Meta: Propozimi ynë tepër konstruktiv, Berisha të ngrihet mbi interesin e 23 qershorit

Meta: Propozimi ynë tepër konstruktiv, Berisha të ngrihet mbi interesin e 23 qershorit

ilirmeta108022013

Është për të ardhur keq që pikërisht kur pritej një reflektim dhe një angazhim serioz e i përgjegjshëm i Kryeministrit aktual, z. Berisha, për të pranuar kompromisin lidhur me votimin e tre ligjeve që do të ndihmonin përshpejtimin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, ne pamë parodinë e radhës, edhe këtë herë, duke ndjekur se si Kryeministri Berisha nga një kërkues në të kaluarën, së bashku me mua, ndaj të gjithë aktorëve të tjerë për të miratuar tre ligjet po kthehet në një bojkotues të votimit të tre ligjeve nga Kuvendi.

Nuk është aspak serioze të mos miratohet kompromisi që ne propozuam, i cili është shumë i arsyeshëm dhe që ndihmon jo vetëm votimin e tre ligjeve brenda këtyre ditëve por njëkohësisht edhe hyrjen e tyre në fuqi me fillimin e Parlamentit të ri. Çdo përpjekje për të mos kuptuar thelbin konstruktiv të propozimit tonë është vetëm një përpjekje për tu arratisur nga përgjegjësitë që duhen marrë në këtë moment të rëndësishëm për të treguar një pjekuri dhe përgjegjshmëri atdhetare dhe duke u ngritur mbi interesat dhe kalkulimet e ngushta elektorale që nxit ankthi i 23 qershorit.

Ndaj e ftoj përsëri kryetarin e Partisë Demokratike, z. Berisha, që të jetë më i qartë për këtë çështje. Nëse vazhdon me idetë e tij për të provokuar mosmiratimin e këtyre tre ligjeve, është një përgjegjësi e tij çdo ditë që vonohet miratimi i këtyre tre ligjeve. Në rast se vazhdon me idenë e mbajtjes së referendumit pas zgjedhjeve, ai vetëm dhe thjesht kërkon të përgatisë bojkotimin e votimit të tre ligjeve nga opozita e nesërme të cilës ai do t’i përkasë.

Kryeministri Berisha gjatë seancës plenare hodhi akuzat lidhur me një listë të zezë të përgatitur bashkë me kreun e opozitës për deputetët që nuk duhet të jenë në këtë listë. A ekziston një listë e tillë? Ndërkohë sot është afati përfundimtar i dorëzimit të listave, a i ka gati LSI-ja 140 kandidatët e saj dhe kur do të bëhen këto publikë?

Pas dështimit të tij për të infiltruar në listat e opozitës kandidatë të tij të besuar, natyrisht që nuk i ka ngelur gjë tjetër veçse të merret me diversion brenda radhëve të opozitës, gjë që nuk ka për të funksionuar, përkundrazi. Përgjigja më e mirë do të jetë më 23 qershor. Por, mos u habisni kur të shikoni vetë listat e Partisë Demokratik sepse gjithë kjo përpjekje që bëhet për ta përqendruar vëmendjen tek listat e partive të opozitës është fakt për të fshehur vëmendjen nga ajo që pritet të ndodhë në mesnatë me listat e Partisë Demokratike, ku do të jetë krasitje të mëdha sipas edhe informacioneve që ju keni.

Flitet sikur mund të ketë një kusht, sipas të cilit, nëse opozita plotëson vendet vakante në KQZ, atëherë do të miratohen edhe tre ligjet. Si i përgjigjet LSI-ja kësaj gjëje?

Është hera e parë që dëgjoj këtë ide. Janë dy çështje krejt të ndryshme. Kompromisi ynë për tre ligjet është tepër i arsyeshëm, është tepër konstruktiv. Përpara dy ditësh nga Lezha, Kryeministri Berisha pavarësisht se nuk ishte shumë i kënaqur për këtë iniciativën tonë, u shpreh se ai sidoqoftë do t’i votonte dhe do ta pranonte këtë kompromis. Sot u duk qartë se nuk ka asnjë interes për të kontribuar dhe për të ndihmuar votimin e tyre përpara mbylljes së këtij sesioni parlamentar. Megjithatë, askush nuk na pengon, sepse ashtu sikurse ndërroi mendje për dy ditë negativisht, pra nga pozitiv në bllokues sot, për dy ditët e ardhshme të ndryshojë përsëri mendje për të t’u bërë pozitiv dhe njëkohësisht për të kontribuuar dhe për të arritur një detyrim që në radhë të parë është ndaj qytetarëve tanë, por njëkohësisht ndaj parterëve tanë të BE-së.

A keni garanci ju për votimin e tre ligjeve nga ana e deputetëve të PS-së e të LSI-së dhe ku ishte paqartësia e Kryeministrit Berisha kur sot në sallë mungonin deputetët e PS dhe LSI-së? E dyta, kur do të bëhen publike listat e kandidatëve për deputetë të LSI-së?

Sepse qëndrimi bllokues i PD-së ka qenë shumë i qartë gjatë ditës së sotme, kur ata nuk pranojnë të votojnë tre ligjet në mënyrë që këto ligje të hyjnë në fuqi në muajin shtator me parlamentin e ri. Pra nuk pranojnë të bëhet asnjë ndryshim, ndërkohë që ndryshimi i propozuar prej nesh ka një arsye të rëndësishme. Sidomos përsa i takon ligjit për Gjykatën e Lartë, ku do të ketë ndryshime që do të konsistojnë në shtimin e anëtarëve të rinj të kësaj gjykate për të krijuar kolegjin administrativ, që do të vërë në zbatim ligjin për Gjykatën Administrative. Sikurse e keni parë dhe ju javët e fundit janë bërë me nxitim emërime të karakterit të ngushtë partiak në disa nga gjykatat më të rëndësishme të vendit. Pas 23 qershorit do të kemi balanca të reja. Presidenti, i cili do të vijojë mandatin e tij, sepse ne jemi kundër ndërprerjes antiligjore dhe antikushtetuese të mandateve, do të bashkëpunojë me mazhorancën e re në parlament për të sjell produkte konsensuale në përputhje me pavarësinë që duhet të ketë Gjykata e Lartë apo institucione të tjera.

Sa për listat, besoj se në kohën e duhur do të jetë çdo gjë publike.