Posted at 08:17h
in
News
by Partia Lirise

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha ishte i pranishëm ditën e sotme në Aktivin e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Qarkut të Vlorës. Të pranishëm gjithashtu në këtë takim entuziast të zhvilluar në Pallatin e Sportit të këtij qyteti, i mbushur me qindra mbështetës dhe aktivistë të kësaj partie, ishin edhe zv/kryetari i LSI-së, z. Petrit Vasili si dhe anëtari i Kryesisë së LSI-së, z. Spartak Braho. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Meta deklaroi se pas 24 qershorit askush nuk do mund ta anashkalojë më këtë qytet ku lindi shteti shqiptar. Sipas tij, qytetarët e Vlorës meritojnë dhe duan që Shqipëria të zhvillohet ekonomikisht e të integrohet në BE, por siç tha ai vendi është sot në udhëkryq dhe integrimi mbahet peng nga politika konfliktuale. Kreu i LSI-së deklaroi gjithashtu se, Shqipëria ka nevojë për një alternativë që kujdeset për njerëzit, një projekt dhe plan konkret për ekonominë dhe punësimin, për bujqësinë e fermerët. Z. Meta shprehu edhe njëherë vendosmërinë për të qëndruar larg politikës konfliktuale, që mban peng mirëqenien e shqiptarëve dhe integrimin në BE, teksa tha e vendi ka nevojë për pjekuri politike pasi Shqipëria është i vetmi vend në NATO që zhvillon zgjedhje që në fund kontestohen. Nga qyteti i Vlorës, kreu i LSI-së siguroi kryeministrin Berisha që opozita jo vetëm që nuk do ti bojkotojë zgjedhjet e 23 qershorit, por u shpreh i sigurt për fitoren e koalicionit të majtë.