Takim madhështor në Pogradec, LSI prezanton kandidatët për deputetë për Qarkun e Korçës

Takim madhështor në Pogradec, LSI prezanton kandidatët për deputetë për Qarkun e Korçës

ilirmeta11052013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një takim madhështor në qytetin e Pogradecit, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 12 kandidatëve për deputetë në Qarkun e Korçës. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke prezantuar kandidaten e LSI-së për qytetin e Pogradecit, Mimoza Gusho, deklaroi se znj. Gusho do të jetë një përfaqësuese e denjë e Pogradecit në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Sipas tij kandidimi i saj është një tregues i qartë i barazisë së plotë gjinore brenda LSI, si një shembull në të gjithë vendin.

“Motra dhe vëllezër pogradecarë. Jam shumë i lumtur që ndodhem sot në qytetin tuaj. Jam shumë i lumtur që jemi sot në mes të këtij entuziazmi të jashtëzakonshëm në Pallatin e Sportit të këtij qyteti, në këtë Pallat Sporti, ku populli i Pogradecit duartrokiste dhe mbështeste 30 vjet më parë Mimoza Gushon dhe shoqet e saj kur e nxirrnin kampion Pogradecin në volejboll. Jam i lumtur sot që së bashku me Roshin dhe me të gjithë ju, t’i japim përkrahjen më të madhe Mimoza Gushos që ajo të jetë deputetja e Pogradecit në Kuvendin që do të vij me votën tuaj në 23 qershor. Vajzat, gratë dhe nënat e Pogradecit e meritojnë të përfaqësohen nga një zonjë kaq dinjitoze sa Mimoza Gusho.

Po kështu, një urim të veçantë kam për angazhimin dhe përfshirjen në listën e ekipit tonë, për Qarkun e Korçës, të një intelektuali të nderuar të komunitetit pogradecar, i cili ka dhënë kontribute të vazhdueshme për komunitetin tuaj dhe që padyshim do të japë kontributin e tij për arritjen e objektivit tonë që të kemi dy deputetë në Qarkun e Korçës, të Sokol Vakos. Zgjedhja e Mimoza Gushos si kandidate për deputete nuk është një rastësi. Në listën tonë të Qarkut të Korçës ne kemi respektuar me shumë vullnet dhe me shumë dinjitet përfaqësimin e merituar që duhet të kenë gratë dhe vajzat e këtij Qarku në këtë garë të rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë, ashtu sikurse LSI-ja ka qenë dhe është model për politikat e saj të avancuara për barazinë gjinore në të gjithë vendin”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Z. Meta tha se Pogradeci dhe e gjithë Shqipëria ka nevojë për një LSI akoma më të fuqishme dhe ja ku ajo është, e gatshme për të marrë përgjegjësi të reja sepse LSI është krijuar për t’i ndihmuar të ardhmes evropiane të Shqipërisë, për t’i hequr asaj pengesat që dalin në mënyrë të vazhdueshme dhe për të garantuar ecjen më të shpejtë të vendit drejt integrimit evropian. “Sepse Pogradeci dhe Shqipëria nuk e meritojnë këtë stanjacion dhe këtë ngërç të krijuar nga politika e ndarjeve, nga politika e konflikteve. Sepse Pogradeci dhe Shqipëria nuk e meritojnë Parlamentin që heton veshin por nuk i vë veshin halleve dhe problemeve të Pogradecit, të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë. Vendi ka nevojë për një Parlament të ri, ka nevojë për një mazhorancë të re, ka nevojë për një qeveri realiste, me këmbë në tokë, e cila u flet njerëzve dhe jo yjeve në qiell.

Ne jemi të bindur se shqiptarët, midis dy korsive ku duhet të zgjedhin për të ecur, nuk do të zgjedhin korsinë e sukseseve imagjinare që nuk kanë të bëjnë me problemet dhe me hallet e tyre të përditshme, por do të zgjedhin korsinë evropiane të LSI-së dhe të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, e cila jep zgjidhje konkrete për punësimin dhe të gjitha problemet tuaja”, vijoi ai.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se qeveria aktuale pretendon gjithmonë e më shumë suksese imagjinare. Sipas tij i duhet dhënë fund kësaj politike të sukseseve imagjinare. Z. Meta tha se LSI ka një plan për zhvillimin e bujqësisë në Pogradec dhe në të gjithë Shqipërinë përmes promovimit dhe mbështetjes së shoqërive bujqësore fermerët do të bashkojnë ngastrat e tyre dhe do të bëhen aksionerë në sipërmarrje që do të sjellin investime të reja, rritje të prodhimit, ulje të çmimeve, rritje të cilësisë dhe nxitje të eksporteve ‘Made in Albania’. “Ju keni dëgjuar për mijëra e mijëra kilometra asfalt që janë bërë në të gjitha komunat e Shqipërisë, por mjafton të shkojmë së bashku për në Trebinjë dhe të shohim se gjendja e rrugëve është më e keqe se përpara 20 viteve. Ndaj ne do t’i japim fund politikës së sukseseve imagjinare për t’i kthyer sytë tek problemet reale që ka Mokra, që ka Pogradeci dhe që ka e gjithë Shqipëria. Flitet për suksese të jashtëzakonshme në fushën e bujqësisë, aq sa në një konventë të Partisë Demokratike dëgjuam një zotëri të nderuar i cili ishte programuar për të deklaruar se falë Partisë Demokratike nga 100 lopë ishte bërë me 200 lopë. Këto më kujtojnë kongreset e para vitit ’90 ku çdo gjë i dedikohej partisë dhe udhëheqësit të lavdishëm, ndërkohë që mbështetja për bujqësinë ka qenë dhe mbetet në nivelet më minimale. Ju jeni fqinj këtu të drejtpërdrejtë me Maqedoninë dhe e dini shumë mirë se edhe pse Maqedonia është një vend më i vogël se Shqipëria ka një bujqësi shumë më të zhvilluar dhe shumë më të mbështetur nga shteti dhe nga qeveria. Prandaj, programi ynë është ai që do t’i japë një zhvillim të ri dhe një ecje më të shpejtë bujqësisë në Pogradec dhe në të gjithë Shqipërinë. Përmes promovimit dhe mbështetjes së shoqërive bujqësore fermerët do të bashkojnë ngastrat e tyre dhe do të bëhen aksionerë në sipërmarrje që do të sjellin investime të reja, rritje të prodhimit, ulje të çmimeve, rritje të cilësisë dhe nxitje të eksporteve ‘Made in Albania’. Sot fshati dhe fermeri është lënë në harresë dhe buxheti i granteve për të gjithë fermerët shqiptarë është vetëm 7 milion dollarë, që i bie më pak se 15 dollarë për fermer, ndërkohë që në bujqësi janë të vetëpunësuar 490 mijë shqiptarë. Ky është standardi i vërtetë i kujdesit që tregon qeveria e cila po përfundon mandatin e saj. Ne synojnë shumëfishimin e granteve dhe rritjen e subvencioneve si dhe aktivizimin e kredive agrare me interesa të buta që të shtojmë numrin e fermerëve, të fuqizojmë e tyre dhe të krijojmë vende të reja pune në sektorin agroushqimor”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Ai deklaroi se Pogradeci i Lasgushit meriton një turizëm elitar por qeveria ende nuk ka asnjë politikë të qartë dhe stimuluese për ta kthyer këtë sektor në një industri të vërtetë. “Për këtë qeveri turistët janë vetëm një statistikë doganore ndërsa për ne ata mbeten një faktor shumë i rëndësishëm të cilëve u duhet shërbyer dhe krijuar kushtet më të mira për të kontribuar që ky sektor të rrisë dhe shumëfishojë të ardhurat për ekonominë tonë si dhe të shtojë mundësitë e punësimit për Pogradecin, Vlorën, Sarandën, Krujën, Shkodrën dhe të gjitha mrekullitë e tjera të Shqipërisë”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi se LSI është e angazhuar për një paketë fiskale stimuluese ku përfshihet edhe ulja e TVSH-së në 10% për shërbimet turistike. “Është e pafalshme që sot bankat investojnë mbi 700 milionë euro jashtë shtetit me depozitat e shqiptarëve sepse oportunitetet për investime këtu janë shumë të pakta. Ndaj ne jemi për një rol shumë më aktiv të qeverisë për të ndërmjetësuar me bankat që depozitat e shqiptarëve të investohen në vend dhe të krijohen vende të reja pune. Ekonomia jonë ka nevojë për një paketë stimuluese për biznesin prodhues ndërkohë kur kapitalet e huaja fare lehtë mund të shkojnë diku tjetër. Ne do t’i japim përparësi krijimit të zonave të lira ekonomike dhe parqeve industriale ku bizneset të përjashtohen nga taksat dhe tatimet për 5 vitet e para të aktivitetit duke e nxitur pjesëmarrjen e investitorëve të huaj sidomos në sektorët prodhues, në atë fason, tekstile, materiale ndërtimi si dhe në sektorin minerar duke synuar rritjen e përpunimit të tij brenda vendit përmes fabrikave të pasurimit”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Sipas tij Pogradeci ka probleme të jashtëzakonshme. “Janë rreth një mijë familje minatorësh që jetojnë me vështirësi të mëdha dhe ne angazhohemi për dialog me të gjithë minatorët dhe me sindikatat e tyre në Pogradec dhe në të gjithë Shqipërinë për t’i trajtuar me përgjegjshmëri dhe me seriozitet kërkesat e tyre të drejta. Ne e dimë se edhe pse qyteti i Pogradecit është një qytet i ëndërruar nga shumë qytetarë të këtij vendi por edhe turistë për të kaluar pushimet këtu përsëri mbetet një qytet ku qytetarët e tij edhe për një vulë fare të thjeshtë duhet të shkojnë dhe të rrugëtojnë deri në Korçë. Ndaj decentralizimi i shërbimeve është mjaft i rëndësishëm sepse për ne shërbimet duhet t’i ofrohen qytetarit atje ku ai dhe atje ku ai punon”, tha z. Meta.

Duke folur në lidhje me drejtuesit vendore, përfaqësues të LSI-së, në Rrethin e Pogradecit, Lideri i LSI-së tha se “Ne jemi krenarë për drejtuesit tanë të pushtetit vendor. Të gjithë ju e dini shumë mirë se si ka qenë një nga komunat më të rëndësishme të të gjithë qarkut, ajo e Buçimasit, përpara disa viteve, përpara sesa Roshi Tollozhina të zgjidhej kryetar i saj. Edhe në zyrat e komunës mund të hyje vetëm me kundërgaz sepse e tillë ishte gjendja e mjeruar e tyre dhe sot kjo komunë, jo falë mbështetjes së qeverisë por falë angazhimit, përkushtimit dhe mirëmenaxhimit të Roshit dhe të ekipit të tij është një komunë model, është një shembull i shkëlqyer dhe në të ardhmen, me mbështetjen edhe të qeverisë, do të jetë një magnet për të gjithë turistët vendas dhe të huaj që do të ndihmojë për mirëqenien e të gjithë komunitetit tuaj. Mokra ka qenë e kuqe dhe do të mbetet e kuqe. Ka qenë e kuqe sepse ka qenë me partizanët, sepse ka qenë me luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por është përsëri e kuqe dhe do të jetë e kuqe sepse ka votuar për LSI-në dhe do të jetë edhe më 23 qershor për LSI-në. Nda të gjithë së bashku me Feim Jashallarin dhe me veteranët më 17 maj të festojmë festën e Pleshisit, të kujtojmë partizanët e lavdishëm të Mokrës, Pogradecit dhe të gjithë Shqipërisë. E kuqja do të fitojë, jo vetëm sepse është në flamurin e LSI-së por në radhë të parë është në flamurin tonë kombëtar dhe flamuri ynë kombëtar do të ngrihet edhe më lart në Evropën e bashkuar falë votës dhe përkrahjes që ju i jepni LSI-së dhe vullnetit të saj për ta ndihmuar Shqipërinë që të ecë më shpejt drejt Evropës”.

Duke përfunduar fjalën e tij në takimin madhështor të zhvilluar në qytetin e Pogradecit, z. Meta ftoi një nga një të gjithë kandidatët e LSI-së në Qarkun e Korçës. Ai u shpreh i bindur në një fitore të jashtëzakonshme në Pogradec dhe në të gjithë Shqipërinë të LSI-së dhe të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”. “Tani do të doja të ftoja të gjithë ekipin tonë fitues të Qarkut të Korçës. Një duartrokitje të flaktë dhe të gjitha votat e grave, të vajzave dhe të nënave të Pogradecit për Mimoza Gushon më 23 qershor. Një duartrokitje për Piro Kapuranin, për kandidatin tonë në Kolonjë Arben Malon, për kandidatin tonë në Devoll Petrika Lamen, për Jorida Jamaçkën, për Sokol Vakon, për Floalda Stratin, për Pali Kriston, për Arsidesa Hysin, kryetaren e inisë së Korçës, për Dr. Zamir Demirajn, për Afërdita Sulejmanin dhe për Guri Mekon. Ftoj këtu edhe Roshin, edhe Shyqon sepse Shyqo i ka shpallur garë të gjithë 20 vjeçarëve për në datën 23 qershor. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që të isha sot këtu midis jush dhe të ndaja këtë frymëzim për fitoren e jashtëzakonshme të LSI-së më 23 qershor, të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, për këtë udhëtim të sigurt të Pogradecit dhe të gjithë Shqipërisë drejt Evropës, gjithmonë duke ecur më shpejt me LSI-në”, përfundoi fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Korçë, Piro Kapurani

Kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Korçë, Piro Kapurani, në fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Pogradec u shpreh i bindur në suksesin e LSI-së në të gjithë Korçën dhe përfaqësimin në Parlamentin e ardhshëm me më shumë se dy deputetë. “Mirënjohje dhe respekt për të gjithë ju, të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së për Qarkun e Korçës, dhe në veçanti për Rrethin e Pogradecit. E vlerësoj këtë kandidim, më shumë se sa një sfidë në jetën time. Si një përgjegjësi të madhe për këtë besim dhe vendim serioz të Kryesisë së LSI-së. Votoni më 23 qershor për LSI-në për të ecur më shpejt drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian. LSI në themel të saj ka prioritet arsimimin dhe punësimin. Votoni më 23 qershor për LSI-në. Shpresoj dhe besoj se të gjithë së bashku me ju do të arrijmë një fitore të shkëlqyer dhe do të arrijmë objektivin që kemi vendosur për të përfaqësuar në Parlament Qarkun e Korçës me më shumë se dy deputetë”, tha ndër të tjera z. Kapurani.