Meta : Partneriteti shtet-biznes vë Shqipërinë në punë

Meta : Partneriteti shtet-biznes vë Shqipërinë në punë

ilirmeta30052013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar në Shkodër një bashkëbisedim me biznesmenë, sipërmarrës të njohur si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme të biznesit.

Në fjalën e tij hyrëse Lideri i LSI-së deklaroi se biznesi është dhe duhet të jetë një partner shumë i rëndësishëm i qeverisë. “Për ne biznesi është dhe duhet të jetë një partner shumë i fuqishëm i qeverisë, i shtetit për të çuar para të gjitha reformat, për të çuar para edhe integrimin evropian sepse pa një ekonomi të zhvilluar, pa një sipërmarrje të zhvilluar, pa pasur një sipërmarrje efeciente dhe që di të konkurrojë denjësisht në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare, integrimi evropian është një projekt i dështuar. Sepse ne duam të shkojmë në Evropë dhe të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian që të rrisim më tej standardet ekonomike e sociale të qytetarëve tanë dhe këtë nuk mund ta bëjmë pa i dhënë atë mbështetje biznesit që ai të fitojë këtë betejë në tregjet evropiane dhe në tregjet ndërkombëtare”, tha z. Meta.

Sipas tij situata ekonomike është plot mjegull rreth e qark. “Kjo shprehet sidomos në rënien e dërgesave të emigrantëve tanë, të cilat kanë pësuar një rënie drastike. Dhe kjo pastaj shprehet edhe në shumë tregues të tjerë, në rritjen e borxhit, në rritjen e deficitit tregtar e kështu me radhë. Ndaj për ne është imediate që përpara se të diskutojmë për taksat, të diskutojmë dhe të angazhohemi për një model të ri ekonomik, i cili bazohet jo thjesht tek konsumi, i cili është financuar deri më tani nga të ardhurat e emigracionit, por që bazohet tek prodhimi në vend. Dhe akoma më tepër tek një ekonomi që jo vetëm prodhon por edhe eksporton. Kjo është rruga më e sigurt për një ekonomi kombëtare të qëndrueshme dhe njëkohësisht edhe për një punësim të qëndrueshëm duke qenë se për ne problemi kryesor në vend, sot dhe për të ardhmen, mbetet problemi i punësimit dhe rruga më efektive për të zbutur problemet sociale është ajo e punësimit”, vijoi ai.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se çështja e taksave është një çështje që duhet parë në funksion të këtyre objektivave, pra të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar në prodhim, të bazuar në eksport, të bazuar në produkte ‘Made in Albania’ dhe sigurisht që të gjitha politikat e tjera tatimore duhen vënë në funksion të këtyre objektivave. “Sepse në qoftë se dikush nuk prodhon ose dikush nuk shet, për çfarë do ta tatosh? Në qoftë se një njeri nuk siguron një të ardhme, nuk ka një rrogë, atëherë për çfarë do ta tatosh, çfarë do të paguajë? Kështu që mendoj se ky është një debat që nuk duhet nisur nga fundi por duhet nisur nga fillimi”, tha ai.

Z. Meta u shpreh se LSI për këtë ka një vizion të sajin, shumë konkret. “Në ditët e ardhshme, brenda kësaj jave ne do të japim edhe një alternativë shumë të qartë për shlyerjen e borxheve në një periudhë shumë të shpejtë nga ana e qeverisë, të gjithë punëve publike të papaguara deri tani, por edhe të TVSH-së së parimbursuar deri tani për të gjitha bizneset. Është një skemë shumë e kolauduar, të cilën sikurse e thashë do ta bëjmë publike këto ditë dhe të cilën do ta bëjmë pastaj publike në të gjithë vendin. Sepse është e domosdoshme që shteti t’i shlyejë detyrimet ndaj gjithë kompanive.

Sipas tij kjo krizë në Evropë duhet ta shikohet si një mundësi për të tërhequr sa më shumë investitorë, sidomos italianë, por edhe të vendeve të tjera të cilët për shkak të rritjes së politikës së taksave në këto vende synojnë të transferojnë fabrikat e tyre, aktivitetet e tyre në vende më të afërta dhe kuptohet që Shqipëria është një vend ideal.

Një tjetër çështje shqetësuese për biznesin sipas z. Meta ka qenë dhe mbetet rimbursimi i TVSH-së. “Është një borxh i madh i shtetit, pra TVSH-ja e parimbursuar për bizneset, e cila padyshim që përveç shlyerjes së saj që hyn së bashku me skemën e punëve publike të papaguara nga ana e qeverisë kërkon edhe një zgjidhje për të ardhmen. Zgjidhja për të ardhmen, sikurse ne e kemi bërë publike këtu në Shkodër në vizitat e kaluara është rimbursimi automatik i TVSH-së. Kjo është e vetmja zgjidhje që të mos lihet në dorën e administratës, të burokracive të tjera, të veprimeve selektive e kështu me radhë”, përfundoi parashtrimin e tij para biznesmenëve në Shkodër.

Pas fjalës së Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e morën fjalën biznesmenë e pranishëm në këtë bashkëbisedim. Ato shprehën shqetësimet e tyre që hasin çdo ditë dhe parashtruan ide për mënyrat se si mund të përmirësohet klima e biznesit në vend. I Pranishëm në këtë tryezë Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, duke vlerësuar rolin e LSI-së për përmirësimin e marrëdhënieve midis shtetit dhe biznesit deklaroi se lehtësimi i komunikimit të biznesit me administratën publike dhe me shtetin është një nga çështjet që duhet bërë sa më parë. “Duke qenë se LSI-ja përfundimisht po identifikohet si forcë pro zhvillimit të biznesit unë do të thosha se LSI-së, më shumë se kushdo tjetër, i lind detyrimi që të krijojë organizmat pro biznes. Ne kemi nevojë për një “One Stop Shop” që ne të shkojmë çdo ditë për të gjitha problemet që kemi. Kemi probleme nga më të ndryshmet dhe ky “One Stop Shop” do të na zgjidhte shumë probleme. Gjëja e parë që duhet bërë në këtë vend është që të lehtësohet komunikimi i biznesit, i organizatave që e përfaqësojnë biznesin, me administratën publike duke krijuar një institucion që të jetë publik por që përfaqëson drejtpërdrejtë interesat e biznesit. Funksionimi i administratës publike është një nga problemet më të mëdha që ne kemi. Ne kemi një bibliotekë me ligje shumë të mira por që këto ligje nuk zbatohen. Në këto kushte derisa administrata të fillojë të funksionojë në këtë vend biznesi nuk ka kaq kohë për të humbur. LSI si forcë politike që është shprehur për ta vënë Shqipërinë në punë duhet të ndërhyjë për të bashkëpunuar me biznesin për të hapur vende të reja pune”, tha ndër të tjera z. Zusi.

Pasi dëgjoi me kujdes parashtrimet e biznesmenë dhe mbajti shënim shqetësimet e tyre,. Meta deklaroi se qëllimi i LSI-së është që të investojë për një klimë pozitive të biznesit që të vihet Shqipëria në punë.