Ilir Meta priti Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore

Ilir Meta priti Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore

ilirmeta16042013-2

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore në selinë e partisë.

Z. Meta dhe z. Moore biseduan mbi situatën politike në vend, dhe mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe transparente me qëllim avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë.

Pas takimit z. Meta dha një prononcim për shtyp:

Z. Meta, sapo keni përfunduar takimin me z. Jonathan Moore, takim i cili zhvillohet në një kohë kur klima politike në vend është tepër e acaruar. Çfarë pikëpamjesh i parashtruat z. Moore për situatën aktuale politike që po kalon Shqipëria?

Kjo është situata më e pamerituar politikisht që po kalon vendi, aq më tepër në prag të një evenimenti kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, sikurse është ai që ka të bëjë me realizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat prej kohësh janë cilësuar nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë partnerët tanë, si kruciale për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe natyrisht që minimi përfundimtar nga pseudomazhoranca e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si institucioni i pavarur që ka përgjegjësinë për administrimin e këtij procesi, ka krijuar një situatë tepër të rëndë dhe dramatike, e cila tregon qartë se qeveria aktuale nuk ka as vullnetin më minimal për të kontribuar për zgjedhje të ndershme e të lira, për të respektuar pavarësinë e institucioneve dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj në këtë proces kaq madhor për vendin.

Z. Meta, dorëheqja nga posti i tyre i dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duket se ka futur këtë institucion në një ngërç. Sipas jush, si mund të zgjidhet ky ngërç?

Nuk mendoj se është dorëheqja e anëtarëve të KQZ-së ajo që e ka futur në ngërç institucionin. Ajo që e ka asgjësuar institucionin si i tillë siç është vetë në Kushtetutë dhe në kod si institucion i pavarur është ndërhyrja e dhunshme e pseudomazhorancës në kundërshtim me Kushtetutën, me kodin, me procedurat parlamentare dhe në kundërshtim me të gjitha vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për të pasur një proces konsensual dhe konstruktiv, në mënyrë që të respektohet pavarësia e institucionit të KQZ-së por edhe të dresoheshin shqetësimet të cilat kishin të bënin me balancimin e administrimit të zgjedhjeve në nivelet më të ulëta.

A pati ndonjë sugjerim nga z. Moore për situatën politike?

Nuk mund të flas në emër partnerëve të nderuar. Ata kur e çmojnë mund të flasin vetë. Kjo është situatë tepër shqetësuese. Kemi një shantazh të qartë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj opozitës për të vënë dorë mbi zgjedhjet duke vënë dorë mbi qeverinë e pavarur të zgjedhjeve. Kemi edhe shumë simptomave të tjera shqetësuese dhe kritike. Pseudomazhoranca duhet të reflektojë urgjentisht përndryshe do të mbajë të gjitha pasojat dhe të gjitha për përgjegjësitë për çdo problem dhe përshkallëzim të tensionit në vend. Vendi ka nevojë për procese konstruktive, transparente, kushtetuese, të ligjshme. Nuk ka nevojë për dhunë si ajo që u ushtrua me kartona në Parlament dhe është momenti për të reflektuar përpara se të jetë vonë.