Meta: Ti përgjigjemi pozitivisht BE-se, ti votojmë ligjet ditën e Enjte

Meta: Ti përgjigjemi pozitivisht BE-se, ti votojmë ligjet ditën e Enjte

ilirmeta09052013

Sot është 9 Maji, Dita e Evropës, një ditë e madhe për të gjithë kontinentin tonë por edhe njerëzimin. Një ditë e madhe dhe shumë e rëndësishme edhe për të gjithë shqiptarët sepse është dita e paqes, e shpresës. Është dita e integrimit dhe e progresit të mbarë kontinentit por edhe të mbarë njerëzimit. Është një ditë frymëzimi për bashkëpunim dhe për integrim.

Është për të ardhur keq që edhe në ditën e sotme, në vend që të merreshin me angazhime konkrete për të hedhur një hap tjetër drejt Bashkimit Evropian, dëgjuam një retorikë të përsëritur akuzash për fajësime për bllokimin e këtij procesi. Ndërkohë që prej disa kohësh Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar një kompromis tepër të arsyeshëm i cili ndihmon për kapërcimin e ngërçit politik lidhur me miratimin e tre ligjeve dhe i cili konsiston në mënyrë të qartë me miratimin e tyre brenda mandatit të Parlamentit ekzistues, por me të vetmin ndryshim nga paraqitja e tyre aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë që ato të hyjnë në fuqi me Parlamentin e ri, pra në muajin shtator.

Kjo është argumentuar, në mënyrë të qartë, me rrezikun që vjen me keqpërdorimin e miratimit, në mënyrë të veçantë, të ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, ku do të shtohen disa vende anëtarësh të kësaj gjykate për të krijuar Kolegjin Administrativ në zbatim të ligjit për Gjykatën Administrative. Pra me rrezikun që sikurse e kemi vënë re edhe me disa emërime të tjera në postet më të larta të gjykatave apo të drejtësisë me karakter të ngushtë partiak, që nuk do t’i shërbente zbatimit të ligjit në mënyrë dhe në frymë vërtet evropiane, siç duhet të funksionojnë institucionet e pavarura.

Ndaj sot, në këtë ditë të rëndësishme, në Ditën e Evropës, gjej rastin të ftoj edhe një herë kryetarin e Partisë Demokratike, në mënyrë të veçantë, z. Berisha, kryetarin e Partisë Socialiste, z. Rama. dhe kolegë të tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale dhe të takohemi deri të enjten në orën 10:00 për të bashkërenduar miratimin e këtyre tre ligjeve, në mënyrë që t’i përgjigjemi edhe kësaj kërkese të vazhdueshme të Bashkimit Evropian edhe të mbarë qytetarë shqiptarë me seriozitet dhe përgjegjshmëri dhe duke hequr dorë nga shkëmbimet e tepërta të akuzave të cilat nuk prodhojnë progres në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat. Nuk ka nevojë më retorikë por ka nevojë për qartësi, për përgjegjshmëri dhe për kompromis të bazuar në shpirtin proevropian të popullit shqiptar.

Z. Meta, vetëm një ditë më parë Instituti prestigjioz “Piepoli” në një sondazh të publikuar ka deklaruar se opozita e majtë është 9 pikë para mazhorancës për zgjedhjet e 23 qershorit. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë?

Jam i bindur se “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” është edhe më shumë se 9% përpara koalicionit të djathtë. Sipas shpjegimeve që u dhanë nga përfaqësuesit e këtij instituti prestigjioz, anketimet ishin zhvilluar disa javë përpara. Gjërat kanë ndryshuar shumë dhe Aleanca për Shqipërinë Evropiane po Ecën më Shpejt.

Z. Meta, a keni ju një koment për zhvillimet më të fundit në këshillin bashkiak të Tiranës?

Zhvillimet e fundit në Bashkinë e Tiranës apo edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës apo që lidhen edhe me ish-kryetarin e këshillit të Bashkisë së Tiranës nuk janë ato që do të duhej të na frymëzonin për një Tiranë të standardeve evropiane, që udhëheq e që frymëzon procesin e integrimit në mbarë vendin. Cila është situatë në këshillin bashkiak të Tiranës? Kemi një ish-kryetar të këshillit bashkiak, i cili shkel hapur ligjin dhe procedurat ligjore, i cili shpërfill kërkesat plotësisht të ligjshme të shumicës së këshilltarëve, i cili nuk kërkon të pranojë realitetin e ri, që do të thotë se PS-LSI janë një shumicë shumë solide dhe shumë e qartë në këshillin e Bashkisë së Tiranës.

Një ish-kryetar i cili kërkon t’i fshihet kësaj të vërtete, duke bërë veprime absurde, qesharake, groteske, siç është ai i ndërrimit të bravës së sallës së mbledhjeve apo i marrjes së çelësave me vete, sikur kjo të ishte një pronë private dhe jo sikur ambienti i këshillit të bashkisë të ishte siç është një ambient publik i gjithë qytetarëve të Tiranës, të cilët përfaqësohen atje në mënyrë të drejtpërdrejtë nga të zgjedhurit e tyre. Z. Kosovrasti duhej të ngrihej sadopak në nivelin e kolegut të tij demokrat, ish-kryetarit të këshillit bashkiak të Elbasanit, i cili u soll si një qytetar i vërtetë elbasanas, pas kërkesës që iu bë duke paraqitur dorëheqjen dhe duke pranuar realitetin e ri politik.

Urdhri i marrë për të mos e pranuar këtë realitet, për të zvarritur në pafundësi deri në 23 qershor konfigurimin e ligjshëm dhe demokratik të shumicës së re në këshillin e bashkisë dhe njohjen e kryetarit të ri të këshillit bashkiak, natyrisht që vjen nga autori i dhunimit të KQZ-së si institucion i pavarur. Por sigurisht që kjo nuk ka për të ndikuar aspak në rezultatin e 23 qershorit i cili është shumë i qartë dhe unë jam i bindur se diferencën më të madhe do ta bëjë vetë qyteti i Tiranës, qytetarët e Tiranës dhe Qarku i Tiranës. Këto sjellje nuk i ndihmojnë ata që të fitojnë qoftë edhe një votë më shumë, përkundrazi.