Posted at 11:00h
in
News
by Partia Lirise

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së për Tiranën, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, ka marrë pjesë në një takim mjaft entuziast në Kombinat, takim në të cilin u prezantua kandidati për deputet i LSI-së në këtë zonë, Ardit Çela. Në fjalën e tij përshëndetëse z. Meta deklaroi se Shqipëria dhe Kombinati kanë nevojë për një forcë me këmbë në tokë dhe që kujdeset për njerëzit. “Unë jam shumë i kënaqur që ndodhem sot në Kombinat, jam shumë i kënaqur që ju jeni të bashkuar si asnjëherë tjetër, që ju jeni të gërshetuar me njëri-tjetrin me gjeneratat e ndryshme si rrallë ndonjëherë, që kemi kaq shumë zonja këtu dhe vajza të reja sa asnjëherë tjetër dhe që LSI-ja në Kombinat është tashmë e gatshme për të arritur rezultatin më të mirë që ka pasur ndonjëherë që nga themelimi i saj. Unë besoj se ka shumë arsye për të arritur këto objektiva sepse Shqipëria ka nevojë për një LSI akoma edhe më të fuqishme, sepse Shqipëria dhe Kombinati kanë nevojë për një forcë me këmbë në tokë dhe që kujdeset për njerëzit, për një forcë e cila u flet njerëzve dhe jo yjeve në qiell, për një forcë që i ndjen problemet dhe shqetësimet e tyre”, tha ai.