17 Apr Pukë – Ilir Meta : Nuk mund të ecet në rrugën e integrimit duke i bërë karshillëk perëndimit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë sot në një takim në Pukë me qindra qytetarë të këtij rrethi. Në këtë takim u prezantua edhe kandidatja për deputete i LSI-së në Pukë, Sajmira Laçi, ndërkohë që 250 anëtarë të rinj i janë afruar radhë të LSI-së, një pjesë prej të cilëve Lideri i LSI-së u dha edhe dokumentet e anëtarësisë. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se “duke mbështetur Sajmirën ju keni mbështetur LSI-në, ju keni mbështetur veten tuaj për një të ardhme më të mirë. Kemi nevojë për njerëz të tillë. Të përkushtuar, të dashur, të kudogjendur, të cilët janë pranë bashkëqytetarëve të tyre për t’i ndihmuar dhe për t’i qarë hallet e tyre në momente të vështira dhe delikate. Ndaj besoj se me humanizmin e saj, me shpirtin e saj të sakrificës dhe të përkushtimit ajo na bën një nder të gjithëve duke kandiduar dhe unë jam i bindur se vlerësimi për të do të jetë maksimal”.