Pukë – Ilir Meta : Nuk mund të ecet në rrugën e integrimit duke i bërë karshillëk perëndimit

Pukë – Ilir Meta : Nuk mund të ecet në rrugën e integrimit duke i bërë karshillëk perëndimit

ilirmeta16042013-1

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë sot në një takim në Pukë me qindra qytetarë të këtij rrethi. Në këtë takim u prezantua edhe kandidatja për deputete i LSI-së në Pukë, Sajmira Laçi, ndërkohë që 250 anëtarë të rinj i janë afruar radhë të LSI-së, një pjesë prej të cilëve Lideri i LSI-së u dha edhe dokumentet e anëtarësisë. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se “duke mbështetur Sajmirën ju keni mbështetur LSI-në, ju keni mbështetur veten tuaj për një të ardhme më të mirë. Kemi nevojë për njerëz të tillë. Të përkushtuar, të dashur, të kudogjendur, të cilët janë pranë bashkëqytetarëve të tyre për t’i ndihmuar dhe për t’i qarë hallet e tyre në momente të vështira dhe delikate. Ndaj besoj se me humanizmin e saj, me shpirtin e saj të sakrificës dhe të përkushtimit ajo na bën një nder të gjithëve duke kandiduar dhe unë jam i bindur se vlerësimi për të do të jetë maksimal”.

Në fjalën e tij para qytetarëve pukjanë z. Meta deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim është forcë e së ardhmes. Sipas tij LSI është e njerëzve që guxojnë në emër të saj, e tillë ka qenë që nga krijimi, akoma më shumë është sot dhe të gjithë, çdo ditë e më shumë, po i japin të drejtë edhe vendimit tonë më të fundit për të ndërtuar një koalicion të ri, i cili do ti japë një frymëmarrje të re Pukës dhe gjithë Shqipërisë. “LSI ka qenë dhe mbetet një forcë e angazhuar për stabilitetin e vendit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian. Ne dhamë maksimumin tonë për liberalizimin e vizave dhe njëkohësisht për të krijuar një frymë sa më të gjerë bashkëpunimi dhe konsensusi për reformat që kërkonte Bashkimit Evropian. Ne bëmë më të mirën për të ndërtuar një proces konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, sikurse ju e keni ndjekur, ai nuk arriti të realizohej plotësisht si i tillë duke lënë gjurmë negative në gjithë procesin e integrimit evropian”, tha z. Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se LSI i qëndroi me korrektesë maksimale marrëveshjes me Partinë Demokratike por natyrisht që çdo marrëveshje ka kohën e saj dhe në momentin që koha e kësaj marrëveshjeje përfundoi. “Ne u ndamë si qytetarë me Sali Berishën dhe me Partinë Demokratike, pavarësisht se ai e ka të vështirë të ndahet në këtë mënyrë. Ne jemi të bindur se duke ndërtuar një koalicion të ri, ne i japim një mundësi të madhe Pukës dhe gjithë Shqipërisë për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit evropian. Puka nuk mund të jetojë më mirë as me fjalimet e Berishës, as të Ilir Metës dhe të askujt tjetër. Puka ka nevojë për vepra konkrete sidomos në drejtim të punësimit. Duhet të ndahemi njëherë e mirë me idetë që vijnë nga e kaluara se Shqipëria është vendi më i lulëzuar në botë dhe se e gjithë bota duhet të marrë shembull Shqipërinë. Shqipëria është një vend që ka ecur në rrugën e progresit, por është një vend që ka probleme shumë të mëdha ekonomike e sociale. Jo vetëm kaq, por është një vend, i cili po sfidohet në mënyrë krejtësisht primitive dhe destruktive edhe në ato standarde të demokracisë që ishin arritur deri tani”, u shpreh Lideri i LSI-së.

Duke folur për rastin më të fundit të dhunimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Meta tha se kjo u bë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Perëndimin. Sipas tij kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i qartë i një pseudomaxhorance që po perëndon me fytyrën dhe mendjen nga Lindja. “Rasti më i fundit i sjelljes së Berishës me Kushtetutën, me Kodin, me KQZ-në veçse përforcon të gjitha argumentet tona se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, se vendi e ka të pamundur të ecë më shpejt përpara përmes një qendre të vetme politike që kontrollon të gjitha institucionet, në një shtet demokratik ku ato duhet të jenë të pavarura”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Ai deklaroi se “unë besoj shumë në përkrahjen tuaj për Lëvizjen Socialiste për Integrim sepse ne jemi një forcë koherente, ne jemi një forcë që duam të ndihmojmë vendin dhe qytetarët tanë për të ecur më shpejt përpara. Nuk mund të ecet në rrugën e integrimit duke i bërë karshillëk perëndimit. Kjo koha ka përfunduar e mirë. Ne jemi nevojë për një vend i cili përmirëson standardet e tij demokratike, i cili përmirëson institucionet e tij të pavarura, i cili rrit besimin tek zgjedhjet e lira e të ndershme dhe te respekti i votës së çdo qytetari shqiptar. Nuk kemi nevojë më për modele të cilat i takojnë një të kaluare shumë të largët dhe që nuk kanë lidhje jo me Evropën por as me Ballkanin prej një kohe të gjatë”.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Shqipëria është një vend tashmë i lidhur ngushtësisht me Evropën dhe me perëndimin dhe do të eci në këtë rrugë me vendosmëri të jashtëzakonshme, gjë që do ta tregojë në mënyrë plebishitare, shumica dërrmuese e qytetarëve të Pukës dhe qytetarëve shqiptarë, më 23 qershor. “Puka dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për politikanë që duan t’i ndajnë pukjanët dhe shqiptarët, për politikanë të cilët nuk i lënë rehat të shohin një telenovelë për të harruar hallet sepse bllokojnë televizionet pambarim me të njëjtat fjalime çdo dite. Puka ka nevojë për punësim, ka nevojë për të mbështetur intelektualët e saj të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat”, tha Meta. Duke përfunduar Lideri i LSI-së tha se LSI është një forcë që rritet në të gjithë vendin, është një forcë e cila i ka thyer dhe do t’i thyej të gjitha parashikimet sepse LSI hapet çdo ditë ndaj të rinjve dhe të rejavepërfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Pukë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.