Posted at 09:48h
in
News
by Partia Lirise

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim madhështor në qytetin e Ballshit, takim në të cilin është prezantuar ekipi i kandidatëve për deputetë në Qarkun e Fierit, në veçanti kandidati i LSI-së për Rrethin e Mallakastrës, Ardian Alushi. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke prezantuar z. Alushi deklaroi se ai është një kandidaturë e spikatur dhe një intelektual me eksperiencë. “Jam shumë i lumtur që ndodhem në Ballsh në këtë nisje të fushatës sonë elektorale për fitoren e padiskutueshme të 23 qershorit dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu së bashku me shokët e tjerë për të dhënë mbështetjen time për një bir të shkëlqyer të popullit të Mallakastrës.
Unë e njoh atë që në fillim të viteve ‘90 kur ishim në rininë eurosocialiste dhe sot është kandidat ynë dhe i juaji, Ardian Alushi, i cili është një kandidaturë mjaft e spikatur, është një intelektual me shumë eksperiencë. Me eksperiencën e punës përfaqëson gjithë atë shtresë të elitës së inxhinierëve dhe teknikëve të Ballshit dhe të Mallakastrës në industrinë e naftës, që ka qenë një krenari për Ballshin dhe për gjithë Shqipërinë. Një njeri që i ruan lidhjet të pandashme me populli të cilit i takon dhe një njeri i cili kërkon përkrahjen dhe mbështetjen tuaj në zgjedhjet e 23 qershorit në mënyrë që ai të ketë mundësinë që çdo votë t’ua kthejë me mbështetje së bashku me mua dhe së bashku me të gjithë ekipin tonë”, tha z. Meta.