Ilir Meta priti Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore

Ilir Meta priti Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore

ilirmeta28052013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot në selinë e partisë, Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore, i shoqëruar nga Ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu.

Z. Meta, e falenderoi z. Moore për mbështetjen dhe interesin e treguar nga SHBA për të siguruar standarte sa më të larta demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit.

Z. Moore, shprehu vlerësimin e Departamentit të Shtetit për rolin konstruktiv, parësor dhe të vazhdueshëm që Lëvizja Socialiste për Integrim ka luajtur në mbështetje të tre ligjeve të nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, z. Moore dhe z. Meta shprehën besimin e përbashkët në gjetjen e një konsensusi sa më të gjerë të enjten në Parlament, për miratimin e këtyre ligjeve të mbetura, të cilat do të dërgonin një mesazh pozitiv për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe për rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.

Pas takimit z. Meta dha një prononcim për shtyp:

Ishte kënaqësi tu takuar me Drejtorin e Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore, dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, për të shkëmbyer rreth zhvillimeve më të rëndësishme në vend, në veçanti lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet e 23 qershorit. Kemi shprehur kënaqësinë, të dyja palët, për mundësinë e miratimit të tre ligjeve ditën e enjte nga Kuvendi i Shqipërisë, si një akt i përgjegjshmërisë së përbashkët të të gjithë forcave politike ndaj të ardhmes evropiane të vendit, një e ardhme që përkrahet fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara.

Njëkohësisht ka që një inkurajim i fuqishëm nga Sekretarja Clinton në Kuvendin e Shqipërisë gjatë vizitës së saj që të përmbyllen këto detyrime të Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian.

Me këtë rast kemi marrë edhe përgëzimet për insistimin e vazhdueshëm dhe kontributin konstruktiv të LSI-së në këtë proces, pra për inkurajimin dhe për të arritur një kompromis për miratimin e tre ligjeve, të cilat jo vetëm do të krijojnë një lehtësi për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda këtij viti por njëkohësisht edhe do të jepnin edhe një mesazh pozitiv edhe për sa i takon klimës elektorale, ku natyrisht partitë kanë të drejtë të konkurrojnë, të debatojnë dhe të luftojnë deri në sekondën e fundit për çdo votë por në fund fare ajo që është me rëndësi është që i gjithë ky proces më shumë se fituesit t’i shërbejë vendit.

Z. Meta gjatë takimit tuaj a shprehu z. Moore ndonjë ide se si mund të zgjidhet çështja e KQZ-së?

Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur edhe më çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku bëra të qartë interesin tonë që të rivendoset besimi, konsensusi dhe integriteti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por në çdo rast kam shprehur vendosmërinë tonë për të marrë pjesë në të gjithë proceset e tjera të administrimit zgjedhor, në të gjitha nivelet, dhe për t’i kontribuar respektimit të kodit dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në 23 qershor.

Duket sikur kryeministri është duke anashkaluar ftesën e vazhdueshme të kreut të Partisë Socialiste për një debat televiziv gjatë fushatës zgjedhore. A jeni ju personalisht i gatshëm të përballeni me Kryeministrin Berisha në një debat televiziv?

Unë mendoj se ata kanë katër vjet që e kanë lënë këtë debat për ta zhvilluar, kështu që z. Berisha duhet të bëjë njëherë përpara debatin me z. Rama, pastaj unë këtu jam, si gjithmonë i gatshëm edhe për debate. Por ajo që është më e rëndësishmja është që z. Berisha duhet të kuptojë se është shumë e rëndësishme që të mos ndërrojë mendje për çështjen e tre ligjeve deri të enjten, kjo është kryesore. Dhe njëkohësisht të kontribuojë për një legasi sa më pozitive të tij përsa i takon standardeve të zgjedhjeve më 23 qershor dhe pas kësaj date. Këto të tjerat janë çështje sekondare.