Meta: T’i japim fund një herë e mirë politikës që është shkëputur nga realiteti. Meta : LSI një paket konkrete për legalizimin e banesave

Meta: T’i japim fund një herë e mirë politikës që është shkëputur nga realiteti. Meta : LSI një paket konkrete për legalizimin e banesave

ilirmeta13052013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka marrë pjesë në një takim mjaft entuziast me qindra banorë të Kamzës, ku ka prezantuar kandidatin për deputet në këtë qytet, nënkryetarin e LSI-së Ylli Manjani. Në fjalën e tij z. Meta u shpreh i bindur në arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë të LSI-së në komunitetin e shkëlqyer të Kamzës më 23 qershor. “Çështjet e kësaj marrëveshjeje që i parashtroi qartë edhe Nënkryetari i LSI-së, z. Ylli Manjani do të respektohen pikë për pikë. Por unë dua t’iu siguroj në mënyrë të veçantë se me votën tuaj më 23 qershor ju, jo vetëm që do të ndëshkoni lojën politike të bërë me legalizimet nga lidershipi aktual i qeverisë për gati tetë vjet, por njëkohësisht do të shpëtoni një herë e përgjithmonë nga sorollatjet absurde nga burokracitë e panumërta.

Dhe duke votuar LSI-në ju sigurojmë se secili prej jush do të marrë certifikatën e pronësisë që meriton në mënyrë që të respektohet ligji dhe mbi të gjitha që të respektohet sakrifica që ju, që prindërit tuaj, që fëmijët tuaj kanë bërë për këto investime gjatë këtyre dy dekadave. LSI është një forcë në rritje, është një forcë e cila vendos për fatet e vendit, është një forcë që i shërben gjithmonë stabilitetit, është një forcë që i shërben gjithmonë integrimit. Është një forcë e cila bazën kryesore e ka tek rinia dhe unë dua të përshëndes të gjithë LRI-në e Kamzës për punën e shkëlqyer që kanë bërë gjatë kësaj kohe, por mbi të gjitha LSI është forcë e së ardhmes”, tha z. Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ftoj të gjithë të pranishmit “t’i japim fund një herë e mirë politikës që është shkëputur nga realiteti, ekonomisë së lulëzuar virtuale të Berishës dhe t’i kthejmë sytë nga problemet tuaja, nga problemet e qytetarëve shqiptarë dhe t’i ndihmojmë ata që t’i përballojnë vështirësitë të cilat janë rritur dita-ditës”.

“ E gjithë Shqipëria ka nevojë të ecë me shpejt, por Kamza ka nevojë të ecë më shpejt si askush tjetër dhe unë besoj se këtë do ta arrijmë të gjithë së bashku duke votuar LSI-në më 23 qershor”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Sipas z. Meta LSI-ja është garancia më e mirë për ju dhe për të gjithë ata që duan stabilitet dhe ndryshim njëkohësisht. “LSI-ja është garancia më e mirë për të gjithë ata që duan që më 24 qershor të gjithë të ndihen të lehtësuar dhe të bashkuar rreth një projekti që e bashkon Shqipërinë me Evropën dhe rreth një projekti që në radhë të parë hap vende të reja pune këtu në Kamëz, ku kemi një popullsi mjaft të shtuar dhe mbi të gjitha një popullsi mjaft aktive dhe të re. Të gjitha këta kërkojnë një perspektivë të re, kërkojnë vende të reja pune dhe punë të paguar më mirë se sa deri më tani”, u shpreh Lideri i LSI-së. Kryetari i LSI-së në fund të takimit ka shpërndarë karta anëtarësie për 250 të afruar rishtazi në LSI.

 

Kandidati për deputet, Ylli Manjani: Gjashtë pikat e marrëveshjes sonë me shqiptarët

Në fjalën e tij në takimin e zhvilluar në qytetin e Kamzës, kandidati për deputet i LSI-së në këtë qytet, Ylli Manjani, prezantoi para qindra të pranishmëve marrëveshjen siç e quajti ai që LSI ka nënshkruar dhe pret që kjo marrëveshje të nënshkruhet nga shqiptarët. “Ne sot propozojmë të lidhim në marrëveshje politike për evropianizimin Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë. Kjo marrëveshje fillon me disa angazhime të cila ne i marrim përsipër:

1. Të gjitha shtëpitë të cilat janë ndërtuar me mundin dhe me djersën e familjeve të Kamzës nuk do të mjaftohemi më me leje legalizimi politike por me certifikatë pronësie. Prona është fillimi i gjithçkaje dhe ne nuk mund të tallemi pafundësisht siç është tallur ky shtet me mundin dhe djersën tuaj. Me certifikatën e pronësisë do ta fillojmë këtë punë. ALUIZNI nuk mund të vazhdojë të jetë paralelisht me qeverinë. ALUIZNI për të legalizuar shkeljen e ligjit. ALUIZNI do të jetë një qendër që do të shërbejë për urbanizim.

2. Kamza ka nevojë për ujë, ka nevojë për ujësjellësa, ka nevojë për nevojë për kanalizimi. Nuk mundet që Laknasi dhe Frutikultura do të jenë vendi i akumulimit të ujërave të zeza të gjithë bashkisë. Do të organizohen dhe urbanizohen ashtu siç meriton çdo qytetar i Evropës.

3. Do të paguhet çdo qindarkë që ky shtet i ka firmave për punën e papaguar sepse me punëtorët e Kamzës është ndërtuar Tirana dhe gjithë Shqipëria dhe është turp që nuk paguhet puna. Prandaj ky shtet do të paguajë çdo faturë dhe të jepet shpresa që puna do të kthehet tek punëtori, që ai që jeton me punë dhe djersë do të ketë një shpresë.

4. Ne kemi një program prej pesë pikash se si do të rritet punësimi dhe ai program është shkruar duke pasur parasysh Kamzën si prioritet. Pesë pika që nxisin punësimin sepse këtu janë njerëzit e punës dhe politika nuk mund të kthejë shpinën pafundësisht dhe të lërë njerëzit e punës pa punë.

5. Ne jemi parti e rinisë por nuk mund të lëmë pas dore pensionistët dhe as nuk mund të krenohemi që u rrit pensioni 10% dhe TVSH-ja 20%. Që këtu është -10%. Ne do të rrisim pensionet pa rritur çmimet. Ky është thelbi i rritjes së pensioneve dhe ky është thelbi i angazhimit tonë politike edhe për këtë shtresë.

6. Dhe pika jonë e fundit në këtë marrëveshje të cilën ne emër të LSI-së e ka nënshkruar Ilir Meta dhe po presim që të nënshkruhet më 23 qershor edhe nga vetë ju. Angazhimi ynë i fundit por jo më pak i rëndësishëm është kthimi i shtetit sepse shqiptarët kanë nevojë për shtet.
Këto janë angazhime, nuk janë premtime. Ne nuk kemi ardhur për të bërë premtime, kemi ardhur të lidhim marrëveshje të cilën ne e kemi nënshkruar.