Ilir Meta: 5 Maji, jo vetëm ditë kujtese dhe nderimi, por edhe frymëzimi për të ardhmen

Ilir Meta: 5 Maji, jo vetëm ditë kujtese dhe nderimi, por edhe frymëzimi për të ardhmen

ilirmeta05052013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit me rastin e 5 Majit, “Ditës së Dëshmorëve” së bashku me opozitën e bashkuar. Lideri i LSI-së vendosi një kurorë me lule dhe u përkul përpara memorialit “Nënë Shqipëri” në nderim të dëshmorëve të atdheut.

Pas homazheve, koalicioni “ Aleanca për Shqipërinë Europiane” ka zhvilluar një aktivitet ku ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të partive që janë pjesë e këtij koalicioni si dhe dhjetëra veteranë dhe familjarë të Dëshmorëve të Atdheut.

Gjatë këtij aktiviteti, z. Meta ka mbajtur një fjalim përshëndetës, ku ka deklaruar se 5 Maji, përveç kujtimit dhe nderimit të dëshmorëve, duhet të konsiderohet si një ditë frymëzimi për të ardhmen. Kryetari i LSI-së vlerësoi sakrificën sublime të dëshmorëve për një kauzë të jashtëzakonshme siç ishte liria e atdheut.

“Për mua është një kënaqësi e veçantë që t’iu përshëndes të gjithëve, në mënyrë të veçantë familjet e dëshmorëve, të gjithë ish-partizanët, familjarët e tyre dhe njëkohësisht të gjithë pasardhësit të tyre, tha ai. Është kënaqësi që ne shohim sot kaq shumë qytetarë, por edhe kaq shumë të rinj dhe të reja në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe jam i sigurt se pjesëmarrja e tyre do të rritet nga viti në vit në shenjë mirënjohjeje për sakrificën më sublime që Qemal Stafa, Margarita Tutulani dhe 28 mijë shokët dhe shoqet e tyre bënë në emër të lirisë së atdheut, duke dhënë shembullin më të mirë të angazhimit në emër të një kauze të jashtëzakonshme”, u shpreh z. Ilir Meta para të pranishmëve.

Më tej, Lideri i LSI-së u shpreh se ashtu si 5 maji edhe 23 qershori do të japë me pjesëmarrjen masive të të gjithë shqiptarëve një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë. Gjithashtu, z. Meta i bëri apel edhe një herë kryetarit të PD-së që të japë kontributin e tij për miratimin e tre ligjeve në mënyrë që Shqipëria të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Evropian.

“Unë besoj se 5 Maji është, jo vetëm një ditë shumë e rëndësishme kujtese dhe nderimi, por edhe frymëzimi për të ardhmen dhe jam i bindur se edhe 23 qershori që kemi përpara do të japi me pjesëmarrjen masive të të gjithë qytetarëve shqiptarë një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe për të lartësuar më tej kujtimin dhe veprën e dëshmorëve të atdheut”, tha ai.

“I paharruar qoftë kujtimi i tyre, lavdi përjetë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe tani të miratojmë edhe ato tre ligjet sa më shpejt, në mënyrë që vendi të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Besojmë që edhe kryetari i Partisë Demokratike të japë kontributin e tij në ditët që vijnë”, përfundoi fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.