15 Jul Intervistë e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili dhënë për televizionin “Top Channel”

Z. Vasili, ka dy rryma në këto momente. Në që thotë se bashkëpunimi po shkon mirë dhe një tjetër që ka një lloj dyshimi për këtë bashkëpunim me PS-së dhe LSI-së. Në fakt deri në këto momente, si po shkon qoftë edhe hartimi i programit të përbashkët për 300 ditët e parë të qeverisjes?
Po punohet për një program integral 4-vjeçar, sigurisht me një prioritet për të definuar veprimet e shpejta për 300 ditët e para, sepse situata në të cilën ndodhet vendi, qoftë nga pikëpamja ekonomike, por edhe në mënyrën e funksionimit të shtetit e kërkon një veprim emergjent në mënyrë të veçantë për 300 ditët e para. Sigurisht, që ka kohezion, ekziston një klimë konstruktive e ndërtimit të një programi sa më të përgjegjshëm dhe realist mbi të gjitha dhe kjo frymë sigurisht ka sjellë atë risi që është përcjellë nga publiku i gjerë, ku për herë të parë po punohet gjerësisht mbi programin dhe nuk ekziston një përqendrim apo një merak i madh se kush do të ishin emrat përfaqësues.