Meta: Mbështetja për biznesi fason, synojmë,dyfishimin e eksporteve në 4 vitet e ardhshme

Meta: Mbështetja për biznesi fason, synojmë,dyfishimin e eksporteve në 4 vitet e ardhshme

ilirmeta03052013

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta ka shprehur edhe një herë mbështetjen e tij ndaj biznesit fason, duke e cilësuar si një sipërmarrje mjaft të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Gjatë një vizite në një fabrikë përpunimi veshmbathjesh në Njësinë bashkiake nr. 4 në Tiranë, që punëson një numër të madh femrash e që drejtohet nga investitorë të huaj, z. Meta deklaroi se biznesi fason ka një impakt të rëndësishëm social dhe për nismat e marra nga forca politike e drejtuar nga tij për ta lehtësuar këtë sipërmarrje nga taksat.

“Është kënaqësi të jem në një ndërmarrje që punëson mjaft gra dhe vajza. Por e cila edhe eksporton dhe kjo është një gjë mjaft e rëndësishme për ekonominë e vendit. Biznesin fason mban një peshë shumë të rëndësishme në këtë drejtim, tha z. Meta. Gjëra pozitive janë bërë edhe gjatë këtyre viteve të fundit, siç është heqja e taksës doganorë për lëndët e para të importit, për heqjen së fundit të TVSH-së për makineritë dhe pajisjet apo edhe bërja zero e taksës së sheshtë për pagat deri në 30 mijë lekë të reja, por duke qenë se është një biznes fason që punëson jashtëzakonisht shumë gra e vajza dhe ka një impakt të jashtëzakonshëm social është shumë e rëndësishme për të ndërmarrë iniciativa të tjera që e zgjerojnë dhe e përkrahin akoma më tej këtë aktivitet”, u shpreh Lideri i LSI-së.

Më tej, z. Meta premtoi një mbështetje edhe më të madhe për këtë biznes, duke i ofruar kredi të buta për blerjen e makinerive dhe pajisjeve për fasonët, teksa theksoi se rritja e prodhimi dhe eksporteve është e vetmja rrugë për fuqizimin e ekonomisë sonë.

Kryetari i LSI-së tha se objektivi është që deri në 2017-n të dyfishohen eksportet dhe të arrijnë deri në 40% të prodhimit të brendshëm bruto, duke rritur njëkohësisht edhe prodhimin së bashku me markat “Made in Albania”.

“Angazhimi ynë është që në katër vitet e ardhshme të garantohet një mbështetje më e madhe sidomos më kredi të buta me interesa deri në 3% për të zgjeruar biznesin fason dhe njëkohësisht për të garantuar sa më shumë grante veçanërisht përsa i takon blerjes së makinerive dhe pajisjeve për biznesin fason, deklaroi z. Meta. Për ne është shumë e rëndësishme që të realizojmë një cikël të mbyllur brenda vendit dhe të rrisim prodhimin dhe markat ‘Made in Albania’. Rritja e prodhimi dhe eksporteve është e vetmja rrugë për fuqizimin e ekonomisë sonë dhe objektivi ynë është që deri në 2017-n të dyfishohen eksportet, që do të thotë që eksportet të arrijnë në vitin 2017 deri në 40% të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo do të thotë njëkohësisht edhe garantimi i rritjes së punësimit dhe i qëndrueshmërisë së punësimit”, përfundoi deklaratën e tij Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.