Meta: Të angazhuar për të ndihmuar në financimin e biznesit fason me grante dhe kredi të buta

Meta: Të angazhuar për të ndihmuar në financimin e biznesit fason me grante dhe kredi të buta

ilirmeta29052013

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta ka deklaruar se biznesi fason meriton më shumë mbështetje nga qeveria, pasi është aktualisht biznesi më i madh punëdhënës në vendin tonë, sidomos për gratë dhe vajzat.

Gjatë një vizite që zhvilloi në një fabrikë ku prodhohen këpucë në Fier, z. Meta u shpreh se LSI do të angazhohet për mundësuar shumëfishimin e këtyre aktiviteteve për të rritur eksportet e mallrave shqiptare drejt vendeve të tjera. Gjithashtu, ai e vuri theksin te përpjekjet që duhen bërë për të nxitur biznesin dhe për të ndihmuar hapjen e vendeve të reja si prioritet kryesor në programin e LSI-së.

“Për LSI është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të vihet në punë dhe në radhë të parë gratë dhe vajzat e Shqipërisë prandaj edhe në të ardhmen do të jetë një prioritet i yni jashtëzakonisht i rëndësishëm mbështetje e biznesit fason, që është biznesi më i madh punëdhënës sot në Shqipërisë, sidomos për gratë dhe vajzat”, tha z. Meta.

“LSI është e bindur se me një mbështetje më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë së ardhshme jo vetëm do të ruhen vendet e punës, por do të mund të shumëfishohen, duke u zgjeruar këto aktivitete, duke realizuar cikli i plotë i këtyre aktiviteteve në vend dhe në mënyrë në veçantë duke rritur eksportet shqiptare drejt vendeve të tjera dhe në radhë të parë drejt vendeve të BE-së”, theksoi ai.

Më tej, lideri i LSI-së shprehu angazhimin për të ndihmuar financiarisht biznesin fason me grante dhe me kredi me norma të ulëta interesi, veçanërisht për ato biznese që shtojnë më shumë vende të reja pune.

Z. Meta bëri me dije se në plani e LSI për punësimin parashikohet subvencionimi i një pjesë të pagës për të gjithë ato gra dhe vajza të cilat fillojnë për herë të parë punën në këtë biznes derisa të arrijnë eksperiencën dhe formimin e duhur profesional në mënyrë.

Duke bërë këtë do të mund të lehtësohet kostoja e punëdhënësve dhe do të nxiten për të hapur vende të reja pune.

“Në këtë drejtim ne jemi të angazhuar për të ndihmuar sidomos në financimin e biznesit fason në ristrukturimin më afatgjatë të kredive që ka ky biznes. Njëkohësisht në mbështetje me grantet dhe me kreditë deri në 3 % për këtë biznes, sidomos për atë që shton më shumë vende të reja pune, për të subvencionuar një pjesë të pagës për të gjithë ato gra dhe vajza të cilat fillojnë për herë të parë punën në këtë biznes derisa të arrijnë eksperiencën dhe formimin e duhur profesional në mënyrë që të lehtësojmë kostot e punëdhënësve dhe t’i nxisim ata për të hapur vende të reja pune”, u shpreh z. Meta.

“Duke mbështetur biznesin fason ne japim një impakt mjaft pozitiv social në këtë kohë të vështirë krize ku probleme i punësimit vazhdon të jetë shqetësimi kryesor për shumicën e familjeve të Fierit dhe të gjithë Shqipërisë”, përfundoi prononcimin e tij Kryetari i LSI-së gjatë vizitës në fabrikën e prodhimit të këpucëve në Fier.