30 May Meta: Tre ligjet kanë qenë një minimum i domosdoshëm për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe ky minimum tashmë është realizuar
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, priti sot një përfaqësi të organizatës “Biznes Albania”, të kryesuar nga presidenti i kësaj organizate, Luan Bregasi. Z. Bregasi i ka dorëzuar z. Meta librin e propozimeve të politikave të biznesit për përmirësuar klimën e biznesit në vend. Në këtë takim u diskutua mbi shqetësimet kryesore që hasin sipërmarrësit në vend. Pas takimit z. Meta dhe z. Bregasi dhanë një konferencë për shtyp.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shprehu angazhimin e LSI-së për të kontribuar me përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor, me respektimin e ligjeve dhe të gjithë akteve të tjera në mënyrë të veçantë, për të konsoliduar një partneritet të ri midis shtetit dhe sipërmarrjes. Nga ana e tij presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi falënderoi z. Meta “i cili gjithmonë ka qenë afër biznesit, ka qenë i ndjeshëm ndaj propozimeve të sipërmarrjes dhe për këtë ka pasur edhe mbështetjen tonë, por sigurisht edhe angazhimi që ai bëri sot në mënyrë publike se kjo do të jetë kontrata e politikës së ardhshme me sipërmarrjen private në kuadër të zbatimit të gjithë propozimeve që ne kemi bërë”.
Konferenca për shtyp e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dhe presidentit të “Biznes Albania”, Luan Bregasi.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta: Dua të shpreh kënaqësinë më të madhe që sot më në fund Kuvendi realizoi një akt shumë të rëndësishëm duke miratuar tre ligjet, të cilat kanë qenë kushti minimal për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke treguar një akt të përgjegjshëm ndaj të ardhmes evropiane të vendit dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë. Do të ishte shumë mirë që ngjarje të tilla të kishim sa më shpesh, cilat të tregojnë frymën e bashkëpunimit dhe të kompromisit për interesa të mëdha të vendit dhe të gjithë qytetarët tanë.
Po kështu kam kënaqësinë që të jem këtu me z. Luan Bregasi, presidenti i “Biznes Albania”, dhe me shumë të tjerë përfaqësues të nderuar të kësaj organizate e cila ngre zërin dhe shqetësimet e komunitetit të biznesit, njëkohësisht të cilët na kanë nderuar duke na sjellë librin e propozimeve të politikave të biznesit për përmirësuar klimën e biznesit në vend, të cilën do ta bëjnë edhe me forcat e tjera politike që marrin pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit.
Duke e falënderuar z. Bregasi dhe të gjithë kolegët e tij dua të shpreh angazhimin tonë për të kontribuar me përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor, me respektimin e ligjeve dhe të gjithë akteve të tjera në mënyrë të veçantë, për të konsoliduar një partneritet të ri midis shtetit dhe sipërmarrjes. Kjo sepse mbi 80% të gjithë zhvillimit ekonomik në vend sot e përballon sektori privat, po kështu edhe për punësimin e qytetarëve tanë. Do të ishte vendimtare për përmirësimin e ekonomisë së vendit dhe të ekonomisë familjare të të gjithë familjarëve tanë mbarëvajtja e biznesit, gjallërimi i ri, nxitja e mëtejshme e biznesit.
Në këtë drejtim unë i konfirmova z. Bregasi dhe të gjithë ekipit të tij që do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë në këtë drejtim, sepse biznesi duhet parë pa paragjykime politike dhe partiake. Dhe në këtë kohë krize, edhe në vendet e tjera evropiane, sidomos në vendet fqinje, që kanë qenë partneret tona kryesore tregtare dhe ekonomike, absolutisht që është detyrë kryesore e politikës që t’i kthejë besimin që meriton sipërmarrja e lirë vendase, investitorë vendas dhe të huaj për të çuar më tej iniciativat e tyre për të hapur vende të reja puna dhe për të krijuar të gjitha lehtësirat të cilat do të krijojnë një klimë shumë më të kirë dhe do të ndikojnë në një rritje të qëndrueshme ekonomike në vend.
Sidomos në interes të rritjes së prodhimit, në interes të rritjes së eksporteve dhe në interes të rritjes së kapaciteteve konkurruese të Shqipërisë, sepse flasim për integrimin evropian, por në rast se ne nuk krijojmë bazat e një ekonomie që konkurron, që prodhon, që eksporton, atëherë natyrisht që ky projekt integrimi është një faliment dhe nuk është një progres dhe një zhvillim, çka është ambicia jonë për vendin dhe të gjithë qytetarët tanë”. Me këtë rast, duke falënderuar edhe njëherë z. Bregasi dhe gjithë ekipin përfaqësues të “Biznes Albania”, më duhet të theksoj se Lëvizja Socialiste për Integrim është pro një amnistie fiskale për biznesin, por natyrisht që kjo duhet të realizohet pas konsultimeve të gjera me të gjithë grupet e interesit, në mënyrë që të mos bëhen ligje thjesht për qëllime elektorale, të nxituara, por të hidhet një hap i menduar mirë dhe që të sjellë një çlirim të gjithë potencialeve të biznesit për të ardhmen e tij.
Luan Bregasi, president i Shoqatës “Biznes Albania”:
Faleminderit z. Meta. Së pari do të doja t’iu falënderoj si iniciator i votimit të tre ligjeve që i hapën vendit rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe kjo është vërtetë një ditë shumë e shënuar për shqiptarët në mënyrë të veçantë, por edhe për sipërmarrësit, për biznesin, për të gjithë komunitetin tonë. Së dyti, dëshiroj t’iu falënderoj që treguat mirënjohje dhe respekt për komunitetin e biznesit dhe në mënyrë të veçantë për përpjekjet që ka bërë shoqata jonë “Biznes Albania”, që është një nga shoqatat më të mëdha në Shqipëri. Përfaqëson sot më shumë se 25 shoqatat më të mëdha të vendit, gati 30 mijë ndërmarrje dhe mbi 200 mijë të punësuar. Pikërisht për këtë arsye unë dëshiroj t’iu falënderoj, sepse gjetët kohën e duhur dhe të nevojshme për të respektuar të gjitha propozimet që ka bërë komuniteti i biznesit në kuadrin e garës elektorale të vitit 2013.
Sigurisht që këtë praktikë, të cilën sot ne po e nisim me LSI-në, do ta bëjmë me të gjitha partitë e tjera elektorale që marrin pjesë në garën e 23 qershorit, për të treguar së pari se ne sipërmarrësit i pranojmë dhe i mirëpresim të gjitha propozimet, që bëjnë të gjitha partitë politike në kuadër të fushatës zgjedhore. Konkurrueshmëria e tyre na ka rritur sedrën dhe na kë bërë më aktivë për të bërë paketën tonë të propozimeve dhe për të pasur si të thuash “menunë” tonë ekonomike për zhvillimin e këtij vendi. Z. Meta shprehu mbështetje totale të këtyre propozimeve dhe na premtoi se në rast se partia e tij do të jetë p
jesë e qeverisjes së ardhshme të vendit kjo paketë e jona do të jetë pjesë e kontratës, që qeverisja e ardhshme do të bëjë me komunitetin e biznesit, me qëllim që premtimet të cilat sigurisht bëhen më shumë në fushata elektorale, të shndërrohen në dokumente ligjorë dhe juridikë dhe në kontrata të detyrueshme dhe të zbatueshme për qeverisjen, për politikën, por edhe për komunitetin e biznesit.
Edhe një herë dëshiroj të falënderoj z. Meta, i cili gjithmonë ka qenë afër biznesit, ka qenë i ndjeshëm ndaj propozimeve të sipërmarrjes dhe për këtë ka pasur edhe mbështetjen tonë, por sigurisht edhe angazhimi që ai bëri sot në mënyrë publike se kjo do të jetë kontrata e politikës së ardhshme me sipërmarrjen private në kuadër të zbatimit të gjithë propozimeve që ne kemi bërë. Edhe njëherë dëshiroj ta falënderoj z. Meta, edhe në emër të pjesëtarëve të tjerë të Biznes Albania. Sipërmarrësit që përfaqësojnë shoqatën tonë janë shumë, por zëri i tyre është përfaqësuar në këtë libër që ne sot ia dorëzuam në mënyrë zyrtare z. Ilir Meta, kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Faleminderit.
Pyetje: Si ndiheni sot pas votimit të tre ligjeve, një votim që erdhi pas një insistimi të gjatë dhe të vazhdueshëm tuajin personal dhe a mund të themi se Shqipëria është sot më pranë marrjes së statusit të vendit kandidat, pra më afër Bashkimit Evropian?
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta: Pa asnjë diskutim që Shqipëria është shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat pas miratimit të tre ligjeve sot, sepse tre ligjet kanë qenë një minimum i domosdoshëm për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe ky minimum tashmë është realizuar. Së dyti, mbetet mbarëvajtja e procesit zgjedhor të 23 qershorit si një test kyç për demokracinë dhe për funksionimin e institucioneve në vend. Dhe unë i ftoj të gjithë të tregojnë përgjegjshmëri maksimale për të arritur standardet më të larta në zgjedhjet e 23 qershorit dhe jam optimist se Shqipëria, brenda muajit dhjetor, do ta marrë statusin e vendit kandidat. Njëkohësisht mendoj se fakti që kjo ngjarje pozitive ndodhi sot, në kulmin e fushatës elektorale, tregon se mund të gjendet gjithmonë mundësia e një kompromisi në interesin e vendit, pavarësisht nga fjalimet elektorale dhe nga retorikat shpeshherë të ngarkuara dhe natyrisht që është një gjë tepër pozitive. Është dhënë një mesazh shumë pozitiv për evropianët dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë qenë dhe janë në mbështetje të vendosur të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pyetje: A keni kontaktuar me Partinë Demokratike për rikonstituimin e KQZ-së ?
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta: Kjo është një çështje tjetër. Unë mendoj se pavarësisht nga problemi që e njohim të gjithë është e rëndësishme të respektohet Kodi, është e rëndësishme të evitohet gjuha e denigrimit ndërmjet gjithë aktorëve gjatë kësaj fushate. Duhet të tregojmë një nivel më të lartë të gjithë si forca politike dhe si politikanë përderisa kërkojmë të marrim statusin e vendit kandidat. Duhet të jemi në një standard komunikimi edhe me njëri-tjetrin, edhe të debatit, edhe të dialogut. Në këtë drejtim unë besoj se janë të gjitha mundësitë që zgjedhjet e 23 qershorit të arrijnë në standardet më të mira pavarësisht nga çështja e KQZ-së. Nuk dua t’i kthehem kësaj historie. Të gjithë e dimë që të gjitha punët ishin mirë e bukur. Por, meqë kemi edhe përfaqësuesit e sipërmarrjes së lirë, edhe këta nuk janë shumë të interesuar që të ndalemi në këto çështje dhe unë nuk dua që të abuzoj me prezencën e tyre. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur i kemi të gjitha mundësitë, të ecim përpara, të ecim më shpejt drejt standardeve më të larta elektorale në 23 qershor. Të pranojmë të gjithë rezultatin e zgjedhjeve, të pranojmë vullnetin e popullit tonë dhe të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e vendit, për zhvillimin e sipërmarrjes së lirë që do të thotë më shumë shanse dhe mundësi për qytetarët tanë që kërkojnë punë dhe mirëqenie që të ecim më shpejt drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët dhe ne do të kemi përgjegjësi të përbashkëta për të ardhmen tonë.