Meta: E kemi të pamundur ta mundim Berishën këtu në Vlorë 8 me 2, sepse janë 12 mandate, por ju jap fjalën se do ta mundim 9 me 3

Meta: E kemi të pamundur ta mundim Berishën këtu në Vlorë 8 me 2, sepse janë 12 mandate, por ju jap fjalën se do ta mundim 9 me 3

ilirmeta29042013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha ishte i pranishëm ditën e sotme në Aktivin e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Qarkut të Vlorës. Të pranishëm gjithashtu në këtë takim entuziast të zhvilluar në Pallatin e Sportit të këtij qyteti, i mbushur me qindra mbështetës dhe aktivistë të kësaj partie, ishin edhe zv/kryetari i LSI-së, z. Petrit Vasili si dhe anëtari i Kryesisë së LSI-së, z. Spartak Braho. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Meta deklaroi se pas 24 qershorit askush nuk do mund ta anashkalojë më këtë qytet ku lindi shteti shqiptar. Sipas tij, qytetarët e Vlorës meritojnë dhe duan që Shqipëria të zhvillohet ekonomikisht e të integrohet në BE, por siç tha ai vendi është sot në udhëkryq dhe integrimi mbahet peng nga politika konfliktuale. Kreu i LSI-së deklaroi gjithashtu se, Shqipëria ka nevojë për një alternativë që kujdeset për njerëzit, një projekt dhe plan konkret për ekonominë dhe punësimin, për bujqësinë e fermerët. Z. Meta shprehu edhe njëherë vendosmërinë për të qëndruar larg politikës konfliktuale, që mban peng mirëqenien e shqiptarëve dhe integrimin në BE, teksa tha e vendi ka nevojë për pjekuri politike pasi Shqipëria është i vetmi vend në NATO që zhvillon zgjedhje që në fund kontestohen. Nga qyteti i Vlorës, kreu i LSI-së siguroi kryeministrin Berisha që opozita jo vetëm që nuk do ti bojkotojë zgjedhjet e 23 qershorit, por u shpreh i sigurt për fitoren e koalicionit të majtë.

Fjala e plotë e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta në Aktivin e LSI-së së Qarkut Vlorë

Të dashur motra dhe vëllezër, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu mes jush në Vlorën heroike të pavarësisë dhe të Ismail Qemalit, në Vlorën e luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në Vlorën e mijëra burrave dhe grave të shquara, që kanë sakrifikuar gjithçka të shtrenjtë për të themeluar shtetin dhe për t’i dhënë lirinë Shqipërisë. Vlora na ka bërë gjithmonë të ndihemi krenarë. Na bëri të tillë edhe nëntorin e kaluar, pavarësisht se u bënë përpjekje për ta anashkaluar në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë vendin ku u krijua shteti dhe burrin e madh të kombit që ngriti flamurin, patriotin e shquar Ismail Qemalin. Ata që u përpoqën të anashkalojnë Vlorën dhe të anashkalojnë Ismail Qemalin bënë një gabim të madh sepse guxuan të maten me historinë. Por më 24 qershor ata nuk do të kenë më mundësi të bëjnë histori, dhe Vlora bashkë me Ismail Qemalin dhe veprën e tyre do të mbeten gjithnjë të dashura të shtrenjta për mbarë kombin.

Kur thua Vlorë nuk të vjen përpara syve pushteti, por kur thua Vlorë të vjen në kujtesë shteti, themelet e tij, institucionet e tij, sepse këtu u krijuan për herë të parë themelet e shtetit tonë. Dhe sot pas 100 vitesh Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, është një vend që ka bërë jo pak në rrugën e mundimshme drejt integrimit evropian. Është një vend që është zhvilluar jo pak falë sakrificave të panumërta të shqiptarëve dhe të vlonjatëve. Është një vend që gjatë këtyre viteve të fundit arriti një sukses të rëndësishëm, sikurse ishte liberalizimi i vizave, por integrimi evropian vazhdon ende të jetë një projekt i papërmbushur, i parealizuar, pra integrimi evropian për fat të keq sot është ende në udhëkryq, sepse politika e mbrapshtë dhe konfliktuale vazhdon të mbajë Shqipërinë larg Bashkimi Evropian.

Ndaj jemi sot këtu në Vlorë për të dhënë mesazhin tonë të vendosur se Vlora dëshiron të ecë më shpejt në rrugën e progresit, në rrugën e zhvillimit dhe në rrugën e integrimit. Jemi sot këtu për t’i thënë cilitdo që premton të hapë 250 mijë vende pune në katër vitet e ardhshme, por nuk hapi dot 50 mijë vende pune në tetë vitet që po mbyllen, se Vlora nuk ngopet me lugën e zbrazët. Se Vlora kërkon ndryshim. Se Shqipëria kërkon një model të ri ekonomik, kërkon një zhvillim të qëndrueshëm, kërkon të kalojë nga një ekonomi e konsumit e financuar nga të ardhurat e dërguara nga emigrantët tanë në një ekonomi që prodhon, në një ekonomi që eksporton, në një ekonomi që konkurron.

Ndaj jemi sot këtu për t’u thënë të gjithëve që mbajmë fjalime për arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë në kohë krize duke  lënë pas Gjermaninë dhe vendet më të zhvilluara të planetit, se Vlora nuk mund të pajtohet me këtë arrogancë, me këtë vetëkënaqësi, me këtë injorim të realitetit të problemeve ekonomike, sociale që kanë qytetarët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë. Jemi këtu për t’u thënë se nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata, nuk mund të vazhdohet të qeveriset me autolëvdata të tilla kur borxhet ndaj kompanive që kanë bërë punë publike po shkojnë drejt 300 milionë euro të papaguara duke i vënë këto kompani në vështirësi shumë të mëdha përpara bankave dhe duke rritur në mënyrë të jashtëzakonshme kreditë e këqija. Nuk mund të vazhdohet me këtë eufori boshe të sukseseve ekonomike, kur borxhi ndaj bizneseve për mosrimbursimin e TVSH-së po i kalon 200 milionë euro.

Shqipëria ka nevojë për një alternativë realiste, me këmbë në tokë, për një alternativë e cila kujdeset për njerëzit. Ndaj LSI ka një vizion të qartë dhe një plan konkret për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për punësimin e sigurt dhe afatgjatë të qytetarëve tanë. Ka një plan konkret për transformimin e bujqësisë dhe krijimin e shoqërive bujqësore, ku fermerët nuk janë thjesht bujq në ngastrat e tyre, por aksionerë të këtyre sipërmarrjeve bujqësore. LSI është e vendosur për të aplikuar skemën e granteve, të subvencioneve dhe kredive agrare me interesa të favorshme deri në 3 për qind, që të rritet prodhimi bujqësor që të shtohet numri i fermerëve dhe të krijohen vende të reja në industrinë agro-përpunuese. LSI është e vendosur për të rritur investimet në resortet turistike sipas një strategjie kombëtare integrale.

Ne duam një Shqipëri dhe një Vlorë me një turizëm të zhvilluar dhe elitar sepse aktualisht bukuritë që na i ka falur Zoti nuk po i shfrytëzojmë në mënyrën e duhur për të rritur punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë sepse nuk ka politika të qarta dhe stimuluese në këtë sektor për ta kthyer atë në një industri të vërtetë. LSI është e vendosur për të shtuar dhe për të krijuar bizneset e reja përmes lehtësirave fiskale dhe kredive të buta që do të fokusohen në sektorët me intensitetin më të lartë të punësimit, si ai fason, call-center, parqe industriale e kështu me radhë, sepse ne duam një Shqipëri ekonomia e së cilës konkurron denjësisht në rajon për klimën e biznesit dhe thithjen e investimeve të huaja si mënyra më e sigurt për të rritur punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Ne duam një Shqipëri ku shërbimet dhe investimet publike të mos bëhen sipas interesave të politikanëve por në interesin e sa më shumë taksapaguesve shqiptarë. Ne duam një Shqipëri që respekton shtetin ligjor dhe Kushtetutën sepse ato janë baza për një të ardhme të sigurt, sepse ato janë standarde të domosdoshme për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian.

Politikanët kanë ikur dhe do të vijnë. Por, shteti do të vazhdojë të mbetet dhe është detyra jonë për ta konsoliduar atë, për të arritur standarde të reja në shërbim të qytetarëve tanë. N
e kemi nevojë për një shtet strateg dhe jo thjesht një ambulancë që shërben në raste urgjente. Ne duam një Shqipëri që asetin e saj më të vyer, rinisë, t’i kthejë shpresën për të ardhmen evropiane, këtu në Vlorë dhe në Shqipëri dhe shpresë do të thotë më shumë alternativa, programe ekonomike, sociale, arsimore, por edhe tolerancë politike dhe kulturë e re evropiane në marrëdhëniet tona. Shpresë do të thotë jo vetëm aspiratë, por edhe përkushtim, solidaritet, vizion për sot, për nesër dhe për dekadat që vijnë.

Ndaj ne jemi sot këtu për të shprehur edhe njëherë tjetër vendosmërinë tonë si forcë politike për t’ju përkushtuar këtyre qëllimeve, për ti qëndruar larg konfliktualitetit politik shterpë që vazhdon të mbajë peng mirëqenien e qytetarëve tanë por edhe procesin tonë të integrimit evropian. Ne duam një Shqipëria pa politikanë përçarës dhe konfliktualë, të cilët përpara një jave na e kthyen Parlamentin e leshit, ndërsa sot e kthyen në Parlamentin e veshit. Nuk është ky Parlamenti që i duhet Shqipërisë. Shqipërisë i duhet një Parlament që merret me shqetësimet kryesore të vendit, një Parlament që merret me reformat kryesore që e integrojnë atë në Bashkimin Evropian. I duhet një Parlament larg akuzave dhe denigrimeve, të cilat nuk kanë asnjë lidhje as me qytetarët më të thjeshtë në skajin më të largët të këtij vendi. Ne duam një Shqipëri me një klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen, që di të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse jemi i vetmi vend në Evropë, edhe pse jemi prej vitesh në NATO, që ende nuk kemi realizuar zgjedhje të pakontestuara.

Lidhur me çështjen e zgjedhjeve, dua ti them sot nga Vlora, kryetarit të Partisë Demokratike të mos shohë ëndrra me sy hapur se opozita do të bojkotojë apo se opozita do të shtyjë zgjedhjet e 23 qershorit. Opozita, Vlora dhe Shqipëria duan që zgjedhjet të bëhen që sot. Ne jemi vendi që krenohemi se jemi me popullsinë më të re në Evropë, ndaj që të ecim më shpejt, jam i sigurt se rinia e Vlorës, se rinia e Shqipërisë do të thotë në mënyrë të qartë e të sigurt fjalën e saj në 23 qershor, në mënyrë që ti hapet rruga një ndryshimi themelor, në mënyrë që ti japin fund politikës ndalese dhe përjashtuese, në mënyrë që të nisim vërtet një politikë të re të bashkëpunimit edhe me demokratët që do të jenë nesër në opozitë. Sepse ata nuk janë armiqtë tanë, ata janë bashkëqytetarët tanë, ata janë miqtë tanë, ata janë komshinjtë tanë. Por, ata e dhanë maksimumin që mund të jepnin gjatë këtyre tetë viteve. Tani është koha për ndryshim dhe përmes këtij ndryshimi do të realizohet një bashkëpunim shumë i gjerë dhe i domosdoshëm që i ka munguar vendit deri tani midis mazhorancës së ardhshme dhe opozitës së nesërme.

Lëvizja Socialiste për Integrim është e bindur në suksesin tonë në këto zgjedhje sepse është interes i gjerë i publikut, sepse është interes i veçantë i realizimit të projektit tonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda tetë viteve të ardhshme. Ne jemi të sigurt në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Aleanca për Shqipërinë Evropiane e nisi rrugën e fitores në qytetin e Shkodrës dhe kulmin e fitores do ta ketë këtu në Vlorë në 23 qershor.  E kemi të pamundur ta mundim Berishën këtu në Vlorë 8 me 2, sepse janë 12 mandate, por ju jap fjalën se do ta mundim 9 me 3. Ashtu sikurse ju jap fjalën se të 12 kandidatët dhe kandidatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jenë të gjithë djemtë dhe vajzat e Vlorës që rrinë dhe jetojnë me hallet dhe me shqetësimet e këtij populli të mrekullueshëm. Rroftë Vlora heroike. Fitore në 23 qershor për të mirën e gjithë vlonjateve, për të mirën e të gjithë shqiptarëve, edhe për të mirën e Sali Berishës.