Haxhinasto: Të njihen kontributet e sigurimeve shoqërore për emigrantët

Haxhinasto: Të njihen kontributet e sigurimeve shoqërore për emigrantët

edmondhaxhinasto05052013

Anëtari i kryesisë së LSI-së, Edmond Haxhinasto ka zhvilluar një takim me emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në qytetin e Breshias, në Itali. Në këtë takim ai shoqërohej nga përfaqësues të LSI-së në Qarkun e Elbasanit si edhe përfaqësues të kësaj force politike në vendin fqinj.

Gjatë fjalës së mbajtur para të pranishmëve z. Haxhinasto është shprehur se emigrantët shqiptarë kanë nevojë për përkujdesje më të madhe dhe jo premtime boshe.

Ai theksoi faktin se LSI është një avokate e vendosur për fitimin e realizimin e të drejtave të emigrantëve shqiptarë në vendet ku ata punojnë, pasi beson se integrimi i tyre më i shpejtë do të thotë edhe një kontribut më i rëndësishëm për integrimin më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për emancipimin më të shpejtë të shoqërisë shqiptare. Gjithashtu, anëtari i kryesisë së LSI-së kërkoi që emigrantët të jenë pjesë e vendimmarrjes politike, pasi përfaqësojnë gjysmën e popullsisë shqiptare.

“Lëvizja Socialiste për Integrim ka një platformë konkrete për emigracionin dhe do të kërkojë që emigrantët të jenë pjesë e vendimmarrjes politike, tha Haxhinasto. Dua të sjellë në vëmendje faktin se LSI-ja ka qenë forca e parë politike, që kur u themelua në vitin 2004, e cila ndërmori nismën për të realizuar të drejtën e votës së emigrantëve, atje ku ata jetojnë, por ende një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ne kërkojmë që emigrantët të bëhen pjesë e vendimmarrjes politike, pasi ata përfaqësojnë gjysmën e popullsisë shqiptare dhe vota e tyre duhet të ishte përfshirë në Kodin Zgjedhor. Kjo të jetë hera e fundit që emigrantët shqiptarë, kudo që janë, të marrin rrugën e të votojnë në vendin e tyre pasi në zgjedhjet e tjera do të realizohet përfundimisht premtimi ynë që të gjithë qytetarët shqiptarë të votojnë atje ku ata jetojnë”, u shpreh ai.

Më tej, Haxhinasto deklaroi se emigrantët shqiptarë duhet bëhen pjesë e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë, teksa vlerësoi kontributin e tyre të vyer në ekonominë shqiptare. Ai tha se ekonomia shqiptare nuk do të mbahej dot në këmbë pa ndihmën e kursimeve të emigrantëve.

“LSI-ja është një avokate e vendosur për realizimin e të drejtave të emigrantëve në vendet ku ata punojnë, pasi integrimi i tyre më i shpejtë do të thotë edhe një kontribut më të rëndësishëm për integrimin më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, vijoi Haxhinasto. Emigrantët duhet të jenë pjesë e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë. Ekonomia shqiptare nuk do të mbahej dot në këmbë pa ndihmën e kursimeve tuaja. Ju jeni lokomotiva e progresit ekonomik të vendit me kursimet që keni sjellë në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Ndaj është shumë e rëndësishme duke pasur në konsideratë vështirësitë e mëdha që ju jetoni këtu për t’ju përgjigjur edhe procesit të riintegrimit tuaj në Shqipëri”, shtoi ai.

Përsa i përket nismave konkrete që LSI-ja do të ndërmarrë për t’iu ardhur në ndihmë emigrantëve, Haxhinasto përmendi njohjen e kontributeve shoqërore për të gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit si edhe do t’i kërkohet konsullatave shqiptare, jo vetëm në Itali, por kudo ku ka shqiptarë, që të ofrojë një shërbim më cilësor

“Angazhimi ynë prioritar mbetet realizimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore për njohjen reciproke të kontributeve të qytetarëve shqiptarë kudo ku ata janë, së pari në Itali dhe në Greqi. Gjithashtu, ne do të këmbëngulim dhe do të bëjmë gjithçka që konsullatat tona në vendet e huaja të ofrojnë shërbime më cilësore për emigrantët shqiptarë kudo ku ata jetojnë dhe punojnë”, theksoi ndër të tjerash në fjalën e tij anëtari i Kryesisë së LSI-së, Edmond Haxhinasto para komunitetit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Breshia të Italisë.