Meta: Vëmendja duhet të përqendrohet te nxitja e investimeve dhe favorizimi i bizneseve

Meta: Vëmendja duhet të përqendrohet te nxitja e investimeve dhe favorizimi i bizneseve

ilirmeta07052013

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë dhe simpatizantë të LSI-së në komunën e Bërxullës në Tiranë. Gjatë këtij bashkëbisedimi z. Meta ka deklaruar se prioriteti i LSI-së është punësimi dhe hapja e vendeve të reja të punës, duke krijuar zona industriale. Lideri i LSI-së theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet te nxitja e investimeve dhe favorizimi i bizneseve për hapjen e vendeve të reja pune.

“Prioriteti ynë është punësimi, të hapim vende pune, të krijojmë zona industriale, që t’ia bësh gati infrastrukturën atij investitorit. Në qoftë se do të rrisim punësimin duhet të shikojmë se si do të nxisim investimet dhe si do të favorizojmë ata që do të hapin vende të reja pune”, u shpreh z. Meta.

Duke folur për situatën politike në vend Kryetari i LSI-së tha se vihet re një mbingopje e PD-së për pushtet në dëm të pavarësisë së institucioneve dhe se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik dhe për një ndarje të re të pushteteve. Z. Meta theksoi se përqendrimi i gjithë pushteteve në një dorë nuk është i shëndetshëm për demokracinë.

“Kohët e fundit sidomos pas procesit për zgjedhjen e presidentit po të vëmë re ka një mbingopje me pushtet të PD-së në dëm të pavarësisë së institucioneve. Presidenti është i PD-së, edhe gjithë institucionet e tjera që u zgjodhën me propozim të presidenti të ri janë të PD-së, tha ai. Përqendrimi i gjithë pushteteve në një dorë nuk është i shëndetshëm për demokracinë, ndaj edhe ka shqetësime dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sepse kjo nuk i shërben demokracisë, por kur nuk i shërben demokracisë nuk i shërben as ekonomisë së Shqipërisë e as ekonomisë suaj familjare. Nëse nuk funksionon demokracia nuk funksionojnë as elementët e tjerë të një shoqërie. Ndaj vendi ka një nevojë për një ekuilibër të ri politik, ka nevojë për një ndarje të re të pushteteve”, vijoi fjalën e tij z. Meta.

Përsa i përket çështjes së tre ligjeve Lideri i LSI-së u shpreh se propozimi i bërë prej tij pak ditë më parë nuk është pranuar nga PD-ja dhe se ky qëndrim ka nxjerrë në pah një mungesë serioziteti nga mazhoranca për çështjen e integrimit.

“Ditët e fundit unë bëra një propozim drejtuar kryetarit të PD-së dhe kryetarit të PS-së dhe ky propozim i imi ishte që t’i miratojmë këto tre ligje tani dhe këto të hynin në fuqi në shtator me parlamentin e ri në mënyrë që këto të konsiderohen të përfunduara në raport me partnerët tanë dhe ndërkohë zbatimi të fillojë me kuvendin e ri, shtoi z. Meta. Ndërkohë që ne kërkojmë që këto tre ligje të votohen që sot, vjen përgjigja nga PD-ja që këto ligje do t’i votojmë në shtator me referendum. Nuk ka sens, sepse të bësh një referendum për një çështje që mund të zgjidhet në parlament dhe ekziston tani mundësia dhe vullneti, duhet vetëm shpirti i kompromisit dhe i përgjegjshmërisë për të ardhmen e vendit, do të thotë që nuk e ke pasur seriozitetin deri tani çështjen e integrimit. Pse duhet të harxhojë shteti miliona euro për të bërë referendum në të gjithë Shqipërinë kur asnjë nuk e kundërshton çështjen e miratimit të tre ligjeve”, u shpreh ai.

Mes të tjerash z. Meta tha se duhet punuar përtej ditës së zgjedhjeve që t’i zgjidhen problemet dhe hallet e shqiptarëve, të cilët nuk kanë nevojë për fjalime që janë jashtë realitetit dhe se ritmi që ka nevojë vendi duhet të jetë edhe më i shpejtë.

“Sigurisht që të gjitha hallet nuk zgjidhen menjëherë, por a ka shpresë që këto gjëra të përmirësohen kur ne dëgjojmë fjalime pa fund për suksese të jashtëzakonshme ekonomike, për mrekullinë shqiptare, e cila ka sfiduar dhe ka lënë mbrapa edhe Gjermaninë, kur Gjermania është një vend super i zhvilluar, ndërsa Shqipëria është ende një vend i pazhvilluar, tha Kryetari i LSI-së. Natyrisht që janë bërë ndryshime këto 23 vitet e fundit, janë bërë ndryshime dhe gjëra pozitive edhe këto katër vite, por ritmi që ka nevojë vendi, që keni nevojë ju të gjithë, duhet të jetë shumë i shpejtë. Ndaj LSI ka si sloganin e saj “të ecim më shpejt” në mënyrë që të zgjidhim problemet konkrete të komunitetit dhe të qytetarëve”, deklaroi z. Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së theksoi se në këtë rast kemi të bëjmë me lojëra politike për qëllime të ngushta, jo me përgjegjshmëri dhe me sjellje vërtetë vizionare. Ndërkaq, z. Meta tha se LSI ka ndërtuar tashmë një marrëdhënie të re e komunitetin e Bërxullës dhe se vëmendja pas 23 qershorit për këtë zonë do të jetë dhe më e madhe.

“Ndaj unë besoj se LSI, siç ka treguar përgjegjshmërinë e saj deri tani, do të vazhdojë ta tregojë edhe në të ardhmen. Ne besojmë që kemi ndërtuar tani një marrëdhënie të re me komunitetin tuaj dhe jam i bindur edhe me gjithë prurjet e reja, me të gjithë ata që vazhdojnë të bashkohen me LSI, ne do të bëjmë të mundur që në këtë komunitet LSI të ketë mundësinë të tregojë kujdesin e saj ndaj njerëzve dhe ndaj komunitetit me vepra konkrete dhe jo me fjalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, tha z. Meta. Ne duam të bëjmë një investim afatgjatë në këtë komunë dhe në interes të këtij komunitetit që kjo të përkthehet në një jetë më të mirë për të gjithë ju dhe në një vëmendje më të madhe nga qeveria dhe nga pushteti nesër”, u shpreh ndër të tjerash Lideri i LSI-së.

Ndërkaq, gjatë këtij bashkëbisedimi nga z. Ilir Meta u shpërndanë edhe kartat e anëtarësisë për 130 anëtarë të rinj të LSI-së në Komunën Bërxullë.