimi mes partive të majta në Shqipëri, duke theksuar njëkohësisht se LSI ka qenë dhe mbetet gjithnjë e angazhuar për përshpejtimin e axhendës evropiane të Shqipërisë. Në këtë kuadër, z. Meta vlerësoi kontributin pozitiv të Parlamentit Evropian në mbështetje të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.
Z. Meta dhe z. Pittella ndanë bindjen se Shqipëria ka nevojë për një ekuilibër të ri politik dhe për një moment të ri bashkëpunimi kombëtar.

Në përfundim të takimit, z. Meta dhe z. Pittella dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Z. Ilir Meta: Është një kënaqësi që të jem së bashku me Zëvendës Presidentin e Parë të Parlamentit Evropian, si përfaqësues i Grupit Socialist në Parlamentin Evropian, zotin Gianni Pitella, me të cilin kemi zhvilluar një takim shumë miqësor i cili kishte të bënte me situatën më të re politike, me këtë moment të ri të bashkëpunimit midis Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste, e cila ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e socialistëve evropianë. Ata kanë qenë dhe mbeten shumë të interesuar, jo vetëm për bashkëpunimin midis forcave të majta në Shqipëri, por për forcimin e mëtejshëm dhe përshpejtimin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Unë me këtë rast dua ta siguroj edhe një herë zotin Pitella dhe të gjithë socialistët evropianë, se Lëvizja Socialiste për Integrim do ta shfrytëzojë këtë moment të ri bashkëpunimi me qëllim pikërisht edhe për shpejtimin e integrimit evropian të vendit pasi ky është interesi kryesor, jo vetëm i të majtëve por i të gjithë shqiptarëve. Kjo ndihmon njëkohësisht edhe rritjen e rolit e Shqipërisë si në faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi me të gjithë Ballkanin Perëndimor. Duke e falënderuar edhe një herë për përpjekjet e tija personale e të vazhdueshme e ftoj z. Pitella që të komunikojë me ju.

Z. Gianni Pitella: Vendosa që të vij personalisht, të falënderoja mikun tim, Ilir Meta, siç e falënderova edhe mikun tim tjetër, Edi Rama, që e mirëpritëm ftesën që unë personalisht dhe bashkë me liderët e tjerë të Partisë Socialiste Evropiane, të Grupit Social-Demokrat në Parlamentin Evropian, bëmë për të lënë mënjanë ndasitë e së shkuarës dhe për të punuar bashkë për të ardhmen. Ne e kemi vlerësuar jashtëzakonisht vendimin e marrë nga partitë e majta në Shqipëri për të bashkuar forcat për t’i garantuar Shqipërisë një të ardhme më të mirë.

Problemet që ka ky komb, me të cilin ne jemi shumë të afeksionuar, janë të shumta. Unë e di shumë mirë që këtu ka probleme të mëdha për sa i përket punësimit por edhe një borxh i lartë publik. Kjo na shtyn të themi që zgjidhja më e mirë e këtyre problemeve është një bashkim i tërë i kombit. Brenda këtij bashkimi të madh të kombit, një unitet i fortë i familjes socialiste. Ky është kushti që Shqipëria të ketë një qeveri të re, një qeveri ndryshimi, një qeveri e përqendruar fort me perspektivën evropiane. Ne duhet të realizojmë ëndrrën që është në zemrën e mazhorancës absolute të qytetarëve shqiptarë, ai që të bashkojmë Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Unë jam i bindur që aleanca e familjes socialiste shqiptare do të mund ta ndihmojë shumë Shqipërinë që të arrijë këtë objektiv. Si konkluzion dua t’i them gjithashtu mikun tim, Ilir Meta, që mund të jetë i sigurt në mbështetjen tonë ashtu siç ka mundur ta ketë edhe në të shkuarën, si ai dhe z. Rama sepse bashkë socialistët shqiptarë dhe socialistët evropianë do të mund të punojnë më në fund pa ndasitë e së shkuarës. Në keni ndonjë pyetje unë jam në dispozicion.

Z. Meta dhe z. Pitella, ju theksuat që është një domosdoshmëri çështja e integrimit evropian. A keni marrë ju një garanci nga kryetari i Partisë Socialiste për votimin e tri ligjeve në Kuvend?

Z. Gianni Pitella: Partia Socialiste dhe Edi Rama janë angazhuar gjithnjë për të mbështetur kauzën e integrimit evropian dhe sigurisht Partia Socialiste e Ramës nuk do të jetë një pengesë sepse gjithçka që duhet bërë do të bëhet që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Evropian. Ne duhet të arrijmë objektivin e madh që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Zoti Meta, a do ta votoj LSI-ja kabinetin e ri qeverisës?

Ilir Meta: Lëvizja Socialiste për Integrim e ka filluar ditën e sotme si një forcë në opozitë, por gjithnjë me angazhimin kryesor për ti kontribuar stabilitetit të vendit dhe në mënyrë të veçantë, të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian. Dua të shpreh bindjen time se ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që procesi i integrimit evropian të marr një nxitje të re dhe një impuls të ri brenda këtij mandati të Parlamentit dhe besoj se ekzistojnë të gjitha mundësit për të ecur përpara më shpejt në këtë drejtim. Me këtë rast dua të falënderoj edhe njëherë zotin Gianni Pitella për mbështetjen e tij për këtë bashkëpunim të ri por njëkohësisht edhe për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe që jep grupi Socialist në Parlamentin Evropian integrimit evropian të vendit tonë.