Kryetari i LSI-së, bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të Universitetit Evropian të Tiranës

Kryetari i LSI-së, bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të Universitetit Evropian të Tiranës

ilirmeta31052013

Ju falënderoj të gjithëve. Unë jam një mik i hershëm i Universitetit Evropian të Tiranës në bashkëpunimet që kemi pasur në interes të publikut dhe do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim. Sot nuk mund ta nis këtë bashkëbisedim pa përmendur dy ngjarje pozitive që kanë ndodhur dje. E para që janë miratuar tre ligjet nga Kuvendi i Shqipërisë. Janë miratuar në kulmin e fushatës elektorale, që tregon në fund të fundit një akt përgjegjshmërie dhe bashkëpunimi për një interes më të madh që është ai i vendit dhe i të ardhmes evropiane. Shpresojmë që ngjarje të tilla të ketë sa me shpesh në mënyrë që ne të ecim drejt realizimit të një Shqipërie me standardet më të larta evropiane. Së dyti dje në mbrëmje një sukses i jashtëzakonshëm ka qenë edhe suksesi i Elhaida Danit, një këngëtare e re dhe mjaft e spikatur e cila arriti një sukses të madh në një vend të madh evropian dhe një vend i madh edhe në muzikë dhe në kulturë. Këto dy ngjarje unë do kisha dëshirë që t’i lidhja pak me njëra-tjetrën, përderisa jemi edhe në një auditor me të rinj dhe me të reja. Pra një Shqipëri që ecën më shpejt drejt Bashkimit Evropian, drejt standardeve evropiane në të gjitha fushat dhe që krijon mundësi për të çliruar të gjitha aftësitë dhe talentet e të rinjve dhe të rejave në të gjitha fushat, duke treguar anën më pozitive të vendit tonë, të kombit tonë dhe të rinisë tonë. Kjo është një sfidë dhe një detyrim i të gjithëve ne që jemi të angazhuar me politikë.

Po kështu sot është dita e parë e provimeve të Maturës. Ka filluar me letërsinë dhe i uroj suksese të gjithëve dhe besojmë se shumë prej tyre do të fillojnë në tetor edhe në Universitetin Evropian të Tiranës.

Unë jam sot këtu për të ndarë disa mendime lidhur me prioritetet kryesore të programit të LSI-së për 4 vitet e ardhshme, sidomos sa i takon zhvillimit ekonomik të vendit. Ne flasim vazhdimisht për integrimin por integrimi është tepër konkret, por përveçse institucional në fund të fundit ai duhet të jetë integrim i suksesshëm nga pikëpamja ekonomike që të rezultojë në një përfitim konkret dhe afatgjatë për standardet e jetës së çdo qytetari shqiptar sot dhe në të ardhmen.

Kohët e arta të bumit ekonomik, të lulëzimit të ndërtimit, të kredive pa fund të dhëna nga bankat, ka përfunduar, jo vetëm këtu por dhe vendet e tjera, ndaj tani ne jemi në një moment të rëndësishëm jo vetëm të reflektimit por edhe të vendimmarrjes për të ristrukturuar ekonominë tonë në mënyrë që ajo të mos bjerë në recesion por përkundrazi të përgatitemi për të rimarrë veten dhe për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë. 

Vetëm pak ditë më parë raporti i fundit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një institucion tepër serioz, tregonte se për 3-mujorin e parë Shqipëria pati një rritje ekonomike vetëm 0.5%. Kjo natyrisht përbën një shqetësim, përbën një kambanë alarmi.

Duke pasur në konsideratë edhe faktin që Italia dhe Greqia kanë qenë dhe ende janë ndër partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe tregtarë dhe që kanë përjetuar një situatë tragjike në Greqi dhe kritike ende në Itali, gjë që është reflektuar edhe në marrëdhëniet tona me uljen e ndjeshme të shkëmbimeve ekonomike-tregtare, me uljen e ndjeshme të investimeve të tyre në Shqipëri dhe njëkohësisht edhe me uljen e ndjeshme të remitancave të emigrantëve tanë në këto vende, duke pasur në konsideratë që këto të ardhura kanë qenë një burim kryesor financimi për ekonominë tonë dhe për familjet shqiptare. Mjafton të themi që vetëm në vitin 2007 kishim 950 milionë euro nga dërgesat e emigrantëve dhe në vitin 2012 kishim 670 milionë euro, pra gati 300 milionë më pak. Ky trend duke se do të vazhdojë në këtë drejtim. 

Në këto kushte kur investime huaja janë reduktuar, nga 900 milionë euro në 2010 në 740 milionë euro në 2012, borxhi publik ka ardhur në në rritje, presionet e krizës ekonomike evropiane janë rritur në ekonominë tonë, edhe në raport me Lekun, të gjitha tregojnë qartë se është emergjente marrja e masave afatgjata për ristrukturimin e ekonomisë me qëllim kryesor që të kemi një ekonomi konkurruese, që të ketë sukses projekti ynë kombëtar i integrimit evropian të vendit. Për të realizuar është e domosdoshme të përqendrohemi tek rritja e prodhimi në vend, rritja dhe stimulimi i eksporteve nga vendi drejt tregjeve evropiane dhe ndërkombëtare, në mënyrë që të garantojmë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe punësim të sigurt dhe afatgjatë për qytetarët tanë.

Në këto drejtime ecën edhe platforma jonë ekonomie dhe sociale, e cila synon pikërisht garantimin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Pra, kalimi nga një ekonomi konsumi, që ka qenë treguesi kryesor i modelit tonë gjatë këtyre 20 viteve, të financuar kryesisht nga të ardhurat e emigrantëve, në një ekonomi prodhimi, në një ekonomi eksportesh, që do të jenë edhe baza e kompensimit të financimit të ekonomisë në vend nga mungesat që vijnë gjithnjë e më shumë nga të ardhurat e emigrantëve tanë. 

Në mënyrë të veçantë, ajo që përbën prioritetin kryesor të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe në dallim nga forcat e tjera politike është që ne kemi zgjedhur si prioritet kryesor për të gjitha politikat ekonomike, fiskale dhe sociale, punësimin dhe politikat e arsimit. Qëllimi ynë kryesor është rritja e punësimit dhe rritja e punësimit në një kohë sa më të shkurtër dhe njëkohësisht edhe duke vendosur në themele afatgjata. Ndaj për ne prioritet të veçantë marrin edhe sektorët me një intensitet më të lartë punësimi, të cilat me një investim më modest krijojnë mundësi për të hapur më shumë vende pune në një plan afatshkurtër. Për këtë kemi industrinë tekstile, kemi biznesin fason, kemi aktivitetin e “Call Center” dhe shumë aktivitete të tjera që kanë nevojë për një mbështetje më të madhe nga qeveria për një stimulim më të madh në mënyrë që ne në këto krze, në këto kohë me shumë probleme sociale, të përpiqemi të ofrojmë një mundësi të shpejtë për punësim.

Kriza në Itali dhe në Evropë si dhe problemet që kanë hasur investitorët italianë dhe evropianë në vendet e Magrebit, sidomos në Tunizi, për shkak të ndryshimeve politike dhe mungesës së stabilitetit, përfaqësojnë një mundësi të artë për Shqipërinë për t’i tërhequr këta investitorë në një kohë shumë të shkurtër. Shqip
ëria është një destinacion i preferuar i tyre për arsye të vendndodhjes, të kostos së transportit, të kostos së fuqisë punëtore, të sistemit tatimor që është i thjeshtë dhe tërheqës në pamje të parë por që natyrisht kërkon masa energjike që kanë të bëjnë me krijimin e menjëhershëm të kushteve logjistike dhe lehtësuese që këto teknologji, që këto fabrika, që këto investime të zhvendosen në Shqipëri.
 

Unë kam qenë vazhdimisht në aktivitete dhe sipërmarrje të ndryshme. Para disa javësh kam qenë tek një investitor italian, i cili menaxhonte një biznes fason dhe aktivitetin e kishte vendosur në një ndërtesë me katër kate dhe në një terren jo shumë të përshtatshëm afër Rrapit të Treshit ku vetëm për të hyrë dhe për të dalë kamionët që sjellin lëndën e parë dhe që marrin produktet gjysmë të gatshëm apo të gatshëm për eksport ishte një problem dhe një vështirësi shumë e madhe përveç problemeve të tjera të karakterit logjistik apo përveç qirasë që ishte shumë e lartë për shkak të pozicionit.

Kjo do të thotë që ne duhet të ndërtojmë e të realizojmë në mënyrë imediate disa parqe industriale të cilat mund të realizohen dhe duhet të realizohen nga shteti dhe nga qeveria. Natyrisht nuk përjashtohet bashkëpunimi publik-privat, por flasim për veprime të shpejta emergjente, të cilat krijojnë terrenin e duhur, logjistikën e duhur, infrastrukturën e duhur dhe të gjitha lehtësitë në mënyrë që këto aktivitete të vendosen në Shqipëri dhe të vendosen në një kohë të shkurtër. Duke bërë edhe një përjashtim nga taksat dhe tatimet për vitet e para të aktivitetit, pasi interesi i parë është që ato të vendosen në Shqipëri, interesi përsëri i parë është që të krijojnë mundësi për rritjen e menjëhershme të punësimit dhe ky është interesi i madh i shtetit. Natyrisht pas konsolidimit të këtyre aktiviteteve këtu pas një kohe edhe ato do të përmbushin të gjitha detyrimet e tjera ndaj shtetit shqiptar si çdo aktivitet dhe biznes tjetër. Por kjo është e domosdoshme për ta kthyer krizën në Itali dhe në vende të tjera të Evropës, në një mundësi për zhvillimin e vendit dhe sidomos të punësimit. 

Në një plan pak më afatgjatë është e domosdoshme të investohet dhe të ndiqen ato politika, të cilat ndihmojnë në rritje ekonomike të vendit, në rritjen e vlerës së shtuar të pasurive tona ku ndër më kryesoret është cikli i përfunduar brenda vendit, sa i takon fabrikave të pasurimit për lëndët e para për mineralet ku një pjesë shumë e paktë e tyre sot mund të përpunohen në vend, ndërsa pjesa dërrmuese ikën thjesht si lëndë e parë me çmime vërtetë tepër qesharake. Stimulimi i këtyre investimeve do të rriste vlerën e ekonomisë sonë do të shtonte vendet të reja pune dhe do të t’i jepte një hov edhe zhvillimit të industrisë.

Sipas vlerësimit tonë është e domosdoshme të kemi një revolucion agrar apo bujqësor, jo si ato që kemi dëgjuar në të kaluarën, por në kuptimin e mbështetjes dhe zhvillimit të bujqësisë dhe të ardhurave nga industria e agro-përpunimit. Sepse është vendimtare për rritjen ekonomike të vendit, është vendimtare për rritjen e të vetpunësuarve në këtë fushë, është vendimtare për uljen e importeve të cilat ende vazhdojnë të dominojnë tregun tonë dhe vendimtare për rritjen e eksporteve hap pas hapi.

Shkatërrimi i bujqësisë ka qenë një problem i madh për të gjithë ekonominë e vendit dhe absolutisht që është e domosdoshme të mbështeten të stimulohen me politika konkrete e fiskale, krijimi i shoqërive bujqësore të cilat kanë mundësi të rrisin prodhimin dhe kanë mundësi të mbështeten në investime dhe të realizojnë investime teknologjike, të cilat sjellin rritjen e prodhimit. Sepse përndryshe pjesa më e madhe fermerëve tanë do të mbeten bujq në ngastrat e tyre, duke mos arrirë kurrë që të dalin me sukses në treg dhe do ta kishim shumë të vështirë të kishim një bujqësi që konkurron në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë drejtim mbështetje e këtyre shoqërive bujqësore me lehtësira tatimore sidomos përsa i takon blerjes së makinerive, të diçkaje që ka të bëjë me rritjen e prodhimit, me realizimin e përpunimit të këtyre prodhimeve brenda vendit, merr një prioritet të dorës së parë në programin tonë, ku ne parashikojmë subvencionimin me 25 % të blerjes e gjithë këtyre investimeve në prodhim nga këto shoqëri bujqësore.

Ne besojmë se politika e taksave është shumë e rëndësishme, por nuk është qëllim në vetvete, ndaj dhe nuk kemi qenë në frontin e arë të debatit për taksat, sepse e para është prodhimi, është shitja është puna, sepse nëse nuk ekzistojnë këto nuk ke se kujt t’i vësh taksë. Dhe tjetra që është shumë e rëndësishme, politika e taksave është në funksion të objektivave ekonomike të politikave ekonomike që ka vendi. Për ne është e rëndësishme të ruhen dhe të përmirësohen avantazhet konkurruese të Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit, më vendet fqinje në mënyrë të veçantë.

Së dyti është shumë e rëndësishme që e gjithë politika e taksave të synojë në rritjen e punësimit, sidomos në punësimin e të rinjve dhe të rejave. Në këtë drejtim, pra duke folur gjithmonë për të rinjtë dhe të rejat, është një problem i madh çështja e intervistës apo punës së parë.

Së pari ne për këtë çështje do të synojmë që praktikat e punës të njihen ligjërisht si një përvojë, si një eksperiencë, e cila do të lehtësojë mundësitë për një punë të parë për çdo të ri dhe të re. Së dyti, për të gjithë sipërmarrësit të cilët marrin në punë një të ri ose të re pa një eksperiencë të mëparshme pune do të subvencionojnë një pjesë të pagës për 3 deri në 6 muajt e parë në mënyrë që kjo të jetë një nxitje, një inkurajim për sipërmarrësin, i cili bën edhe ai një investim, një sakrificë duke punësuar një të ri ose të re, që nuk ka eksperiencë apo formimin e duhur profesional. Për ne është e shumë e rëndësishme të ecim në drejtim të lehtësive sa i takon punësimit, sepse kjo do të zgjidhë problemet sociale të shoqërisë sonë por njëkohësisht do të garantojë një perspektivë më të sigurt për çdo të ri dhe të re në shoqërinë tonë. 

Unë kam qenë para pak ditësh në qytetin e Kukësit dhe aty jam njohur me një fakt, që nuk do ta kisha besuar po të ma thoshin, por që është plotësisht i vërtetë. Që gjysma e familjeve në këtë qytet jetojnë me asistencë sociale 30 deri në 40 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që aty para pak kohësh ishte hapur një biznes fason, por që k
ishte zgjatur vetëm pak muaj dhe pastaj ishte mbyllur, sepse nuk kishte pasur përkrahjen e mbështetje, ndërsa shkalla e interesit kishte qenë e papërfillshme për sipërmarrësin në fjalë.

Sikur të stimulosh sipërmarrës të tillë për të bërë këto investime dhe kjo ndihmë sociale që merret sot të subvencionojë dhe t’i jepet sipërmarrësit si pjesë e pagës për ata që do të punojnë në këtë biznes absolutisht që kjo do të kishte sjellë jo vetëm mbajtjen dhe gjallërimin e këtij aktiviteti në një qytet të tillë, por do të kishte zgjidhur edhe një problem të rëndësishëm social atje.

Pra kërkohet më shumë shpirt praktik, pragmatizëm, krijimtari, natyrisht kjo nuk është e ndonjë një niveli shumë të lartë si ata që sot kanë provimin e letërsisë, por një menaxhim më efektiv i burimeve që ka shteti, që ka qeveria që ka pushteti lokal, dhe i mundësive për të nxitur politika, të cilat sjellin zhvillim, sjellin një progres social, sepse në rast se do të vazhdojmë në këtë mënyrë siç është bërë deri tani, ekonomia e jonë me siguri do të futet në recension shumë shpejt. Të ardhurat do të vazhdojnë të bien, deficit tregtar, i cili aktualisht është 2 miliardë euro, do të vazhdojë të rritet dhe do të thellohet, vende të tjera pune do të shkurtohen dhe problemet do të bëhen gjithnjë e më komplekse. 

Unë besoj që ne jemi në një moment tepër kritik, por me një angazhim të përgjegjshëm, me një ristrukturim tepër efektiv të gjithë politikave ekonomike dhe të modelit ekonomik në të cilin duhet të ecë vendi, shumë shpejt mund t’i kthehemi rritjes së konsiderueshme të rritjes ekonomike, të minimizojmë probleme sociale dhe të shënojmë një progres të dukshëm social.

Në këtë kuadër arsimimi luan një rol vendimtar sepse kemi hyrë në epokën e ekonomisë së dijes, gjithashtu kemi nevojë të shënojmë një progres dhe revolucion edhe në këtë drejtim. Për ne politikat e arsimit duhet të synojnë gjithashtu drejt punësimit. Ne kemi një problem të madh lidhur me çështjen e arsimit të mesëm dhe atij të lartë. Kemi një mbingopje të tregu me disa profesione ashtu siç kemi një krizë të madhe të tregut më shumë profesione të tjera tepër të domosdoshme, sidomos për profesione që kanë të bëjnë me këtë model të ri ekonomik që duhet të zhvillojmë, që kanë të bëjnë me prodhimin, që kanë të bëjnë me shërbimet, që kanë të bëjmë me një menaxhim më të mirë me burimet natyrore dhe minerare që ka vendi. Dikur Fakulteti i Shkencave Gjeologjike ka qenë nga më të rëndësishmit dhe nga më prioritarët në vend. Dikur Universiteti Bujqësor, që atëherë quhej Instituti i Lartë Bujqësor ka qenë ndër më të rëndësishmit në vend, ndër më të afirmuarit jashtë vendit, dhe kjo nuk ndodhte rastësisht, sepse ishin të lidhur direkt me prodhimin, ishin të lidhur direkt me eksportet.

Është koha që ne në kushtet e reja, në kushtet e reflektimit që ka Shqipëria për të prodhuar për t’u rritur, për të eksportuar të shikojmë dhe të vlerësojmë edhe sistemin arsimor. Për ne arsimi është një e mirë publike dhe natyrisht që kjo e mirë publike ofrohet nga shteti, ofrohet dhe nga privati. Më e rëndësishme është që çdo i ri i cili ka dëshirë dhe aftësi të arsimohet, në mënyrë të veçantë ata të cilat kanë një talent dhe talenti i tyre është dhe duhet të jetë një shërbim të gjithë shoqërisë, pra nuk është thjesht një e mirë individuale.

Dhe e dyta mendoj se është e rëndësishme cilësia, prandaj dhe reformat tona në këtë drejtim do t’i kushtojnë rëndësi jo vetëm mundësisë së gjithsecilit për të ndjekur arsimin e lartë por edhe një reformë që garanton një cilësi, e cila do të kontribuojë për gjithë zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të vendit tonë. Padyshim, një defekt i madh në këto vite është mosarritja e disa objektivave përsa i takon rritjes së arsimit profesional, përsa i takon sidomos arsimit të mesëm profesional. 

Këtu ndihet një mangësi, e ndiejmë ne si shoqëri, e ndiejnë edhe sipërmarrësit, e ndiejnë edhe investitorët e huaj të cilët sjellin në Shqipëri teknikë nga vende të tjera dhe i paguajnë si në vendet e tyre, në Itali apo diku tjetër, ndërkohë që nuk e kanë të lehtë për të gjetur zanatçinj profesionist të mirëfilltë në Shqipëri, për arsye se Shqipëria ka pasur shumë por shumica e tyre kanë ikur në Greqi, në Itali apo në vende të tjera për shkak të këtyre aftësive, janë integruar atje. Dhe ndërkohë është krijuar një boshllëk serioz gjatë këtyre dy dekadave në përgatitjen e këtyre profesionistëve, të këtyre zanatçinjve, të cilët janë aq të domosdoshëm për zhvillimin e sipërmarrjeve, për zhvillimin e shërbimeve dhe për vetë zhvillimin e ekonomisë. Ne jemi të hapur për të reflektuar, nuk mendojmë që ato që themi ne janë të vetmet gjëra që mund të thuhen, përkundrazi dhe jemi për gjithëpërfshirje edhe në këtë program që kemi bërë, jemi vazhdimisht me komunitetin e biznesit. Edhe ata kanë bërë propozimet e tyre, edhe ne kemi propozimet tona. Kështu që unë e konsideroj si një rast fatlum që të jem këtu në këtë auditor të nderuar, për të dëgjuar edhe pyetjet tuaja, edhe mendimet tuaja.

Cili është sipas jush niveli midis ideologjisë dhe pragmatizmit që ju i propozoni koalicionit të majtë, sepse tashmë jeni bashkuar me Partinë Socialiste, e cila nga pikëpamja ekonomike ka propozuar një program thellësisht të majtë të mbështetur mbi taksën progresive, mbi rritjen dhe ristrukturimin e taksave, mbi një sistem fiskal shumë më të komplikuar, me shumë më tepër shkallë. Çfarë të reje do të sillni ju në këtë koalicion? 

Ju falënderoj për pyetjen. Së pari, në mendojmë se situata aktuale ekonomike dhe sociale nuk ka nevojë të ideologjizohet, por ka nevojë të diagnostikohet qartë. Dhe së dyti, të kemi objektiva të qarta se ku do të shkojmë dhe si do ta kurojmë këtë ekonomi të sëmurë. Sepse këto probleme që ne evidentuam deri tani tregojnë qartë që ekonomia jonë është një trup i sëmurë që ka nevojë për ndërhyrje të shpejta dhe afatgjata, në mënyrë që të rimarrë veten dhe t’u japë garanci të gjithë shqiptarëve që do të jetë një ekonomi i qëndrueshme dhe që do t’u garantojë atyre prosperitet. Prandaj unë e theksova edhe më parë që për ne debati nuk fillon nga taksat, se si do të jenë taksat dhe politika e taksave. Për ne e rëndësishme është që debati fillon nga modeli ekonomik. Dhe modeli ekonomik, sipas nesh, si tipar kryesor deri tani ka pasur, jo vetëm për fajin tonë sepse edhe shumë vende të tjera kanë pasur këtë model, pra konsum dhe financim nga të ardhurat e emigrantëve. Një model, i cili kishte një kufi dhe që tashmë është i kapërcyer sepse nuk prodhon dot më asnjë shpresë për të përmirësuar ekonominë në të ardhmen. Nd
aj për ne është e rëndësishme një model ekonomik që rrit prodhimin, një model ekonomik që rrit eksportet, në mënyrë që të kemi një ekonomi konkurruese, në mënyrë që të kemi mundësi të ulim deficitin tregtar dhe të përmirësojmë të gjithë treguesit e tjerë ekonomikë.

Ne shohim rastin e Francës, është gjëja më e lehtë në një situatë të vështirë të rrisësh taksat dhe në vende të zhvilluara kjo edhe e ka një kuptim sepse kemi biznese shumë vjeçare të konsoliduara, të fuqishme. Por në rastin tonë ne duhet të jemi realist, me këmbë në tokë. Edhe shumë prej tyre që ne na duken si biznesmenë të mëdhenj, të cilët edhe janë të mëdhenj sepse punësojnë shumë njerëz, nuk duhet të harrojmë që kanë për të shlyer shumë kredi të mëdha. Dhe ideja se duke rritur taksat do të arrijmë të sigurojmë të ardhura, pra taksa nga të pasurit po i quajmë të menjëhershme, të cilat do ta ndihmojnë të bëjnë politika për të varfrit, mund të jetë me pasoja negative, afatshkurtra dhe afatgjata. 

Ndaj e theksoj se e rëndësishme është të përmirësojmë mjedisin për biznesin, të krijojmë një klimë sa më miqësore ndaj biznesit dhe investitorëve vendas dhe të huaj, si dhe të përcaktojmë një objektiv që është rritja e punësimit dhe taksat në funksion të rritjes së punësimit.

Do të ishte gjëja më e lehtë që ne të rrisnim tatimin e fitimit, por në kushtet kur vendet e tjera të rajonit e kanë pak a shumë sa ne tatim-fitimin, Mali i Zi ndoshta e ka ulur më shumë, atëherë për të gjithë investitorët ky do të ishte një mesazh jo shumë kurajues. Por ne nuk është se thjesht kemi hallin e investitorëve sepse investitori është një, por një investitor ka në punë, 100, 500, 700 ka edhe nga ata që kanë 1 mijë apo 2 mijë punëtorë apo punëtore sikurse është rasti i biznesit fason. Atëherë kush është interesi i shtetit? Kush është interesi i shoqërisë? Ndaj duhet një pragmatizëm dhe një realizëm sepse ka përfunduar koha kur politikat sociale apo rishpërndarja bëhet thjesht vetëm përmes taksave. Tani kemi instrumente nga më të ndryshmit dhe të tërthortë që realizojnë atë sfidë që ka edhe e majta si një alternativë më sociale për të vendosur një drejtësi sa më të madhe shoqërore dhe për të zgjidhur probleme sa më të mëdha sociale. Ne mund të rrisim fondin e asistencës duke u vënë taksa sipërmarrësve në Tiranë. Mund të rrisim asistencën sociale në Kukës. Por nuk është kjo një zgjidhje, sepse njerëzit nuk do të punojnë, nuk do të prodhojnë, ekonomia nuk do të rritet. Por është shumë më mirë që ne atë fondin e asistencës sociale t’ia kalojmë si një subvencion për pagat atij sipërmarrësi që do të hapte 200 apo 300 vende pune atje, me qëllim që edhe kostot e tij të uleshin, me qëllim që këto aktivitete të stimuloheshin në zona të tilla, por edhe atje të prodhohet, edhe atje të ketë një zhvillim shoqëror, por edhe një kontribut sado modest për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndaj ne mendojmë që lidhur me politikën e taksave duhet ta vëmë në funksion të politikës për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Politika e taksave nuk është një qëllim. Taksat janë një instrument, që shteti, që qeveria e përdor në funksion të objektivave të politikave ekonomike dhe sociale që ka. Kjo është përqasja jonë, kjo është pragmatiste, është e mirëfilltë “Bleriste”, por kjo ka rezultuar si rruga më efikase për t’iu përshtatur kohëve të reja, globalizimit dhe të modernizimit të shoqërisë. 

Ne këtu mësojmë se çdo forcë politike e cila kërkon të marrë qeverisjen ka nga prapa një ideologji prej mendimtarësh dhe filozofësh që e furnizon. Cilët janë mendimtarët furnizues të LSI-së? 

Lidhur me këtë pyetje interesante, ka parti të cilat bazohen mbi idhuj apo ideologji të së kaluarës, pra që frymëzojnë diçka për të ardhmen, ka edhe forca politike që janë më të drejtpërdrejta dhe e gjejnë frymëzimin tek një perspektivë e caktuar sikurse është perspektiva evropiane dhe LSI-ja si një forcë politike është tepër e përqendruar tek përkushtimi për të realizuar një projekt të caktuar që është ai i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në rast se flasim për bazat ideore, natyrisht që këto janë të lidhura me bazat e vetë social-demokracisë. Kanë të bëjnë me traditat më pozitive të së majtës në planin ndërkombëtar por edhe në planin tonë. Ndërsa, nëse ke ndonjë merak si idhullin tim, idhulli ka qenë Vili Brandi, ish kancelari i Gjermanisë, i cili ka qenë edhe arkitekti i ost-politikës, i politikës së lindjes që solli dhe bashkimin e 2 Gjermanive dhe bashkimin e Evropës. Dhe unë edhe si kryeministër kur kam qenë, por edhe si Ministër i Jashtëm jam përpjekur shumë për një lloj ost-politike në Ballkan, sidomos në drejtim të shtensionimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe me vende të tjera fqinje, me të cilat ne kemi pasur një problematike, në funksion të një të ardhmeje të përbashkët që është e ardhmja evropiane. Ne dimë marrëdhëniet që ka pasur Franca me Gjermaninë, sesa luftëra i kanë kushtuar këtyre vendeve gjithë Evropës dhe e dimë shumë mirë se kur këto dy vende vendosën të bashkëpunojnë në interes të së ardhmes, se çfarë lulëzimi pësuan këto dy vende por dhe gjithë Evropa. Dhe në këtë drejtim, besoj që “Ylli Polar” mbetet integrimi i Shqipërisë në Europë, jo thjesht në kuptimin formal por në kuptimin e vërtetë të realizimit të një Shqipërie me standarde më të larta europiane, sepse edhe Europa është me disa nivele praktikisht. Dhe në fund të fundit mendoj që kjo është një ide e cila na frymëzon për të shkuar përpara drejt një projekti sepse gjithmonë për të shkuar diku, kemi nevojë edhe për të pasur në vëmendjen tonë, në vizionin tonë një projekt konkret të cilin ne e kemi gjetur tek vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian.

Prof. Fatos Tarifa: Kam një koment por kisha dhe një pyetje. Komenti lidhet me përvojën time 5 vjeçare në kohën që ju si kryeministër dhe ministër i Jashtëm ,dhe dua të them që kam veçuar tek ju tri gjëra, një vizion të qartë si politikan, vendosmërinë dhe efikasitetin. Kam besim që familja sociale, ku jeni rikthyer, ka një shans të madh në këtë kohë të vështirë, por që prodhon dhe oportunitete, për të sjellë një transformim rrënjësor në këtë vend. Unë dua t’ju kujtoj që ju ndoshta jeni i vetmi kryeministër që ka bërë diçka të madhe për kryeqytetin, për transformimin e tij në fillim të viteve 2000. Po kështu, duke ndjekur me interes këtë fushatë, shoh që tek ju nuk ka fare frymë populiste, çfarë unë e vlerësoj, por fushata juaj i ngjan një lëvizje racionale dhe kritike, krejt perëndimore. Ju keni shpalosur programin i cili i shërben këtij vendi dhe ju kapet me të drejtë disa gjëra, ekonominë, punën dhe arsimin. Një vend bën përpara me punë dhe arsim, kështu që unë ju përgëzoj për këtë gjë. Pyetja ime është e thjeshtë. Në kushtet kur mungonte një transparence e plotë e gjendjes ekonomike dhe financave të shtetit, përshtypja e përgjit
hshme është se shteti është futur thellë në borxhe dhe buxheti është bosh. Në këtë kuptim, programi juaj ekonomik dhe programi i qeverisë që eventualisht mund të krijohet, përveçse do të synojë prodhimin dhe eksportin, çfarë janë baza e një ekonomie të vërtetë, do të ketë nevojë fillimisht për oksigjen. Si e mendoni financimin e veprimtarive ekonomike dhe publike në fazën e parë të qeverisjes së re?

Unë ju falënderoj shumë profesor për pyetjen. Problemi më i madh që ne kemi sot është që askush nuk mund të thotë se cili është borxhi që ka qeveria dhe shteti ndaj sipërmarrjeve për punët publike që janë bërë dhe që nuk janë paguar, që është një borxh i paidentifikuar. Apo për një çështje tjetër shumë të rëndësishme që ka të bëjë me borxhin për mos rimbursimin e TVSH-së që është një detyrim i shtetit ndaj bizneseve dhe që ka penalizuar aktivitetet e shumë e shumë sipërmarrjeve në vend. Megjithatë edhe ky është një problem i madh sepse njëkohësisht duhet të saktësojmë se cila është pjesa e këtyre borxheve për të cilat biznesi është borxh tek bankat dhe ndikimi i tyre në rritjen e nivelit të kredive të këqija, dhe me radhë. Megjithatë, bindja ime është që me transparencë, me vendosmëri, kjo çështje mund të zgjidhet brenda pak muajve, sepse në çdo rast bëhet fjalë për një borxh të papaguar 300 deri në 400 milion euro, i cili do t’i jepte një frymëmarrje shumë të shpejtë ekonomis, do të zhbllokonte shumë aktivitete dhe do ti krijonte mundësi biznesit për të kaluar këtë situatë mjaft kritike në një kohë shumë të shpejtë. Këtu alternativ janë disa, por këto do të bazohen gjithmonë nga identifikimi i saktë i këtij borxhi dhe gjendja në të cilin ai ndodhet. Një mund të ishte edhe përmes obligacioneve, por unë besoj që një tjetër mënyrë e shpejtë do të ishte edhe një rritje e lehtë e borxhit aktual, me qëllim të zhbllokimit të situatës ekonomikë në mënyrë afatshkurtër dhe më pas për të vazhduar me gjithë planin për stabilizimin financiar dhe strukturimin e ekonomisë. Por kjo është çështja e parë e cila duhet zgjidhur dhe ne do t’i japim një formulë shumë më të qartë në momentin që do të jetë qartë dhe në mënyrë transparente identifikuar borxhi, vlera e tij dhe gjendja reale e këtij borxhi. Unë mendoj që është tërësisht e zgjidhshme. Shqipëria nuk e ka atë rrezik që pati Greqia, në qoftë se ndërhyn tani. Në qoftë se situata vazhdon me vendime pupoliste, heqje taksash, rritje pagash dhe pensionesh, thjeshtë për arsye propagandistike, të marrësh borxh për të rritur pagat dhe pensionet, sepse merret borxh për të bërë investime të cilat rrisin ekonominë dhe shtojnë të ardhurat në buxhetin e shtetit, por nuk mund të merret borxh për paga dhe pensione, natyrisht që situata do të shkojë akoma edhe më keq. Unë besoj që shqiptarët do të japin një mesazh në 23 qershor për situatën ekonomike, dhe do të kërkojnë një ndërhyrje dhe një ristrukturim të ekonomisë së vendit me qëllim që të gjithë marrin përgjegjësitë për të krijuar një ambient të qëndrueshëm ekonomik, dhe jo thjeshtë afatshkurtër për përfitime elektorale. 

Sa e interesuar është me të vërtetë LSI-ja për integrimin e Shqipërinë në Evropë po të kemi parasysh që realizimi i kauzës do të nënkuptonte edhe mungesën e arsyes për ekzistencën e LSI-së më pas?

Unë mendoj se ne me shumë kënaqësi edhe do ta shkrinim LSI-në vetëm që Shqipëria të hynte në Evropë. Të jesh e sigurt për këtë gjë. Këtu nuk është çështja e emrit por këtu është çështja e realizimit të një aspirate e cila është shekullore. Nuk është as thjesht 20 e ca vjeçare. Shqipëria i ka trokitur Evropës që në gjenezat e saj dhe ka pasur një shkëputje të madhe nga Evropa, jo vetëm për 50 vite por për disa shekuj. Kështu që ne duhet t’i rikthehemi atij projekti të heroit tonë kombëtar, i cili synoi t’ia përkushtonte Shqipërinë dhe kontributin e shqiptarëve zhvillimit të qytetërimit perëndimor. Pastaj për pyetjen tuaj ajo është çështja më e lehtë që mund ta zgjidhim.

Z. Meta çfarë do të ndodhë me tregjet bujqësore në Shqipëri? Shumë produkte bujqësore në Shqipëri hidhen në kanale sepse nuk kanë tregun përkatës?

Ju riktheva të kaluarës për bujqësinë apo fushën e burimeve natyrore apo minierave, jo për nostalgji por për të qenë objektiv. Këto janë disa nga fushat kryesore në të cilat mund të prodhojmë, në të cilat mund të punësohemi dhe të vetëpunësohemi dhe që mund edhe të eksportojmë. Natyrisht do të vazhdojnë të dëmtohen prodhimet tona, të dështojnë prodhimet tona, pra të fermerëve tanë, me këtë situatë në të të cilën është ekonomia jonë bujqësore dhe me këtë mbështetje buxhetore që merr bujqësia që është 1 e 40-a e kontributit që jep në të gjithë zhvillimin ekonomik të vendit. Flasim me të madhe për subvencionet në bujqësi, 7 milionë dollarë janë ato në vit, i bije 2 dollarë për shqiptarët ose për fermerët 495 mijë, domethënë asgjë, e papërfillshme. Ndërkohë që Maqedonia është një vend më i vogël se Shqipëria dhe ka një politikë nxitëse, stimuluese dhe subvencionuese shumë herë më të madhe dhe efektive. Përse këto prodhime dështojnë? Sepse pjesa më e madhe e fermerëve tanë e kanë të pamundur të realizojnë shumë procese dhe të prodhojnë edhe të investojnë për prodhimin, edhe të dalin në treg, edhe të shesin, dhe të eksportojnë. Dhe tjetra, është shumë e rëndësishme që investimet në bujqësi të bëhen në një mënyrë strategjike, që nga sistemi i vaditjes dhe i kullimit që është vendimtar dhe deri tek investimet që kanë të bëjnë me magazinat frigoriferike për të ruajtur për të mbrojtur prodhimet, sepse një fermer i vetëm ta prodhojë domaten por nuk pati ku ta ruaj o do ta shes sot. Po se shiti sot do ta flakë nesër. Ndaj ne i kushtojmë vëmendje zhvillimit dhe stimulimit të ekonomive bujqësore, shoqërive bujqësore, është bërë ligji për këtë gjë, sepse ne filluam pak mbrapsht nga alergjia që kishin njerëzit nga kooperativat, u shpallëm luftë kooperativave. Dhe tani po kthehemi tek baza e kooperimit në bujqësi që është e domosdoshme. Dhe ne do të arrijmë ta zhvillojmë bujqësinë duke rritur investimet në këtë fushë, pra që nga vaditja dhe kullimi, duke nxitur bashkëpunimin në këtë fushë ndërmjet fermerëve, duke bërë të gjitha investimet e domosdoshme për bazat frigoriferike dhe njëkohësisht për realizim e industrisë agropërpunuese në vend dhe natyrisht duke nxitur, promovuar, eksportet jashtë vendit. Të gjitha këto nuk mund të bëhen pa politikat e vëmendshme, orientuese dhe rregulluese të shtetit dhe të qeverisë. Ajo ideja ne ju dhamë tokën tani ju këto punë i zgjidhni vetë sepse jeni të lirë, tregu i lirë, nuk funksionon. Përgjegjësia e shtetit është e madhe, shteti ka funksione të mëdha, ka përgjegjësi për qytetarët e tij, nuk ka nevojë t’i mbajë në tutelë dhe as tu imponojë në mënyrë jodemokratike, por ka të drejtë tu japë një perspektivë, tu japi një vizion, tu japi një mbështetje në përputhje me interesat e vendit, të ekonomisë kombëtare dhe me interesat e tyre të cilat ata i zgjidhin edhe vetë. Kështu që mendoj që ne tani kemi hyrë në këtë fazë, në fazën e një mbështetje më të madh
e për bujqësinë. Kemi kuptuar që ne nuk mund të prodhojmë gjëra të cilat janë jashtë kapaciteteve ton,a por ama ato specat që kemi prodhuar i kemi shitur edhe para 40 vjetësh, ato domatet të cilat bëheshin më shpejt në Shqipëri dhe që shiteshin përsëri ato mund të bëhen dhe bëhen, apo bostani, apo të gjithë elementët e tjerë. Këto janë diçka që mund të bëhen dhe po bëhen. Ka ferma të jashtëzakonshme në Divjakë, në zona të caktuara apo dhe në Korçë, të cilat po eksportojnë ndjeshëm por kjo nuk mund të mbetet thjesht në aftësitë, në dhuntitë, në menaxhimin e disa individëve. Kjo duhet kthyer në një sfidë të shtetit, në një sfidë të shoqërisë dhe ne në këtë rast do kemi mundësi të vetëpunësojmë dhe shumë të tjerë në bujqësi, të rrisim të ardhurat e gjithë atyre që janë aktualisht të angazhuar në bujqësi, të rrisim eksportet dhe të rrisim ekonominë tonë kombëtare dhe jo thjesht atë familjare apo individuale.

 Në fushën e arsimit këto vite ku kemi gabuar dhe ju çmendoni nëse ka gabime që mund të korrigjohen dhe si?

Mendoj se populizmi ka dominuar në përgjithësi politikën dhe vendimet e mëdha edhe në fushën ekonomike, por mendoj dhe në fushën e arsimit. Nuk i është kushtuar vëmendja e duhur cilësisë. Së dyti, ku përsëri tregohet populizmi, nuk ka pasur dhe nuk ka një politikë të qartë dhe konkrete për të lidhur profesionet dhe arsimin me tregun e punës sot dhe në të ardhmen sipas kërkesave dhe interesave që do ketë zhvillimi i ekonomisë të vendit tonë. Unë këtu e shikoj dhe rëndësinë e ristrukturimit të politikave arsimore më mirë në të ardhmen në funksion të atij modeli ekonomik që ka Shqipëria për të zhvilluar në të ardhmen, sidomos të atyre sektorëve të cilët përbëjnë një prioritet dhe një avantazh për rritjen ekonomike të vendit. Për ne arsimi është një e mirë publike, një e mirë që ofrohet nga universitetet publike, një e mirë që ofrohet nga universitetet private. Është e rëndësishme të zhvillohen të gjitha reformat që kanë të bëjnë me kurrikulat dhe me gjithçka tjetër. Të zhvillohet sistemi i akreditimit, në mënyrë që të identifikohet qartë cilësia dhe vlera e arsimimit të çdo të riu dhe të çdo të reje në të ardhmen. Tjetra që është më e rëndësishme për mua dhe që ka të bëjë me zhvillimin e ekonomisë dhe të shoqërisë në të ardhmen nëpërmjet politikave të arsimit është nxitja dhe mbështetja e kërkimit shkencor në universitete. Kjo pothuajse ka munguar dhe mungon ndërkohë që është e domosdoshme për të maksimizuar të gjitha ato potenciale që mund të zhvillohen në dobi jo vetëm të shkencës si shkencë në vetvete por në dobi të zhvillimit të ekonomisë, të zhvillimit të gjithë shoqërisë. Kërkimi shkencor unë mendoj se ka qenë dhe mbetet një temë e harruar deri më sot për arsye nga më të ndryshmet. Pra, kërkon një vizion tjetër. Lidhja e universiteteve me tregun e punës, me sipërmarrjet, me partneritet qeveri-universitete dhe sipërmarrje është i domosdoshëm në funksion të të gjitha këtyre reformave dhe të gjithë këtyre ristrukturimeve të ekonomisë, të arsimimit dhe të tregut të punës.

Nëse më 23 qershor humbet e majta, ju a do ishit i përgatitur për të qëndruar katër vite në opozitë apo do të ishit në koalicionin e ri qeverisës ?

Për mua nuk është sakrificë të jesh në opozitë. Unë kam qenë në qeverisje në vitet 2001, 2002, 2003 dhe jam larguar vetë. Kam dhënë dorëheqjen për arsye të mospajtimeve për çështje të qeverisjes dhe çështje politike. LSI nga një parti që ishte në pushtet u krijua si një parti në opozitë. Pra, lindi në opozitë. Ndonjëherë më duket se në opozitë funksionon edhe më mirë. Sa i përket pyetjes suaj, e para duhet të jenë të qetë, pasi do të jetë një fitore bindëse e opozitës dhe forcave të majta. Por, megjithatë në respekt të demokracisë, duhet t’i përgjigjem edhe variantit tjetër. Është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo është gjëja më e rëndësishme për vendin. Natyrisht për votuesit, për partitë kuptohet të gjithë duan të fitojnë sa më shumë nga këto zgjedhje. Së dyti, ne kemi bërë një koalicion para elektoral, që do të thotë se me këtë mënyrë jemi përcaktuar edhe për koalicionin pas zgjedhor, që do të thotë se nuk do të ishte e moralshme, nuk do të ishte e pranueshme dhe nuk ka përse të ndodhë se në rast se ky koalicion nuk fiton, LSI-a të bashkohet me një koalicion tjetër. Të dyja këto gjëra nuk do të ndodhin sepse nuk ndodh në radhë të parë e para. 

Cili mendoni se është potenciali ekonomik i Shqipërisë për të zhvilluar vendin ?

Fakti që flasim për Bujqësinë nuk ka të bëjë me atë që duam se Shqipëria të mos jetë një vend i zhvilluar industrial por sepse bujqësia përfaqëson dhe mban një peshë të madhe edhe sot pavarësisht nga vështirësitë që ka, nga mosmbështetja që ndiejnë fermerët tanë. Mban një peshë shumë të madhe për të gjithë prodhimin në vend, për zhvillimin ekonomik, për vetëpunësimin dhe ka potenciale të shumta të pashfrytëzuara të cilat ndihmojnë vendin që të zhvillohet, por ndihmojnë që edhe të bëhet një vend gjithnjë e më i varur nga importet dhe një vend që eksporton gjithnjë e më shumë sepse një pjesë e madhe e importeve tona vjen pikërisht nga produktet bujqësore, ushqimore që ne importojmë nga jashtë. Së dyti, Shqipëria nuk ka vetëm bujqësinë sepse kur flasim për bujqësi, duhet të flasim edhe për zhvillimin e turizmit sepse janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Shqipëria potencialet shumë të mëdha i ka në fushën e zhvillimit të turizmit. Por, pa asnjë diskutim Shqipëria ka potenciale për të zhvilluar edhe një revolucion industrial përmes krijimit të parqeve industriale, përmes ndërtimit të fabrikave të pasurimit për minelaret mbi lëndët e para që ne kemi në vend si dhe përmes zhvillimit të sektorit energjetik. Shqipëria ka potenciale të mëdha për të qenë jo superfuqi. Superfuqinë nuk e kuptoj dot as në planin rajonal, por për të qenë një vend që eksporton dhe që i shfrytëzon këto burime të mëdha, të ndryshme që ka pikërisht për t’u zhvilluar edhe më tej por edhe për të ulur kostot e prodhimit në vend sepse në rast se do të vazhdojmë të importojmë energji me çmime të larta të gjitha këto janë pasi energjia është baza e prodhimit dhe e kostove. Ne i kemi të gjithë treguesit për të zhvilluar një ekonomi të gjithanshme jo vetëm në një drejtim. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha, shërbimet, IT, teknologjinë e kështu me radhë. Por, mos harrojmë se çdo gjë fillon nga ushqimi dhe nga bujqësia. Ne e kemi neglizhuar këtë sektor për 20 vite sepse që për shkak të këtyre problemeve që trashëgoheshin nga e kaluara menduam që nuk do të kishim nevojë të punonim madje, sepse çdo gjë do të na vinte nga Amerika, nga Evropa, prandaj u prishën dhe u shkatërruan me mendjelehtësi dhe nga mungesa e eksperiencës së strukturave të jashtëzakonshme prodhuese. Por, tani fakti që jemi rikthyer tregon që kjo është një bazë e rëndësishme për zhvillimin e vendit. Kjo nuk është e vetme dhe nuk k
a sesi të jetë e vetme. Shqipëria ka mundësi për të qenë edhe një vend industrial por tani nuk kemi mundësitë që të bëhemi një vend që të zhvillojë çdo industri sepse jemi në kushtet e konkurrencës dhe natyrisht Franca, Gjermania, Japonia kanë industri jashtëzakonisht të zhvilluara, solide, i kanë tregjet të zëna dhe ne do ta kemi të vështirë që ta mundim Gjermaninë pavarësisht dëshirës së kryeministrit tonë.

A mendoni se Shqipëria është në krizë idesh përveç asaj ekonomike?

Problemi ynë është që ne mendojmë të gjithë që jemi filozofë përveç punëve dhe profesioneve të tjera. Ndoshta nga kjo ndodh që ju e keni pak më të vështirë që të identifikoheni si filozofë midis gjithë filozofëve. Absolutisht që mua filozofia më ka pëlqyer dhe më pëlqen shumë. Është shumë e rëndësishme për të iluminuar një perspektivë dhe unë mendoj se do të ketë një rivlerësim.