26 May Meta: 23 qershori do të sjellë një votë plebishitare, jo vetëm por rrotacionin por edhe për ndryshimin dhe për punësimin tuaj
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim shumë entuziast në qytetin e Kukësit, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 4 kandidatëve për deputetë të LSI-së në këtë qark. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke prezantuar ekipin e LSI-së në Qarkun Kukës, deklaroi se zgjedhjet e 23 qershorit janë vendimtare për qytetarët tanë sepse ata, përmes këtyre zgjedhjeve, do të përcaktojnë një perspektivë të re për të gjithë ekonominë tonë, një ekonomi e cila nuk mund të bazohet më te konsumi dhe te të ardhurat e emigrantëve tanë por te prodhimi, te rritja e eksporteve dhe te garantimi i punësimit të qëndrueshëm. “Zgjedhjet e 23 qershorit janë me të vërtetë mjaft të rëndësishme. Ato nuk janë zgjedhjet e radhës. Ato janë zgjedhjet që do t’i japin fund historisë së tranzicionit dhe që do të nisin një perspektivë të re për të gjithë kuksianët, hasianët, tropojanët dhe për të gjithë shqiptarët, atë të historisë së pandalshme në rrugën e integrimit por edhe në rrugën e progresit ekonomik dhe social”, tha z. Meta.
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, prezantoi kandidatët duke filluar me kryesuesin e listës së LSI-së në Qarkun Kukës, Apostol Goçi, me kandidatin e LSI-së në Rrethin e Kukësit, Qemal Elezi, me kandidatin në Rrethin e Hasit, Pëllumb Bardhoshi, dhe me kandidatin në Rrethin e Tropojës, Ukë Camaj.
Fjala e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në Kukës
Të dashur motra dhe vëllezër të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj, ju falënderoj për përkrahjen që i jepni Lëvizjes Socialiste për Integrim, ju falënderoj për mbështetjen që i jepni kandidatëve tanë. Dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe për kandidatët tanë të Qarkut të Kukësit, të cilët përfaqësojnë vlerat nga më të mirat të qëndrueshmërisë të komunitetit të këtyre trevave, që nga Qemal Elezi në Kukës, Pëllumb Bardhoshi në Has dhe Ukë Camaj në Tropojë. Një falënderim të veçantë e kam për kryesuesin e listës sonë, për z. Apostol Goçi, i cili u vlerësuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga populli juaj në vitin 2009, kur ai mori mbi 5 mijë vota dhe rikthimi i tij dhe bashkimi ynë sot në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit do të thotë se puna e nisur në vitin 2009 do të përfundojë me një fitore bindëse më 23 qershor dhe Apostoli do të jetë deputeti juaj dhe përfaqësuesi besnik dhe mirënjohës i këtij komuniteti të jashtëzakonshëm.
Unë jam i bindur se Kukësi, Hasi dhe Tropoja kanë vendosur të ecin më shpejt për të dalë nga kjo krizë ekonomike, nga ky stanjacion, nga ky ngërç, nga kjo mungesë perspektive e cila preket qartë nga shumica juaj dhe e banorëve të këtyre zonave ne jetën e përditshme përmes papunësisë, përmes rritjes së çmimeve, përmes centralizimit të shërbimeve publike, përmes arrogancës të drejtuesve, përmes mungesës së komunikimit, të dialogut dhe të gjithëpërfshirjes.
Ndaj unë jam i bindur se më 23 qershor Kukësi, Hasi dhe Tropoja do të votojnë për LSI-në si një forcë garantuese, jo vetëm për rrotacionin por edhe për ndryshimin që ju mirëprisni. LSI është forca e njerëzve të thjeshtë, të zakonshëm dhe me karakter që kanë aspirata dhe energji për të kërkuar më tepër nga jeta dhe nga vetja por edhe nga shteti dhe nga qeveria që e ka për detyrë të mbrojë pikë së pari interesat e të gjithë qytetarëve dhe jo t’i diskriminojë ata siç ndodh kudo por ndodh, aq më tepër, edhe këtu në Kukës, në Has dhe në Tropojë.
Zgjedhjet e 23 qershorit janë me të vërtetë mjaft të rëndësishme. Ato nuk janë zgjedhjet e radhës. Ato janë zgjedhjet që do t’i japin fund historisë së tranzicionit dhe që do të nisin një perspektivë të re për të gjithë kuksianët, hasianët, tropojanët dhe për të gjithë shqiptarët, atë të historisë së pandalshme në rrugën e integrimit por edhe në rrugën e progresit ekonomik dhe social.
Edhe pse dikush, çdo ditë e më shumë, në televizione dhe nëpër mitingje, thotë me zë të lartë se ekonomia jonë është më e fortë se asnjëherë tjetër e kështu me radhë, ju vetë e ndjeni më shumë se kushdo se si ajo prek çdo ditë xhepin e familjes tuja, se si ajo çdo ditë ju ul kokën padrejtësisht kur vjen fjala për të garantuar një shkollim më të mirë për fëmijët tuaj, një jetë më të mirë dhe më të sigurt për ata. Prandaj duhet t’i japim më 23 qershor, përmes votës suaj, kësaj euforie jashtë realitetit të qeverisë aktuale ndërkohë që ju nuk keni as të ardhurat minimale për të përballuar faturat e ushqimeve, të shërbimeve, të energjisë, të ujit, që rriten çdo ditë dhe listat e borxheve që zgjaten pafund në dyqane dhe tregjet.
Zgjedhjet e 23 qershorit janë vendimtare për qytetarët tanë sepse ata, përmes këtyre zgjedhjeve, do të përcaktojnë një perspektivë të re për të gjithë ekonominë tonë, një ekonomi e cila nuk mund të bazohet më te konsumi dhe te të ardhurat e emigrantëve tanë por te prodhimi, te rritja e eksporteve dhe te garantimi i punësimit të qëndrueshëm. Kjo krizë ekonomike është si çdo sëmundje tjetër dhe ai që i injoron pasojat, që nuk e diagnostifikon dhe nuk i gjen kurën e duhur padyshim që kërkon të marrë më qafë të gjithë vendin dhe të gjithë shoqërinë tonë por unë jam i bindur se të gjithë ju jeni të qartë, jeni të qartë për takimin e rëndësishëm të 23 qershorit me të ardhmen, me perspektivën e fëmijëve tuaj dhe të familjeve tuaja. Ndaj 23 qershori do të sjellë një votë plebishitare, jo vetëm por rrotacionin por edhe për ndryshimin dhe për punësimin tuaj në Kukës, në Has, në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Ne jemi një vend që ka pasuri të jashtëzakonshme nëntokësore dhe mbitokësore, ashtu sikurse edhe vetë trevat tuaja. I kemi të gjitha mundësitë që me një vizion të qartë ekonomik ta kthejmë ekonominë tonë në një ekonomi vibrante dhe ekonomike, duke i vënë në punë këto potenciale të jashtëzakonshme natyrore dhe njerëzore. Prandaj angazhimi ynë kryesor është që të vëmë Shqipërinë dhe shqiptarët në punë përmes një programi konkret dhe jo përmes premtimeve boshe.
Në takimet që bëjmë çdo ditë me qytetarët e thjeshtë e sidomos me të rinjtë dhe të reja që kanë mbaruar studimet e larta, që madje kanë bërë edhe master apo edhe fakultete të dyta, për ekonomi apo drejtësi, në gjuhët
e huaja apo shkencat sociale, duket qartë shqetësimi i përbashkët i tyre që e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune që i përgjigjet edukimit dhe aftësive të tyre. Shumë prej tyre bëjnë intervista por përsëri e gjejnë derën e tregut të punës duke plagosur kështu shpresën se së shpejti mund të gjejnë një punë që do të ndryshojë jetën e tyre dhe ta bëjë atë më të gëzueshme. Tani është koha për ndryshim dhe ne jemi të vetëdijshëm për situatën ekonomike dhe sfidat që na presin pas 23 qershorit.
Plani ynë i punësimit prej 5 pikash ka propozime konkrete dhe sektorë të qartë përmes zhvillimit të të cilëve ne do të japim me dhjetëra-mijëra vende pune në të gjithë Shqipërinë. Plani i punësimit është një platformë realiste që do të ndihmojë bizneset jo vetëm të mbajnë gjallë aktivitetet e tyre por edhe të zgjerohen dhe të rrisin investimet për të hapur më shumë vende pune dhe për të gjallëruar ekonominë tonë. Prandaj është vendimtare për të gjithë ne që të votëbesojmë një ndryshim plebishitar, që të vendosim një ekuilibër të ri ku vendoset bashkëpunimi mbi ndasitë dhe mbi përçarjet, një lidership i ri që sjell një rrugë dhe një perspektiv të re për të gjithë, një lidership të ri që na sjell më afër me Evropën dhe me perëndimin dhe që i jep fund përplasjeve dhe izolimit, një lidership që i jep zgjidhje reale dhe konkrete shqetësimeve dhe halleve tuaja.
Plani i punësimit të LSI-së ka në fokus zhvillimin ekonomik dhe punësimin e qytetarëve përmes lehtësive fiskale dhe kredive të buta për sektorët me potencial më të lartë punësimi si bujqësia dhe agropërpunimi, turizmi dhe shërbimet, industria prodhuese, bizneset e vogla dhe të mesme, energjetika dhe infrastruktura. Këto janë sektorët ku mund të inkurajojmë investimet vendase dhe të thithim qindra milionë euro investime të huaja. Kjo sepse shqetësimi kryesor i shqiptarëve nuk është karrigia e Berishës, të cilën mund ta marrë me vete kudo pas 23 qershorit, por krijimi i vendeve të reja të punës për të gjithë ata që duan të jetojnë me djersën e ballit.
Ndaj me votën tuaj le të vëmë bashkërisht Shqipërinë në punë dhe të ecim më shpejt drejt mirëqenies së familjeve tona dhe komuniteteve tona. Plani i punësimit të LSI-së do të stimulojë punësimin duke transformuar dhe modernizuar bujqësinë tonë dhe duk zhvilluar industrinë agropërpunuese, përmes aplikimit të skenës së granteve, të subvencioneve, kredive agrare në interesa 3 për qind për të stimuluar prodhimin bujqësor dhe për të ulur kostot e tij. Për të rritur cilësinë e produkteve tona dhe për të stabilizuar çmimet për konsumatorët vendas. Për të shtuar numrin e fermerëve dhe për të gjallëruar industrinë agropërpunuese. Kjo reformë është e nevojshme jo vetëm për ekonomike por edhe për të shpërblyer mundin, sakrificën e djersën e qindra mijëra fermerëve në Kukës dhe në të gjithë Shqipërinë, sepse produkti i tyre është ushqimi ynë i përditshëm në tryezat familjare. Fatkeqësisht buxheti i shtetit për ta sot është thjesht një lëmoshë, prandaj ne do të shumëfishojmë grantet dhe subvencionet për fshatin dhe për fermerin.
Përmes ndërtimit të resorteve turistike për të ofruar shërbime më cilësore dhe çmime më konkurruese në rajonin tonë. Përmes stimujve fiskalë për operatorët vendas dhe të huaj në mënyrë që të kalojmë nga një turizëm familjar në një turizëm elitar. Ndaj LSI ka propozuar uljen prej 10 për qind të TVSH-së për shërbimet turistike, gjë të cilën vetëm para pak ditësh e zbuloi duke na dëgjuar ne edhe kryeministri aktual, duke futur edhe atë në radhën e premtimeve, ndërkohë që kishte tetë vite mundësi që ta realizonte. Për ne turistët nuk do të jenë statistika doganore por do të jenë gjeneratorë të vërtetë të punësimit dhe të fluksit valutor për ekonominë tonë.
Sektori i shërbimeve ka një potencial të jashtëzakonshëm për të hapur vende të reja pune përmes kompanive të sigurimeve, shërbimeve të transportit, telekomunikacionit apo call-center. Ekonomia jonë ka akoma potenciale të pashfrytëzuara për të krijuar biznese të reja në zona të lira ekonomike dhe parqet industriale dhe kryesisht në zona më pak të zhvilluara, siç janë sot, sikurse është edhe zona e Kukësit. Prandaj LSI ofron një paketë fiskale One Stop Shop për të gjithë investitorët vendas dhe të huaj në zonat e lira ekonomike dhe në parqet industriale, ku bizneset përjashtohen nga të gjitha taksat dhe tatimet për pesë vitet e para të aktivitetit, sepse prioriteti ynë i parë dhe i fundit do të jetë rritja e punësimit.
Të dashur qytetarë të Kukësit. Shqipëria është e pasur me burimeve të jashtëzakonshme natyrore, hidrike, hidrokarbure e minerale dhe kështu është edhe vetë e gjithë zona e Kukësit, e Hasit dhe e Tropojës. Ndaj, ne nuk mund të pranojnë që ju të jetoni si njerëz të varfër sipër një toke të pasur. Shqiptarët dhe kuksianët duhet ti gëzohen bekimit të burimeve natyrore të cilat deri tani, për shkak të keqmenaxhimit, kanë sjellë më shumë varfëri dhe fatkeqësi si për minatorët këtu e në Bulqizë apo për naftëtarët në Patos, Ballsh e Divjakë. Ne kemi nevojë për një drejtim që pasuritë kombëtare të dijë t’i menaxhojë me efikasitet dhe ti kthejë në vlerë të shtuar për ekonominë përmes investimeve për fabrikat e pasurimit apo të rafinerive të naftës duke punësuar minatorë në radhë të parë dhe jo duke lënë në rrugë minatorët dhe naftëtarët të cilët kanë punuar e sakrifikuar dhe që sot gjenden pa punë dhe pa pension. Prandaj ne jemi të angazhuar për tu dhënë status të veçantë minatorëve dhe naftëtarëve.
Për ne është mjaft e rëndësishme që qytetarët e Kukësit, të Hasit e të Tropojës e të gjithë Shqipërisë të votojnë në 23 qershor për një plan të vërtet punësimi dhe jo për një plan të vërtetë zhgënjimi siç është premtimi i kryeministrit aktual, plot me premtime boshe dhe njëkohësisht edhe me kilometra më të shkurtra se shiritat që po inauguron. Ju keni në dorë të votoni për një autostradë të sigurt që e çon Kukësin dhe gjithë Shqipërinë më shpejt drejt Bashkimit Evropian dhe jo për një rrugë të vjetër konfliktualiteti plot gropa dhe mungesë shprese. Dhe kjo është Aleanca për Shqipërinë Evropiane, e cila do ta ndihmojë Kukësin dhe Shqipërinë të integrohet më shpejt në Bashkimin Evropian. Ju keni nevojë të votoni për një qeverisje që kupton dhe i përgjigjet me energji dhe vizion situatës së vështirë ekonomike ku jemi sot. Të votoni për një lidership të kujdesshëm për çdo hall dhe për shqetësim tuajin dhe jo për një lidership që mendon se kuksianët, tropojanët dhe hasjanët nuk kanë detyrë tjetër veçse të votojnë jetë e mot për të pavarësisht se i ka kthyer kurrizin këtyre trevave prej disa vitesh. Ju keni në dorë të votoni për ndryshimin duke përshpejtuar realizimin e agjendës sonë të punësimit dhe të integrimit, të zhvillimit ekonomik dhe progresit social duke i dhënë fund status-kuosë dhe vendqëndrimit në vend dhe jo duke pritur me ankth ditën e nesërme, e cila nuk premton asgjë më të mirë se sot me këtë qeverisje. Ndaj në këto zgjedhje nuk ës
htë në pikëpyetje fati i asnjë partie dhe asnjë politikani. Në këto zgjedhje, në radhë të parë, është në qendër të vëmendjes dhe të zgjidhjes fati i tre milion shqiptarëve, të cilët duhet të përqendrohen çdo ditë e më shumë jo tek ajo se çfarë ndodh në politikë por tek ajo sesi politika i mban premtimet e saj ndaj qytetarëve.
Unë jam i bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë për të sotmen dhe të ardhmen tuaj, të fëmijëve tuaj këtu dhe në të gjithë Shqipërinë. Ndaj jam i bindur se në emër të tyre të gjithë ju do të bëni zgjedhjen e cila na ndihmon që të ecim më shpejt bashkërisht drejt zhvillimit dhe drejt progresit. Ndaj unë jam i bindur se Kukësi, Tropoja dhe Hasi në 23 qershor do të tregojnë se janë një popull jo vetëm heroik, kreshnik, i qëndrueshëm por njëkohësisht janë një popull me shpirt evropian, janë një popull me një vizion evropian, janë një popull që nuk ka paragjykime, janë një popull që të gjitha shpresat, energjitë dhe ëndrrat e tyre do t’ia kushtojnë të ardhmes e cila nis nga 24 qershori me votën tuaj dhe me fitoren tonë në Kukës, në Has dhe në Tropojë. Fitorja është e padiskutueshme sepse ne jemi kaq të shumtë dhe të bashkuar si asnjëherë tjetër dhe fitorja jonë nuk do të jetë vetëm fitore e atyre që do të votojnë për ne por do të jetë një fitore dhe një çlirim për të gjithë qytetarët e Shqipërisë sepse ne do të hyjmë në një epokë të re, atë të bashkëpunimit midis kuksianëve, tropojanëve, hasjanëve dhe të gjithë shqiptarëve, duke i dhënë fund konflikteve dhe ndasive që ka sjellë politika e vjetër në këto treva dhe në të gjithë Shqipërinë. Rroftë populli i mrekullueshëm i Kukësit, i Tropojës dhe i Hasit. Fitore deputetit tuaj të padiskutueshëm, Apostoli Goçit dhe suksese të tre kandidatëve tanë, Qemal Elezit në Kukës, Pëllumb Bardhoshit në Has dhe Ukë Camës në Tropojë. Rroftë Kukësi, Hasi dhe Tropoja dhe të bashkuar në 23 qershor le t’i japim një mesazh evropian të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Fitore LSI-së në 23 qershor dhe fitore Kukësit në Kupat e Evropës.
Fjala e Kryesuesit të listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Kukës, Apostol Goçi
Miq dhe njerëz të besës. Jemi sot këtu para jush jo për t’ju kërkuar votën por për t’ju promovuar ju si njerëz të qëndresës. Ne nuk dimë të mos jemi mirënjohës. Ne nuk kërkojmë por dimë të jemi para jush si miku pranë mikut. Unë jam pranë jush si një mik, do të jem me ju pranë jush si mik. 4 vite më parë ju besuat tek unë 5 mijë vota. Nuk jua kam harruar të mirën dhe besimin. Këtë besim e çmoj si detyrimin tim karshi jush. Përherë do të jem borxhli me ju. Sot unë jam po ai besnik i katër viteve më parë me ju por me një sigur më të madhe, e shumëfishuar. Jam me një parti që ka një lider si Ilir Meta dhe jam pjesë e një koalicioni që fitoren e ka të pakthyeshme. Unë jam pranë jush sot jo si një premtues por si fitues që e shpërblen besimin. Jam me ju për t’ju shërbyer dhe koha e shërbimit ka filluar. Qofshim bashkë në këtë fitore o bij të kësaj treve kreshnike.