Monika Kryemadhi : Të ecim më shpejt për një jetë më të mirë për të gjithë shqiptarët

Monika Kryemadhi : Të ecim më shpejt për një jetë më të mirë për të gjithë shqiptarët

monikakryemadhi27052013

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, ka marrë pjesë sot në Aktivin  e Lëvizjes Rinore për Integrim në Rrethin e Matit, një takim entuziast ku merrnin pjesë qindra të rinj.

Në fjalën e saj znj. Kryemadhi deklaroi se të gjithë më 23 qershor duhet të votojnë LSI-së sepse kjo votë është një kontribut për të ecur më shpejt drejt një jetë më të mirë për të gjithë shqiptarët. Duke vlerësuar kandidatin për deputet të LSI-së në Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, znj Kryemadhi tha se matjanët dhe dibranët kanë nevojë për një njeri që të ngrejë gjithmonë zërin për problemet e përditshme të tyre.  “Për ne në Tiranë është shumë e thjesht të bësh politike për ta bësh këtë në vende si Burreli, Peshkopia, Bulqiza apo edhe nëpër komuna është shumë e vështirë për shumë arsye, për vetë situatën, për vetë ambientin, për vetë agresivitetin e politikës. Mendjeshkurtësia e disa njerëzve që mendojnë që pushtetin e kanë të përjetshëm bën që për ju të jetë shumë e vështirë dhe unë për këtë dua t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra sepse ju jeni heronjtë e Lëvizjes Socialiste për  Integrim.

Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme është që puna më e madhe për ju dhe për të gjithë ne është data 23 qershori. Qarkut të Dibrës i takon, edhe sepse ia borxh LSI-së, deputeti në 2013-n, Përparim Spahiu. Kjo jo sepse Përparimi ka nevojë për një karrige në Parlament por sepse ka nevojë Qarku i Dibrës për një njeri si Përparimi, për një deputet i cili të mendojë dhe të mos gënjejë qytetarët qoftë për rrugët, qoftë për ujin, qoftë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Dua të theksoj që ju keni nevojë për një deputet që të ngrejë zërin për ju, ju keni nevojë për një njeri që të jetë prezentë për ju, ju keni nevojë për një njeri që të zgjidhë hallet tuaja. Ju e keni shansin për mos ta humbur më 23 qershor dhe të votoni LSI-në”, u shpreh Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Sipas saj Rrethi i Matit nuk është larg nga Tirana por është larg me infrastrukturë nga Tirana, është larg me investime nga Tirana, është larg në vëmendjen e qeverisë nga Tirana. “Prandaj ne duhet ta sjellim më afër në mentalitet, në qeverisje, në arsim, në kulturë në art dhe kudo në të gjithë jetën tuaj.  Tashmë jemi edhe komshinj sepse unë kandidoj në Qarkun e Lezhës kështu që do të shihemi edhe pak më shpesh. Do të ndajmë edhe mundësinë e komunikimi dhe si mund të ndihmojmë njëri-tjetrin. Dua t’ju falënderoj sinqerisht për angazhimin tuaj dhe sidomos për të rinjtë dhe të rejat që janë anëtarë të LSI-së në qytetin e Tiranës sepse janë nga të rinjtë më aktivë që ne kemi atje. Ne duhet të ecim më shpejt për të ndryshuar këtë ritëm të ngadaltë i cili po na lë mbrapa. Ka ardhur koha të ecim më shpejt për një jetë më të mirë, për një arsimim më të mirë, për një shëndetësi më të mirë dhe për një infrastrukturë më të mirë. Ka ardhur koha që sot populli të mendojë për veten e ti dhe jo për një jetë më të mirë për politikanët që shfrytëzojnë pushtetin e popullit”, tha ndër të tjera në fjalën e saj para qindra të rinjve në qytetin e Burrelit, Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani

Ndërkohë që nga ana e tij nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, i bëri thirrje të gjithë rinjve që të ta japin në të gjithë Matin mesazhin e fitores e cila sipas tij është një rikthim i ekuilibrit dhe kthim i normalitetit.  “Duhet të përpiqeni, që pas mbarimit të këtij takimi, të shkojmë derë më derë dhe të japim mesazhin jo vetëm të fitores por edhe të rikthimit të ekuilibrit e të kthimit të normalitetit. Është rruga më e mirë për të ecur më shpejt sepse burrat e vjetër të Qarkut të Dibrës ka kohë që i japin Partisë Demokratike  60 për qind mbështetje. Dhe çfarë kanë marrë në shkëmbim? 60 për qind varfëri.

 I japin katër mandate deputetësh. Çfarë kanë marrë në këmbim? Katër mijë halle më shumë. Asnjë lopatë zift nuk meriton dot rrethi i Burrelit? Një rreth, të cilit i është shitur një pasuri rreth 120 milion dollarë hidrocentrale. Dhe nuk e meritoka ky rreth të ketë një rrugë më të mirë? Nuk e meritoka ky rreth të ketë një spital edhe më të mirë sesa ky? Nuk meritoka ky rreth që të trajtojë më mirë rininë me kënde sportive dhe me evente rekreative? Kjo është e padrejtë. Prandaj, duhet të keni parasysh se ne nuk jemi për të ndarë matjanët dhe dibranët në demokratë dhe socialistë. Ne jemi për ti bashkuar njerëzit drejt trenit që do ta çojë Shqipërinë gjithnjë e më shpejt dhe sa më parë në rrugën e Evropës. Ky është një udhëkryq që do duhet të dalim sa më parë. Është një udhëkryq që do duhet ta nxjerrim Shqipërinë sa më parë. Ka vetëm një drejtim ky kryq që e shpëton Shqipërinë, që i shpëton të gjithë shqiptarët kudo që janë. Dhe kjo është rruga e Evropës. Prandaj LSI-ja dhe LRI-ja është flamuri i udhëheqjes së këtij treni në rrugën e Evropës”, u shpreh z. Manjani.  “I riu Hashim Thaçi i solli paqen Ballkanit, por nuk e kishte të thjeshtë ta bënte.

 Nuk është e thjeshtë të nënshkruash dhe të negociosh me hasmin shekullor. Por, një i ri entuziast e bëri këtë punë, i solli paqen Ballkanit. Dhe ne kemi një plak atje në krye të qeverisë, prandaj nuk duhet shkuar më me pleq, që nuk ka kurajë të ulet dhe të negociojë për të menaxhuar zgjedhjet, për  të ndërtuar një Komision Qendror të Zgjedhjeve të besueshëm, sepse ka ngelur me katër anëtarë, sikur po xhiron filmin e Kinostudios “Ato ishin katër”. Nuk shkon kjo punë kështu, prandaj edhe njëherë ju lutem të bëhemi mesazhierë të bashkimit. E ka thënë Ilir Meta, është logo dhe slogani i LSI-së: Pa bashkim, nuk ka integrim. Ne do ta bëjmë këtë bashkim. Çojeni këtë mesazh deri në fund sepse kjo është e vetmja mënyrë që ne të tregojmë se jemi forcë politike serioze dhe është e vetmja mënyrë që ne të shkojmë drejt Evropës. Ne do të shkojmë drejt Evropës me një tren të shpejtë. Duhet që patjetër të ecim më shpejt, por të ecim më shpejt me mend në kokë, me logjikë të ftohtë. Do ecim më shpejt duke i bashkuar forcat dhe jo duke i ndarë. Do ecim më shpejt duke zgjedhur progresin. Do ecim më shpejt duke u interesuar për të gjithë, si për brezin e vjetër ashtu edhe për të riun. Do ecim më shpejt duke siguruar më shumë vende pune. Do ecim më shpejt duke e zhvilluar Shqipërinë. Shpërndahuni shtëpi më shtëpi dhe përcilleni këtë mesazh, pasi ky është mesazhi i fitores, ky është mesazhi për të ecur përpara”, tha ndër të tjera në fjalën e tij Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani.