Meta prezanton kandidatet ne Qarkun e Shkodres. Meta – Prioriteti i Kryetarit të PD-së mesa duket, për fat të keq, nuk paska qenë miratimi i tre ligjeve por mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë

Meta prezanton kandidatet ne Qarkun e Shkodres. Meta – Prioriteti i Kryetarit të PD-së mesa duket, për fat të keq, nuk paska qenë miratimi i tre ligjeve por mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë

ilirmeta10052013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një takim madhështor në qytetin e Shkodrës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 11 kandidatëve për deputetë në Qarkun e Shkodrës.

I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Shkodra ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë një qytet i madh në historinë e Shqipërisë por do të jetë një qytet akoma më i madh për të ardhmen e shpejtë të Shqipërisë.

“Ndaj edhe ne e firmosëm pikërisht këtu në Shkodër “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, e cila zotohet se brenda dy mandateve të anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, tha z. Meta. Kryetari i LSI-së u shpreh i bindur në mbështetjen e madhe që qytetaria shkodrane do t’i japë LSI-së më 23 qershor pasi sipas tij LSI ka rrezatuar, që në gjenezën e saj, qytetari, shpirt konstruktiv, energji pozitive.

“Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë jashtëzakonisht e emancipuar, një forcë e cila modernizon vetveten dhe ndihmon politikën shqiptare të emancipohet më tej dhe të lërë pas tabu, të cilat duhet t’i takojnë të kaluarës”, tha ndër të tjera në fjalën e tij në prezantimin e kandidatëve në Shkodër, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.

Fjala e plotë Kryetarit të LSI-së

Të dashur motra dhe vëllezër të Shkodrës, unë nuk mund të rri vetëm këtu në këtë podium ndaj ftoj ekipin tonë fitues, ata që do t’ju përfaqësojnë juve dhe të gjithë qytetin dhe popullin e Shkodrës me votën tuaj më 23 qershor. Ftoj Agron Çelën, përfaqësuesin e qytetit dhe të komunitetit të Shkodrës, njeriun që ka bërë kaq shumë për këtë komunitet dhe për Vllazninë. Ftoj Nora Malajn, një nga figurat kryesore të LSI-së, pedagoge dhe njëkohësisht një njeri me vlera të jashtëzakonshme. Ftoj kandidatin tonë për Malësinë e Madhe, Ridvan Hebën. Ftoj kandidaten e Pukës, mjeken e shkëlqyer, Sajmira Laçi. Ftoj një emër të madh për qytetin tuaj, Artan Bushatin. Ftoj Edi Smajlaj, Senad Hallunaj, Lumturi Hoxha, Arjana Vishnja, Merita Smajaj dhe Aleksandër Shytani. Unë jam krenar ashtu sikurse edhe ju për këta përfaqësues të shkëlqyer që ne i kemi këtu, të cilët ju përfaqësojnë juve dhe të gjithë komunitetin e shkëlqyer të Shkodrës.

Shkodra ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë një qytet i madh në historinë e Shqipërisë por do të jetë një qytet akoma më i madh për të ardhmen e shpejtë të Shqipërisë. Ndaj edhe ne e firmosëm pikërisht këtu në Shkodër “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, e cila zotohet se brenda dy mandateve të anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian.

Shkodra gjithmonë i ka hapur rrugë ndryshimeve të mëdha në emër të së ardhmes evropiane dhe përkatësisë evropiane. Shkodra është djepi i patjetërsueshëm i kulturës sonë kombëtare dhe i vlerave tona më të mira kombëtare. Është Shkodra e Barletit, e Gjon Buzukut, e Ndre Mjedës, e Fishtës, e Filip Shirokës, e Kol Idromenos, e Marubit, e Migjenit dhe e shumë e shumë personaliteteve të tjera që kanë mbetur përgjithmonë në panteonin e kulturës sonë. Është një qytet me shpirt të padiskutueshëm evropian. Prandaj edhe ne gjejmë kaq shumë përkrahje dhe kaq shumë mbështetje sot nga populli i Shkodrës, nga qyteti i Shkodrës, nga intelektualët e Shkodrës. Një pjesë e mirë e tyre do të jenë përfaqësuesit tanë në këto zgjedhje. Shkodra ka një rol të veçantë për të luajtur dhe ajo gjithmonë i merr përgjegjësitë e saj në momentet më të rëndësishme kur ndodhet vendit. Sot Shqipëria, pavarësisht nga progresi dhe ecuritë pozitive gjatë këtyre dy dekadave, është, për fat të keq, ende në një udhëkryq. Prandaj Shkodra do të thotë fjalën e saj, me votën e saj, me qytetarinë e saj më 23 qershor në mënyrë që Shqipëria të ecë më shpejt dhe pa u ndalur në rrugën e integrimit evropian.

Prej 10 ditën, në emër tuajin dhe në emër të LSI-së, unë kam propozuar një kompromis për miratimin e tre ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë brenda këtyre ditëve që po i përfundon mandati këtij kuvendi, duke kërkuar si kompromis që këto ligje të hyjnë në fuqi në shtator me Parlamentin e ri. Arsyeja ka të bëjë pikërisht me faktin se nuk mjafton vetëm të miratojmë ligje por është shumë e rëndësishme edhe të respektojmë frymën e ligjit. Në rastin konkret bëhet fjalë për institucione dhe për reforma shumë të rëndësishme, ku në mënyrë të veçantë do të nënvizoja rëndësinë që ka miratimi i ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, në funksion të zbatimit të ligjit për Gjykatën Administrative që aq shumë e kërkon biznesi këtu në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ky ligj ka të bëjë më shtimin e disa anëtarëve të tjerë në Gjykatën e Lartë me qëllim krijimin e Kolegjit Administrativ për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative. Ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste e ka pranuar këtë kompromis jam shumë i zhgënjyer që kryetari i Partisë Demokratike bën sikur nuk e kupton këtë kompromis, duke kërkuar që ligjet të miratohen siç janë dhe të hyjnë në fuqi menjëherë. Prioriteti i tij mesa duket, për fat të keq, nuk paska qenë miratimi i tre ligjeve por mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë partiakë me qëllim pikërisht shtrembërimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Administrative. Unë shpresoj dhe dëshiroj të jem i gabuar në këtë që sapo u thashë dhe Berisha të thotë që për hir të Shqipërisë, të integrimit evropian, ta pranojmë kompromisin e LSI-së dhe Shqipëria të hedhë një hap më tej drejt Bashkimit Evropian.

Ne integrimin nuk e duam vetëm për vetë. Nuk e duam vetëm për anëtarët dhe për simpatizantët tanë. Integrimi i takon të gjithë shqiptarëve si aspirata kryesore që solli ndryshimet demokratike që në vitin 1990 këtu në Shkodër dhe që ka mbajtur të gjallë shpirtin progresist dhe proevropian të shkodranëve dhe të të gjithë shqiptarëve. Ndaj edhe njëherë nga Shkodra e ftoj z. Berisha të ngrihet mbi interesat e ngushta, të ngrihet mbi kalkulimet e 23 qershorit dhe t’i thotë ‘po’ miratimit të tre ligjeve, në mënyrë që të japim një mesazh, e gjithë politika shqiptare e bashkuar, Evropës së bashkuar dhe gjithë qytetarëve tanë.

Unë jam i bindur se në 23 qershor Shkodra do të votojë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse LSI ka rrezatuar, që në gjenezën e saj, qytetari, shpirt konstruktiv, energji pozitive. Se Lëvizja
Socialiste për Integrim është një forcë jashtëzakonisht e emancipuar, një forcë e cila modernizon vetveten dhe ndihmon politikën shqiptare të emancipohet më tej dhe të lërë pas tabu, të cilat duhet t’i takojnë të kaluarës. Lëvizja Socialiste për Integrim ishte ajo forcë politike, e cila duke respektuar votën e qershorit të vitit 2009, rrethanat historike të vendit dhe rëndësinë e stabilitetit, vendosi dhe mori përgjegjësinë për të realizuar një koalicion të paparashikueshëm dhe të panatyrshëm me Partinë Demokratike. Dhe vendimi ynë, ju them përsëri sot, jam bindur se ishte një vendim i drejtë. LSI është ajo forcë politike, e cila i respekton dhe i qëndron marrëveshjeve, e cila kur vjen fundi i marrëveshjes i jep dorën me qytetari dhe di të ndahet me qytetari.

Tani Shqipëria ka nevojë për një ndryshim. Shqipëria ka nevojë jo thjesht për një rrotacion, por për një vizion thelbësisht të ndryshëm, i cili do t’i japë fund njëherë e mirë kësaj politike konfliktuale dhe përjashtuese, e cila në fakt është përgjegjësja kryesore për këtë ngërç të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ndaj, Shkodra do të votojë në 23 qershor për LSI-në, sepse LSI ndërton ura në politikë, në komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë dhe nuk ndërton mure ndarëse. Sepse ne jemi të gjithë një, pavarësisht nga përkatësia jonë partiake. Sepse edhe demokratët janë shokët tanë, janë të afërmit tanë, janë kushërinjtë tanë, janë komshinjtë tanë. Nuk janë dhe nuk mund të jenë armiqtë tanë. Por, duke votuar për LSI-në dhe duke votuar për një ndryshim të rëndësishëm më 23 qershor ne japim një mundësi të gjithë shqiptarëve të ndihen të lehtësuar e të bashkuar në 24 qershor.

Ne jemi krenarë për këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme të të rinjve dhe të të rejave të Shkodrës këtu, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë forca e të rinjve, mundësia e tyre për të thënë fjalën e tyre, por njëkohësisht edhe për të marrë vendimet në emër të së ardhmes së përbashkët. Ndaj, LSI është e vendosur që të gjithë shqiptarët të ecin më shpejt, të ecin me ritmin e 20-vjeçarëve dhe 20-vjeçareve që janë sot edhe këtu në këtë Pallat Sporti. Ne jemi krenarë për gjithë këto zonja, për gjithë këto motra dhe nëna shkodrane që ndodhen sot këtu. Ne do të vazhdojmë politikën tonë për të realizuar një barazi të plotë gjinore në Shqipëri dhe jam i bindur se Shkodra do të jetë një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim.

Ne jemi të qartë, si askush tjetër, se vendi ka nevojë për një vizion të ri për të nxjerrë ekonominë nga ngërçi dhe për të ecur përpara drejt realizimit konkret të politikave të punësimit në ata sektorë, ku në mënyrë më intensive mund të hapen më shpejt vende pune. Edhe shumë arritje në drejtim të lehtësive për biznesin fason kanë qenë rezultat i këmbënguljes së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndaj dhe ne, çdo element të politikës ekonomike, përfshirë edhe atë të taksave e shohim vetëm në interes të rritjes së punësimit në Shkodër, në Malësi të Madhe, në Pukë dhe kudo ku njerëzit duan të punojnë për të përballuar me dinjitet jetën e tyre.

Unë jam i bindur se më 23 qershor Shkodra do të votojë LSI-në si garancinë e saj më të mirë për stabilitet, për paqe sociale dhe për të çuar përpara të gjitha reformat e integrimit, të cilat e shndërrojnë Shkodrën në një lokomotivë të progresit evropian të mbarë Shqipërisë, të cilat e shndërrojnë Shkodrën në një nga qendrat më të rëndësishme për gjithë Ballkanin. Ndaj, suksese të gjithëve së bashku më 23 qershor. Suksese Agron Çelës, Nora Malajt, Ridvan Hebës, Sajmira Laçit, Artan Bushatit dhe gjithë këtij ekipi të mrekullueshëm. Rroftë populli i mrekullueshëm i Shkodrës! Rroftë Shqipëria Evropiane! Fitorja është e jona dhe e të gjithë shqiptarëve. Me ne do të fitojnë të gjithë.