22 May LRI zhvillon Konventën Kombëtare, merr pjesë lideri i LSI-së. Ilir Meta: Rinia vjen vetëm një herë, s’mund t’ia besoni të ardhmen Berishës

Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi sot Konventën Kombëtare, një aktivitet madhështor ku u prezantuan kandidatët për deputetë në radhët e këtij forumi. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili deklaroi se fitorja më 23 qershor ka vetëm një emër dhe ky emër është LRI. Z. Meta tha se LSI është dëshmia më e mirë e përfaqësimit të të rinjve, ku 4 nga 7 kandidatët e LSI në qarkun e Tiranës, i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim. “Një shprehje thotë se “pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë”. Ndaj dhe ju këtu dhe dhjetëra të rinj dhe të reja në gjithë Shqipërinë duam t’ia bëjmë të qartë kryeministrit që po largohet se rinia juaj, se rinia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë vjen vetëm një herë dhe nuk kemi më kohë për të provuar dhe eksperimentuar një njeri që i pati të gjitha mundësitë për 8 vite për të treguar përkushtimin e tij ndaj jush dhe ndaj gjithë të rinjve të Shqipërisë”, tha ndër të tjera z. Meta.