Kryetari i LSI ka vizituar sipërmarrës në qytetin e Kavajës. Meta: Aktivitete të tilla të karakterit prodhues të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet

Kryetari i LSI ka vizituar sipërmarrës në qytetin e Kavajës. Meta: Aktivitete të tilla të karakterit prodhues të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet

ilirmeta08052013

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta ka deklaruar se biznesi ka nevojë për një ndihmë më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë pasi në këtë në mënyrë do të rritej numri i të punësuarve. Gjatë një vizite në një fabrikë prodhimi mobiljesh në qytetin e Kavajës, z. Meta u shpreh se është e rëndësishme të ketë sa më shumë sipërmarrje të tilla për të shtuar prodhimin vendas dhe për të eksportuar, ndërkohë që e vuri theksin te mbështetja për formimin profesional të punonjësve.

“Është kënaqësi që shohim një sipërmarrje të suksesshme e rritur me mund dhe me sakrifica, e cila ka nevojë për më shumë mbështetje. Aktivitete të tilla kërkojnë një ndihmë më të madhe dhe nga ana e shtetit dhe qeverisë, sidomos në drejtim të formimit profesional të punonjësve, pra zanatçinjve, tha z. Meta. Sepse këto janë profesione të veçanta dhe delikate, por është e rëndësishme të kemi sa më shumë njësi të tilla, sa më shumë sipërmarrje të tilla në mënyrë që të rrisim numrin e të punësuarve, por njëkohësisht edhe të rrisim mundësitë për të shtuar prodhimin vendas për të plotësuar nevojat e tregut tonë, por edhe për të eksportuar”, theksoi Lideri i LSI-së.

Gjithashtu, z. Meta u ndal te domosdoshmëria për krijimin e parqeve industriale dhe zonave ekonomike, duke krijuar lehtësira infrastrukturore për investitorët e huaj. Ai kërkoi që aktivitete të tilla të karakterit prodhues të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet në mënyrë që t’i jepet një nxitje të madhe prodhimit vendas.

“Mendoj se ky rast, është një rast suksesi që kërkon mbështetje dhe promovim për t’u zgjeruar dhe njëkohësisht për t’u ndjekur nga shumë biznese dhe biznesmenë të tjerë, vijoi z. Meta. Është e domosdoshme sidomos krijimi i parqeve të reja industriale dhe i zonave të tjera ekonomike, ku aktivitete të tilla të karakterit prodhues të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet në mënyrë që t’i japim një nxitje të madhe prodhimit në vend por të krijojmë të gjitha ato lehtësirat infrastrukturore, të cila tërheqin më shumë investitorë të huaj dhe investimet e huaja në zhvillimin e ekonomisë sonë”, u shpreh Lideri i LSI-së.

Në fund, z. Meta tha se LSI ka një politikë për të ndihmuar zbritjen e shpenzimeve dhe kostove për çdo vend të ri pune që do të shtohet, teksa theksoi se sipërmarrjet përbëjnë baza për një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ekonomike të vendit.  

“Ne kemi edhe një politikë tjetër për të ndihmuar zbritjen e shpenzimeve dhe kostove për çdo vend të ri pune që do të shtohet. Kështu që unë iu përgëzoj për punën që keni bërë dhe jam i bindur se do të bëjmë shumë më tepër në mbështetje të këtyre aktiviteteve. Sepse këto janë baza për rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ekonomike të vendit tonë”, përfundoi z. Meta.

Ndërkaq, Kryetari i LSI-së vizitoi po në Kavajë edhe një fabrikë përpunimi veshmbathjesh, një sipërmarrje e investitorëve të huaj.