Kryetari i LSI-së në Shkodër. Ilir Meta : Në demokraci ka nevojë për ndryshime dhe për të lidhur marrëveshje të reja

Kryetari i LSI-së në Shkodër. Ilir Meta : Në demokraci ka nevojë për ndryshime dhe për të lidhur marrëveshje të reja

ilirmeta02062013

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta ka zhvilluar disa takime me simpatizantë në Shkodër, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë Agron Çela dhe Nora Malaj. Fillimisht z. Meta u ndal në fshatin Kosmaç të Komunës Bushat, në një takim entuziast me banorë dhe simpatizantë të LSI-së. Gjatë këtij takimi ai diskutoi për problemet që ka kjo zonë dhe premtoi se pas fitores së 23 qershorit situata do të ndryshojë për mirë. Më tej, ai zhvilloi takime të tjera me simpatizantë të LSI-së në Komunën Rrethina dhe në Postribë.

Në bashkëbisedimin me banorët e këtyre zonave Lideri i LSI-së u shpreh se duke mbështetur më shumë bujqësinë dhe duke stimuluar bizneset për të hapur vende të reja pune do të kemi mundësinë të zgjidhim shumë probleme të këtyre zonave të zhvillojmë ekonominë e vendit. Sipas z. Meta një ekonomi që nuk eksporton është një ekonomi që shkon drejt falimentimit, ndërkohë që Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, por kërkon një qeveri me këmbë në tokë dhe Programi ynë, i cili si moto të tij ka ‘të ecim më shpejt’. me vullnetin për t’i parë të gjitha këto probleme nga afër.

“Nuk po themi që nuk është bërë asgjë, por ato që janë bërë në radhë të parë janë kontributi i të gjithë taksapaguesve shqiptarë që paguajnë për buxhetin e shtetit. Gjithsesi, gjërat duhen bërë shumë më ndryshe, tha z. Meta. Ndaj unë besoj se duke ecur në këtë drejtim duke mbështetur më shumë bujqësinë, industrinë agro-përpunuese, duke stimuluar bizneset për të hapur vende të reja pune do të kemi mundësinë të zgjidhim shumë probleme të këtyre zonave të zhvillojmë ekonominë e vendit, të rrisim prodhimi, të rrisim eksportet”, vijoi kryetari i LSI-së.

“Sepse një ekonomi që nuk eksporton është një ekonomi që shkon drejt falimentimit. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, por kërkon një qeveri me këmbë në tokë dhe me vullnetin për t’i parë të gjitha këto probleme që ju ndeshni çdo ditë. Ndaj unë ju ftoj të përkrahni LSI dhe kandidatët tanë, Agron Çelën, Nora Malajn dhe të gjithë ekipin”, theksoi z. Meta.

Ndërkaq, ai shprehu bindjen se populli i Shkodrës do të bëjë një marrëveshje të re më 23 qershor me LSI-në në mënyrë që e gjithë Shqipëria të ndryshojë më shpejt dhe të përballohen të gjitha problemet ekonomike dhe sociale.    

“Në demokraci ka nevojë për ndryshime ka nevojë për të lidhur marrëveshje të reja dhe populli i Shkodrës jam i bindur do të bëjë një marrëveshje të re dhe ne jemi plot besim që ju do ta bëni me LSI-në, në mënyrë që Shkodra dhe e gjithë Shqipëria të ndryshojë më shpejt dhe që të përballojmë të gjitha ato probleme të mëdha ekonomiko dhe sociale”, vijoi z. Meta.

Në fund, Lideri i LSI-së tha gjatë takimeve se forca politike e drejtuar prej tij ka treguar se di të kujdeset për njerëzit dhe u jep prioritet të madh të rinjve dhe të rejave.

“Ju keni nevojë për një forcë politike që kujdeset për njerëzit, për një forcë politike që kujdeset për të rinjtë dhe ju e dini shumë mirë se partia që iu kushton rëndësi më të madhe, që u jep prioritetin më të madh të rinjve dhe të rejave është LSI. Ndaj të gjitha votat për numrin 26!”, u shpreh ndër të tjerash z. Ilir Meta.

Sakaq, po në Shkodër, Kryetari i LSI-së zhvilloi edhe një bashkëbisedim me ish-ushtarakë dhe u njoh me problematikat që ka kjo kategori. Në fund, z. Meta pati edhe një takim në një ambient festiv me gra dhe vajza simpatizante të LSI-së së qytetit të Shkodrës.