Ilir Meta: Bashkimi i së Majtës Shqiptare në Funksion të Integrimit Evropian të Shqipërisë

Ilir Meta: Bashkimi i së Majtës Shqiptare në Funksion të Integrimit Evropian të Shqipërisë

ilirmetaedirama22042013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dhe ai i Partisë Socialiste, Edi Rama, nënshkruan në Shkodër marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Marrëveshja u firmos me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të së majtës së evropiane. Marrëveshja LSI-PS është në kuadër të së majtës së bashkuar në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Firmosja e marrëveshjes u bë pas Konferencë për Ballkanin së Partive Socialiste Europiane. Në këtë konferencë u diskutuan problemet më të mprehta që shqetësojnë Europën e në veçanti, rajonin e Ballkanit, ku mjaft çështje, me karakter etnik kryesisht, janë mbyllur me mundim. Ata kanë nxitur nevojën e pajtimit atje ku ka pasur urrejtje, nevojën e bashkëpunimit atje ku ka pasur përçarje, nevojën e afrimit atje ku ka pasur ndasi. Çështje me shumë rëndësi është konsideruar përfshirja edhe e vendeve si Shqipëria në BE. Në fjalën e tij kryetai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se bashkimi i të majtës shqiptare dhe i gjithë forcave progresiste, përmes kësaj marrëveshjeje, është një aksion politik historik, i domosdoshëm, që bashkon vullnetin dhe dëshirën e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim substancial në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Fjala e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në Konferencën Ballkanike në Partisë Socialiste Evropiane

Të nderuar miq dhe pjesëmarrës është një kënaqësi të shohim se një eveniment i rëndësishëm i Partisë Socialiste Evropiane dhe Grupit socialist dhe socialdemokrat në Parlamentin Evropian organizohet në mënyrë të përbashkët në Shqipëri dhe në Malin e Zi, në Shkodër dhe në Budva. 14 vite më parë ndoshta kjo nuk mund të mendohej por absolutisht që është një meritë e veçantë e socialistëve shqiptarë dhe e socialistëve të Partisë Demokratike të Malit të Zi, të cilët vetëm në pak vite, në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000, i shndërruan marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi nga gati armiqësore, për shkak të së kaluarës, në një model të shkëlqyer për bashkëpunimin për të gjithë rajonin tonë.

Nuk ka integrim pa bashkëpunim dhe kjo është absolutisht e rëndësishme dhe e domosdoshme të theksohet si në rastin kur bëhet fjalë fjalë për integrimin rajonal apo integrimin evropian të një rajoni ashtu edhe kur bëhet fjalë për integrimin e një vendi. Edhe Shqipëria duhet të kishte avancuar shumë më tepër gjatë këtyre 4 viteve në raport me Bashkimin Evropian. Kjo nuk ka ndodhur pikërisht sepse ka mbizotëruar klima e konfliktit dhe mungesa e duhur e bashkëpunimit. Pikërisht në emër të këtij bashkëpunimi dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë Lëvizja Socialiste për Integrim iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS-së dhe kryetarit të saj Edi Rama për krijimin e një koalicioni paraelektoral për të bashkuar të majtën dhe të gjithë forcat opozitare për zgjedhjet e afërme të 23 qershorit. Bashkimi i të majtës shqiptare dhe i gjithë forcave progresiste, përmes kësaj marrëveshjeje, është një aksion politik historik, i domosdoshëm, që bashkon vullnetin dhe dëshirën e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim substancial në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Zgjedhjet e 23 qershorit janë një gurë prove për demokracinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot e majta shqiptare ndjen përgjegjësinë historike dhe detyrën patriotike kombëtare për të hapur një perspektivë të re, e cila mbyll përfundimisht tranzicionin 22 vjeçar dhe integron shqiptarët në mënyrë të merituar në familjen evropiane. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët, jam i bindur që do të sjellin një ritëm të ri në reformimin e vendit, institucioneve, të ekonomisë dhe të shoqërisë sonë me qëllim integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian.

Kjo aleancë e re bazohet në vlera të njëjta themelore të social-demokratëve dhe progresistëve evropianë. Ky është një koalicion i natyrshëm dhe do të jetë solid dhe afatgjatë. Ndaj dua të falënderoj sot të gjithë miqtë nga Partia Socialiste Evropiane dhe grupi socialist dhe socialdemokrat në Parlamentin Evropian, të cilët janë të pranishëm dhe që na kanë inkurajuar për të lënë pas të shkuarën dhe për tu bashkuar në interes të Shqipërisë, për të hapur një perspektivë të re shprese për të gjithë qytetarët tanë. Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë edhe ata që nuk ndodhen këtu, sidomos Presidentin e Partisë Socialiste Evropiane, Sergey Stanishev, dhe kryetarin e Grupit Socialist dhe Socialdemokrat në Parlamentin Evropian, Hannes Sëoboda.

Qëllimi ynë kryesor është anëtarësimi i Shqipërisë sa më shpejt në Bashkimin Evropian sepse ne duam një Shqipëri ku prioritetet e vendit janë prioritetet e vetë politikës. Ne duam një Shqipëri me stabilitet politik të qëndrueshëm, larg tensioneve të panevojshme politike. Ne duam një Shqipëri demokratike, me institucione të pavarura që garantojnë zgjedhje të lira, transparente dhe me standarde evropiane. Është për të ardhur keq që edhe pse jemi vend anëtar i NATO-s ende kemi shqetësime serioze me standardet e zgjedhjeve dhe kjo është e papranueshme për të gjithë ne dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë. Rajoni i Ballkanit dhe vetë Evropa kanë nevojë për një Shqipëri më të qëndrueshme, e cila do të vazhdojë të garantojë vlerat evropiane dhe do të punojë edhe më shumë për stabilitetin dhe paqen në rajon, duke kontribuar kështu vazhdimisht për integrimin e tij të mëtejshëm. Dhe ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rolin dhe përgjegjshmërinë që kemi përsa i takon integrimit rajonal.

Ne nuk do tolerojmë që Shqipëria të mbetet peng i politikës konfliktuale sepse është e pafalshme për qytetarët tanë. Në një kohë kur Serbia dhe Kosova arrijnë një marrëveshje historike, pavarësisht të shkuarës së përgjakshme, ne ende nuk zgjidhim dot problemin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe marrëveshja historike midis Serbisë dhe Kosovës është shembulli më i mirë se si perspektiva evropiane prodhon bashkëpunim të frytshëm dhe për rrjedhojë ka efekte konkrete mbi jetën e qytetarëve të rajonit tonë. Sot shqiptarët kërkojnë një vizion të ri të një qeverisje progresiste dhe pro-perëndimore, e cila nuk përplaset me Perëndimin, e cila nuk përqafon retorikat boshe nacionaliste, sepse nacionalizmi është e kundërta e integrimit. Sepse nacionalizmi vetëm krijon probleme ndërsa integrimi është e vetmja rrugë për të zgjidhur problemet.

Në këto kohë të turbullta të krizës ekonomike evropiane dhe ndërkombëtare, por edhe të vendeve fqinje, Shqipëria ka nevojë për një alternativë, e cila fokuset tek vlerat e socio-demokracisë
, që siguron një rritje ekonomike dhe punësim dinjitoz për të gjithë, që siguron një shpërndarje më harmonike të burimeve dhe të vetë rritjes ekonomike duke zgjeruar programet e përfshirjes sociale. Me kapitullimin e fondamentalizmit të tregut, me dorën e padukshme, për të gjitha vendet e rajonit është e rëndësishme të rikonceptojmë modelin social-demokrat të zhvillimit ekonomik dhe të progresit social, përmes dorës së dukshme të shtetit dhe politikave të përgjegjshme rregullatore që shërojnë plagët e varfërisë dhe adresojnë me prioritet çështjet e papunësisë, sidomos për të rinjtë tanë. Axhenda jonë progresiste do të dijë t’i japë përgjigje sfidave të përbashkëta ekonomike dhe rajonale, duke ndërtuar një treg të përbashkët rajonal të energjisë, por njëkohësisht duke punuar bashkërisht për të ndërtuar një rrjet rajonal të transportit apo për të hartuar një paketë rajonale turistike të përbashkët si dhe për të realizuar heqjen e të gjithë pengesave që qëndrojnë ende në rrugën e integrimit të plotë të tregjeve tona. Në këtë mënyrë edhe integrimit evropian do të jetë më i shpejtë. Tregjet tona do të jenë më konkurrenciale. Zhvillimi ekonomik më i qëndrueshëm dhe punësimi nuk do të jetë më një plagë e shoqërive tona, siç është edhe sot.

Vizioni ynë është që Shqipëria të lërë pas edhe tranzicionin ekonomik, duke kaluar nga një model i rritjes ekonomike, bazuar kryesisht në konsum joproduktiv të financuar kryesisht nga remitancat e emigrantëve tanë drejt një modeli që bazohet në gjallërimin ekonomik përmes investimeve private-publike, si dhe rritjes së prodhimit dhe rritjes së eksporteve në mënyrë që të garantohet rritje ekonomike afatgjatë dhe e qëndrueshme në dobi të të gjithë qytetarëve tanë. Por mbi të gjitha, ne do të punojmë për të krijuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë, për një mirëqeverisje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme duke i qëndruar besnik parimeve dhe vlerave social-demokrate për të realizuar aspiratën e të gjithë shqiptarëve, e cila është anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sot nga Shkodra nis ky eveniment i rëndësishëm i socialistëve evropianë për Ballkanin, por unë jam i bindur se sot nga Shkodra nis edhe fitorja e së majtës së bashkuar në 23 qershor në Shqipëri.