Meta: Ne me planin tonë të punësimit duam që ta vëmë Shqipërinë në punë, ndërsa Saliu me përrallat që tregon çdo natë do që ta vërë në gjumë

Meta: Ne me planin tonë të punësimit duam që ta vëmë Shqipërinë në punë, ndërsa Saliu me përrallat që tregon çdo natë do që ta vërë në gjumë

ilirmeta27052013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim madhështor në qytetin e Ballshit, takim në të cilin është prezantuar ekipi i kandidatëve për deputetë në Qarkun e Fierit, në veçanti kandidati i LSI-së për Rrethin e Mallakastrës, Ardian Alushi. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke prezantuar z. Alushi deklaroi se ai është një kandidaturë e spikatur dhe një intelektual me eksperiencë. “Jam shumë i lumtur që ndodhem në Ballsh në këtë nisje të fushatës sonë elektorale për fitoren e padiskutueshme të 23 qershorit dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu së bashku me shokët e tjerë për të dhënë mbështetjen time për një bir të shkëlqyer të popullit të Mallakastrës.

Unë e njoh atë që në fillim të viteve ‘90 kur ishim në rininë eurosocialiste dhe sot është kandidat ynë dhe i juaji, Ardian Alushi, i cili është një kandidaturë mjaft e spikatur, është një intelektual me shumë eksperiencë. Me eksperiencën e punës përfaqëson gjithë atë shtresë të elitës së inxhinierëve dhe teknikëve të Ballshit dhe të Mallakastrës në industrinë e naftës, që ka qenë një krenari për Ballshin dhe për gjithë Shqipërinë. Një njeri që i ruan lidhjet të pandashme me populli të cilit i takon dhe një njeri i cili kërkon përkrahjen dhe mbështetjen tuaj në zgjedhjet e 23 qershorit në mënyrë që ai të ketë mundësinë që çdo votë t’ua kthejë me mbështetje së bashku me mua dhe së bashku me të gjithë ekipin tonë”, tha z. Meta.


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh i bindur në një fitore spektakolare të LSI-së në Qarkun e Fierit. Rezultati i LSI-së në Qarkun e Fierit do të jetë një surprizë e jashtëzakonshme për të gjithë ata, të cilët nuk e kanë ndjekur nga afër të gjithë punën që është bërë këto kohë në të Fier në Lushnjë dhe në Mallakastër”, tha ai.

Z. Meta tha se LSI ka dallime mjaft të forta me kryeministrin aktual. “Ne shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit dhe kemi dallime shumë të forta me Kryeministrin që do të largohet, sepse ne me planin tonë të punësimit duam që ta vëmë Shqipërinë në punë, ndërsa Saliu me përrallat që tregon çdo natë do që ta vërë në gjumë. Por Mallakastra dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të votojnë më për premtime boshe dhe sa për rrugët që janë bërë para shtatë vitesh, ndërkohë që papunësia rritet çdo ditë, çmimet rriten çdo ditë dhe kosto e jetesës bëhet më e vështirë për mallakastriotët dhe të gjithë shqiptarët”, u shpreh Lideri i LSI-së.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se miratimi i statusit të naftëtarit do të jetë prioritet kryesor i LSI-së për naftëtarët e Ballshit, të Patosit, të Marinzës e kudo, sepse kanë punuar kanë lënë shëndetin e tyre në të mirë të ekonomisë së të gjithë vendit dhe meritojnë një vëmendje të veçantë. “Ne do ta vëmë në punë Mallakastrën dhe mallakastriotët, sepse ju e doni punën dhe e keni dashur gjithmonë. Sepse ju doni të jetoni me punën tuaj dhe për këtë keni nevojë për mbështetjen e qeverisë.

Ne kemi një plan të qartë për hapjen e vendeve të reja të punës në të gjitha fushat. Në atë të industrisë, të shërbimeve, të bujqësisë, dhe të industrisë agropërpunuese, në energjetikë dhe unë jam shumë i bindur që me LSI-në, Mallakastra do të gjallërohet, do të zgjohet më shpejt në mëngjes, sepse kanë ku të shkojnë njerëzit në mëngjes: do të shkojnë në punë. Shqetësimi ynë është punësimi i mallakastriotëve dhe i shqiptarëve, sidomos i të rinjve dhe të rejave që vrasin kohën jo për faj të tyre nëpër kafene dhe nëpër loto. Ndërsa shqetësimi i Saliut është si të mos lëshojë karrigen, por ne e kemi zgjidhur edhe këtë punë, do t’ia japim me vete ta marrë karrigen në shtëpi .

 

Sipas z. Meta LSI ka planin e saj për zhvillimin e vendit. “Ne kemi planin tonë, të cilin aktivistët tanë do ta shpërndajnë në çdo familje dhe që unë ju ftoj ta lexoni. Ne do të bëjmë taksë zero për pagat deri në 35 mijë lekë të reja. Edhe heqja e taksës që bëri Saliu për pagat deri në 30 mijë lekë para pak kohësh ka qenë një insistim i yni dhe ka qenë në planin për veprim të LSI-së që në 2009-n. Për pagat nga 35 mijë lekë deri në 50 mijë lekë të reja do të paguhet tatimi, jo mbi të gjithë pagën, por vetëm për diferencën nga 35 mijë deri në 50 mijë lekë të reja.

Për çdo të ri dhe të re që nuk ka një eksperiencë pune, që merret në punë nga një biznes do të subvencionohet një pjesë e pagës deri në 6 muaj në mënyrë që të ulim koston për formimin profesional në interes të biznesmenit apo sipërmarrësit.

Shqipëria i ka të gjithë mundësitë që, jo vetëm të gjithë mallakastriotët dhe të gjithë shqiptarët të punojnë, por ka mundësinë që të presë edhe emigrantët që të punojnë në Shqipëri, sepse ka një pozitë gjeografike të jashtëzakonshme

Por për të thithur këto investime, për të tërhequr këto fabrika është shumë e rëndësishme që ne të ndërtojmë parqe industriale dhe zona të lira ekonomike, në mënyrë që t’u themi ja ku e keni energjinë, ja ku e keni ujin, ja ku e ke rrugën ja ku e ke dhe një agjenci që të bësh të gjitha veprimet e mundshme doganore dhe tatimore në një vend, mos paguaj taksat vetëm hap vende të reja pune.

Z. Meta tha se “T’i japim mundësi gjithë popullit të shkojë në votime, t’i japim mundësi të gjithë Mallakastrës dhe gjithë Shqipërisë që pas 23 qershorit njerëzit të marrin frymë lirisht dhe të fillojmë të punojmë për të zhvilluar Mallakastrën, për të gjallëruar industrinë e naftës, që në punojë edhe ajo rafineria që më shumë rri mbyllur se sa rri hapur.

Që të mbështetet edhe bujqësia, se thotë që ka bërë hatanë për bujqësinë, kur 7 milionë dollarë është fondi për subvencionimin, ju e kuptoni se çfarë do të thotë. I bie nga 2 dollarë për person në vit apo maksimumi 15 dollarë subvencioni në vit për çdo fermer. Këto janë gjëra qesharake kur Maqedonia që është më e vogël se Shqipëria e ka disa h
erë më shumë fondin.

Duke përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta,tha se’-Nuk ka asnjë parti që e ka mbrojtur dhe e mbron Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare hapur dhe me krenari si LSI-ja. Dhe ngjyrën e kuqe e kemi për krenari dhe do ta mbajmë gjithnjë të kuqe, sepse simbolizon gjakun dhe sakrificat e dëshmorëve në të gjitha kohërat dhe për Mallakastrën sakrificat e tyre kanë qenë dhe mbeten të lavdishme dhe të pacenueshme. Sepse ju jeni pasardhës të Dervish Hekalit, të Dino Kalenjës, të Ramiz Aranitasit e dhjetëra e dhjetëra heronjve dhe dëshmorëve që kanë dhënë shumë për lirinë e Shqipërisë dhe që më 23 qershor me votën tuaj do t’i jepni një çlirim të jashtëzakonshëm të gjithë popullit shqiptar në mënyrë që të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Fitore Ardian Alushit dhe LSI-së në Mallakastër”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar në qytetin e Ballshit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Fier, Petrit Vasili

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Fier, Petrit Vasili, në fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Mallakastër është shprehur se në 23 qershor mijëra familje mallakastriote që kanë derdhur mundin dhe djersën e tyre në sektorin e naftës do të kenë rivlerësimin e tyre për punën dhe mundin që ato kanë bërë. “Ne jemi këtu sepse duam që Mallakastra dhe mallakastriotët që ditën ta nderojnë edhe sot e kësaj Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare lavdinë tonë të së kaluarës, ta shndërrojnë në vlerat e reja që të jep puna, por të gjithë së bashku duam që ta rimarrim këtë vlerë të re më 23 qershor. Në këtë ditë do të ndodhë jo vetëm ndryshimi i madh, por Mallakastra dhe mallakastriotët do të votojnë për një forcë politike që është LSI-ja, është forca politike e zemrës së hapur, është forca politike e burrit të madh që di t’i presë dhe t’i nderojë të gjithë, siç është z. Ilir Meta. Ne sot më shumë se çdo gjë tjetër kemi pasur dhe kemi nevojë për këtë parti, pikërisht për këtë LSI, që di t’u hapë zemrën njerëzve, t’i nderojë, t’i respektojë dhe t’u zgjidhë hallet atyre. Të gjithë partitë e tjera që rrinë larg nuk u duhen qytetarëve, atyre u duhet pikërisht partia e zemrës së tyre dhe kjo është LSI. Në 23 qershor mijëra familje mallakastriote që kanë derdhur mundin dhe djersën e tyre në sektorin e naftës do të kenë rivlerësimin e tyre për punën dhe mundin që ato kanë bërë. Majft familje të cilat merren me bujqësi do të kenë mbështetjen ekonomike që u takon e që u bën të sikterosin varfërinë e papunësinë. Më 23 qershor ne së bashku të gjithë si LSI me në krye birin e të gjithë Shqipërisë dhe jo vetëm, por të gjitha trevave tona, z. Ilir Meta do të ecim përpara drejt kësaj fitoreje. 23-shi është data e zgjedhjeve, por në këtë datë ne kemi për të votuar një numër magjik: ai është 26-ta, është Ilir Meta, është LSI”, tha ndër të tjera z. Vasili.

Kandidati i LSI-së në Rrethin e Mallakatrës, Ardian Alushi

Kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Rrethin e Mallakastrës, Ardian Alushi, në fjalën e tij u shpreh se problemet sociale dhe ekonomike të Mallakstrës do të jenë gjithmonë në vëmendjen e LSI-së për të gjetur zgjidhje dhe për të mundësuar më shumë zhvillim për të gjithë mallakastriotët. “Mallakastra gjithmonë ka qenë pjesë e historisë së vendit, që nga Lufta Nacional-Çlirimtare dhe deri në ditët e sotme. Banorët e Mallakastrës respektojnë pasqyrojnë vlerat më të mira të shqiptarëve por Mallkastrës gjithmonë i ka munguar mirënjohja nga ana e politikës. Megjithatë dëshira dhe puna juaj me mbush me shumë optimizëm. Kjo sepse ne kemi besim tek LSI, kemi besim tek Ilir Meta, që vlerëson çdo kontribut dhe i jep zgjidhje problemeve që ne hasim çdo ditë. Mallakastra është e harruar dhe e pazhvilluar. Është e pazhvilluar jo sepse nuk ka pasuri, përkundrazi por i kanë munguar njerëzit e duhur për ta menaxhuar dhe për të ecur përpara. Mallakastra i ka të gjitha resurset që të gjithë të ndjehen mirë. Të ndjehen për punësim, të ndjehen mirë për integrim, të ndjehen mirë në bujqësinë, të ndjehet mirë në zhvillim, të ndjehet mirë rinia, gruaja, motra jonë, të ndihet mirë edhe veterani. E thashë edhe më parë se Mallakastra është lënë në harresë, por jam shumë optimist sepse gjithë industria e naftës që është përqendruar në Ballsh ka nevojë të përpunohet, ka nevojë që problemet socialo-ekonomike të jenë pjesë e zgjidhjes sonë. Duke qenë objektiv, duke mbështetur politikat, duke parë edhe mirënjohjen, vlerësimin dhe kontributin që jep LSI-ja shpresoj dhe jam optimist që nesër do të ketë ditë më të mira për të gjithë ne së bashku. Jam i sigurt sepse në bashkëpunimin që kemi pasur në vazhdim dhe në takimet e përditshme që ne bëjmë me njëri-tjetrin, ne sot kemi nevojë për miq, për shokë, kemi nevojë për të gjithë që kanë dëshirë dhe shprehim besimin te forca jonë, te LSI, te z. Ilir Meta, që ka treguar që fjalët i bën realitet. Sot Mallakastra duke mbështetur LSI-në, duke më mbështetur mua si bir i Mallakastrës, nuk është vetëm mbështetje për datën 23 qershor, por është mbështetje për të ardhmen tonë, për të ardhmen e njëri-tjetrit. Ta shikojmë njëri-tjetrin në sy që nesër të jem bashkë në të gjitha problemet dhe në të gjitha hallet. Edhe një herë u ftoj të gjithë nga zemra që më datën 23 të votojmë për LSI-në, të votojmë për të ardhmen tonë, të votohet për njohjen e vlerave të Mallakastrës dhe të vlerësohet kontributi ynë”, tha ndër të tjera z. Alushi.