28 May Takim madhështor në Lezhë, LSI prezanton ekipin e kandidatëve për deputetë të qarkut
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një takim madhështor në sheshin qendror të qytetit të Lezhës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 7 kandidatëve për deputetë në Qarkun e Lezhës. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi LSI është e angazhuar që me programin e saj të luftojë kundër kësaj krize të jashtëzakonshme që ka kllaposur vendin.
Lista e kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Lezhën kryesohet nga Monika Kryemadhi, duke vijuar me Petrit Gjonin, Gjok Bunën, Bib Gjonmarkaj, Edmond Pirolin, Erisi Zaimi, si dhe Prenda Sejdia.
Fjala e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në takimin e zhvilluar në Lezhë
Të dashur motra dhe vëllezër të Lezhës, të Kurbinit dhe të Mirditës. Jemi mbledhur sot me Lezhën e Besëlidhjes, atje ku më shumë se 5 shekuj më parë Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtar, me moton e tij që qëndron në themelet e kombit tonë se “Bashkimi bën fuqinë”, i mblodhi të gjithë princat dhe i bashkoi për të nisur udhëtimin drejt Evropës, drejt perëndimit, atje ku ka qenë zanafilla jonë, atje ku është e ardhmja jonë. Ndaj ne jemi sot në Lezhë pikërisht për të aktualizuar këtë mesazh të madh që vjen nga historia se përmes bashkimit dhe bashkëpunimit Lezha, Mirdita, Kurbini dhe e gjithë Shqipëria do të kenë vendin e merituar në Evropë dhe do ta ketë shumë shpejt me ndihmën dhe kontributin tuaj të jashtëzakonshëm më 23 qershor.
Jemi këtu në këtë qytet dhe këtë qark të jashtëzakonshëm, që Zoti e ka bekuar me gjithçka, me një natyrë të jashtëzakonshme, me një histori të jashtëzakonshme, me detin, lumenjtë, lagunat por mbi të gjitha me njerëzit e jashtëzakonshëm. Lezha, Mirdita dhe Kurbini ka nxjerrë në shekuj dhe gjithmonë personalitete të jashtëzakonshme që i kanë bërë shërbime të çmuara kombit, kulturës sonë, historisë sonë. Ndaj ne jemi shpresëplotë dhe ju dhe të gjithë lezhjanët, mirditorët dhe kurbinasit do të jepni kontributin tuaj të pazëvendësueshëm që Lezha, Mirdita dhe Kurbini të ecin më shpejt, së bashku me të gjithë shqiptarët, drejt Evropës, në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit.
Ne e dimë se zgjedhjet e 23 qershorit janë vendimtare sepse nuk do të përcaktohet fati i disa politikanëve për katër vitet që vijnë por drejtimi që do të marrë vendi për dekadat që vijnë. Ndaj jemi sot këtu për tu angazhuar që të përballemi me kurajo dhe me guxim me një krizë komplekse ekonomike e cila po ashpërsohet çdo ditë, e cila është ulur këmbëkryq në shtëpitë tuaja duke cenuar shpresën, jetën dhe të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj.
Kjo krizë e gjithanshme nuk është vetëm ekonomike. Është për fat të keq edhe një krizë sigurie për jetën, është një krizë politike, institucionale dhe qeverisëse. Në radhë të parë është një krizë besimi. Kjo krizë ka mbërthyer ekonominë tonë. Kjo krizë po zbraz xhepat tuaj çdo ditë duke lënë mijëra familje në mëshirë të fatit. Kjo krizë nuk por kursen humbjen e vendeve të punës ndërkohë që rrit çdo ditë çmimet nëpër dyqane dhe shton listat e atyre që nuk paguajnë dot. Sot të gjithë e dimë se janë rritur çmimet, jo thjesht për produktet e luksit por edhe e elementëve më jetikë për të përballuar standardet më minimale të jetesës.
Përballë këtij realiteti të vështirë që Lezha, Mirdita dhe Kurbini nuk e meritojnë sot ju dhe të gjithë shqiptarët përballeni me një retorikë politike tejet konfliktuale dhe me një krizë të theksuar lidershipi dhe qeverisjeje. Ndërkohë qeveria aktuale harxhon miliona euro reklama me paratë tuaja dhe të gjithë taksapaguesve shqiptarë për tu mbushur mendjen shqiptarëve se sa mirë ata jetojnë. Por ju dhe të gjithë shqiptarët e dini shumë mirë se kjo krizë nuk kurohet me fjali apo me premtime boshe. Shqipëria ka nevojë për një lidership me këmbë në tokë, që i kupton dhe i përgjigjet sfidave ekonomike që po kalon vendi, sidomos sot kur Evropa dhe vendet fqinje ndodhen në një krizë të thellë financiare.
Ne e kuptojmë seriozitetin e kësaj krize, ne dëgjojmë për të çdo ditë por edhe i shohim efektet e saj çdo ditë, e ndjejmë atë çdo ditë. Papunësia është problemi më i madh dhe më serioz. Me mijëra shqiptarë humbasin vendete punës. Qindra biznese të vogla dhe të mesme anembanë vendit mbyllin aktivitetet e tyre duke lënë mijëra familje pa shpresë për të nesërmen. Këto biznese ishin të ardhurat e vetme për familjet e tyre, ishin mundësia e vetme për të investuar për shkollimin e fëmijëve të tyre. Shitjet e bizneseve po bien në mënyrë drastike dhe kreditimi i nevojshëm për to po bëhet gjithnjë e më i vështirë, gjithnjë e më i shtrenjtë. Nga ana tjetër janë qindra milionë euro që qeveria aktuale i ka borxh bizneseve për veprat publike që ka realizuar por që janë të papaguara, duke u vënë lakun në fyt jo vetëm bizneseve që janë tashmë në prag të falimentit sepse kanë marrë kredi në banka për të realizuar investimet, të cilat qeveria nuk ua shleu për vite të tëra. Janë më mijëra familjarë të cilët po humbasin të ardhurat e tyre për shkak të falimentit të këtyre aktiviteteve. Ndërkohë që fushat e Torovicës, Kakarriqit, Zejmenit, Ishull-Lezhës, e Talës, përmbyten vazhdimisht dhe vërtetë siç e tha edhe Monika, fermerët në këto zona mbjellin tre herë dhe nuk korrin asnjëherë. Dhe kjo ndodh për shkak të mosinvestimeve të duhura për të mbrojtur tokat e tyre, pronat e tyre, nga përmbytjet dhe kapriçot e natyrës.
Por, reflektimi më i dhimbshëm i kësaj krize shfaqet te rinia jonë sepse në radhë të parë kjo krizë synon të vrasë shpresën dhe të ardhmen e rinisë. Çdo vit mijëra studentë, shumë prej tyre me rezultate shumë të mira e gjejnë veten në udhëkryq sepse talentin dhe aftësinë e tyre nuk e vënë dot në punë. Ndaj, ende shumë prej tyre vazhdojnë të besojnë si përpara 20 vitesh se shpëtimi i vetëm është largimi nga vendi. Por rinia është aseti më i vyer i Lezhës, i Kurbinit dhe i Mirditës, dhe i mbarë kombit tonë. Rinia është shpresa dhe energjia jonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë gjeneratat. Ndaj ne angazhohemi përmes programit tonë të punësimit, për t’i vënë në jetë energjitë dhe aftësitë e të rinjve, për të pasur një rini aktive ku diploma dhe profesioni të gjejnë vendin e duhur të sigurt të punës për të ndërtuar të ardhmen dhe familjen e tyre këtu në Shqipëri.
Ne jemi të vendosur për të përqendruar dhe orientuar të gjitha politikat drejt një prioriteti të vetëm, drejt punësimit, arsimim për punësim. Polit
kë e taksave për punësim. Gjithçka në interes të punësimit. Ndaj ne zotohemi se me votën tuaj dhe gjithë shqiptarëve në 24 qershor do të punojmë për ta vënë të gjithë Shqipërinë në punë sepse shqiptarët e duan punën, sepse tani është koha për ndryshim, sepse vetëm duke punuar do të arrijmë të ndërtojmë një ekonomi të sigurt familjare, dhe një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese kombëtare. Për këtë ne kemi një qasje të re në të gjitha politikat ekonomike që i jep fund tranzicionit të një ekonomie pasive konsumi të ushqyer kryesisht nga dërgesat e emigrantëve tanë, të cilat sa vijnë e tkurren e që i hap dritën jeshile ndërtimit të një ekonomie prodhuese që është e aftë të krijojë punësim, që të është e aftë të konkurrojë denjësisht në tregjet rajonale me eksportet e saj. Punësimi sonë është kryefjala e axhendës sonë politike dhe ekonomike dhe çelësi i suksesit për një ekonomi që sjell përfitime për të gjithë.
Ndaj Plani ynë i Punësimit i cili stimulon zhvillimin dinamik të Bujqësisë, të shërbimeve, të turizmit, industrisë, infrastrukturës dhe të gjithë bizneseve të reja, të vogla dhe të mesme është një plan konkret që sjell punësim afatgjatë për të gjithë qytetarët dhe që fokusohet tek sektorët potencialë të ekonomisë, për hapjen e dhjetëra, mijëra vende të reja të punës. Përmes një reforme agrare e cila synon shumëfishimin e buxhetit për bujqësinë nga 0,5 % të Produktit të Përgjithshëm Bruto në 2 për qind të tij. Është e pafalshme të kemi këtë buxhet të papërfillshëm për Bujqësinë që kontribuon në mbi 20 për qind të ekonomisë kombëtare dhe ku vetëpunësohen më shumë se 50 për qind e fuqisë punëtore në vend. Ne duam që fermerët tanë të mos jenë bujq në ngastrat e tyre, por aksionerë të sipërmarrjeve bujqësore si kudo në vendet e zhvilluara evropiane.
Ndaj ne do të aplikojmë skemën e granteve të subvencioneve dhe të kredive agrare me interesa 3 për qind që rrisin prodhimin bujqësor, që shtojnë numrin e fermerëve, që stabilizojnë çmimet e produkteve në vend dhe që rrisin eksportet “Made in Albania”, si dhe krijojnë vende të reja pune për industrinë agropërpunuese. Është një fakt i pamohueshëm që Lezha ka potenciale të jashtëzakonshme në industrinë agropërpunuese, prandaj ne angazhohemi për kredi të favorshme me interesa 3 për qind për të gjithë bizneset e reja në këtë sektor, të cilat punësojnë mbi 20 punëtorë dhe që 50 për qind të prodhimit do ta eksportojnë jashtë vendit. Lezha, Kurbini dhe Mirdita kanë potenciale të jashtëzakonshme për një zhvillim të kombinuar të të gjitha llojeve të turizmit që nga ai veror, që nga ai kulturor, historik, religjioz, malor e kështu me radhë.
Ne angazhohemi për të zhvilluar në interesin e komunitetit tuaj resorte turistike të standardeve evropiane në Shëngjin, në Tale dhe në Patok, sepse janë shumë pak turistë që vijnë në Lezhë vetëm për të vizituar disa orë kalanë apo vendin e Besëlidhjes së Lezhës, ndërkohë që këto potenciale të jashtëzakonshme turistike të komunitetit tuaj janë një mundësi e vërtetë dhe reale për t’u kthyer në një burim të fuqishëm të ardhurash dhe mirëqeniesh, punësimi për ju, por edhe zhvillimi për mbarë Shqipërinë.
Kam vizituar këtu në qarkun tuaj disa fabrika të përpunimit të peshkut dhe të prodhimeve të detit. Pjesa më e madhe e tyre për fat të keq e marrin ende lëndën e parë nga Kroacia apo nga Spanja sepse është e pamundur për të përballuar zhvillimin e peshkimit këtu për shkak të investimeve që duhen për të hapur një flotë peshkimi efikase dhe të re. Ndërkohë që ne kemi nevojë për të zhvilluar industrinë e peshkimit në një industri të mirëfilltë, si një burim i jashtëzkonshëm për të zhvilluar të gjithë këtë industri përpunuese dhe për të qenë një bazë e fuqishme e eksporteve tona duke nisur këtu nga Lezha. Ndaj ne angazhohemi për të mbështetur dhe të për të financuar me grante një flotë moderne të peshkimit në mënyrë që lënda e parë të mos vijë më nga vende të tjera, dhe ndërkohë që të rriten mundësitë e punësimit për komunitetin këtu. Ashtu sikurse jemi angazhuar për të ulur TVSH-në për shërbimet turistike në 10 për qind për të gjithë operatorët turistikë në mënyrë që të kemi një konkuyrrencë sa më suksesshme me të gjitha vendet e tjera të rajonit tonë.
Ekonomia shqiptare përveçse një ekonomi prodhuese ka nevojë të jetë edhe një ekonomi shërbimesh, gjë që do të rrisë potencialet e punësimit edhe në sektorët financiarë të kompanive të sigurimit, të transportit, telekomunikacionit, të IT, por edhe në promovimin dhe shtimin e aktiviteteve të reja të Call – Center, ku punësohen me qindra dhe mijëra vajza të reja dhe djem të rinj. LSI ka qenë dhe do të mbetet një promotore e krijimit të bizneseve të reja, përmes lehtësive fiskale dhe kredive të buta që do të fokusohet në sektorët me integritetin më të lartë të punësimit, në biznesin fason në mënyrë të veçantë, në industrinë tekstile, materiale ndërtimi dhe parqe industriale. Ekonomia jonë duhet të konkurrojë denjësisht në rajon dhe do ta bëjë këtë veçse duke krijuar një klimë më miqësore ndaj biznesit, ndaj investitorëve të huaj dhe atyre vendas me objektiv kryesor rritjen e shpjetë punësimit.
Ndaj ne angazhohemi për një paketë fiskale one-stop –shop për të gjithë investitorët vendas dhe të huaj përmes krijimit të zonave të lira ekonomike dhe parqeve industriale ku bizneset përjashtohen nga të gjitha taksat dhe tatimet për vitet e para të aktivitetit vetëm me një qëllim që ne të rrisim mundësitë e punësimit. Është e papranueshme që prej më se 7 vitesh është dhënë nga qeveria licenca e parkut industrial të Lezhës dhe akoma sot nuk është hedhur asnjë tullë për realizimin këtij projekti. Ndërkohë që potenciali i punësimit në parkun industrial të Lezhës është mbi 3500 punëtorë. Ndërkohë janë me dhjetëra dhe qindra kompani italiane të cilat për shkak të rritjes së taksave në Itali janë të interesuara për të transferuar fabrikat dhe aktivitetet e tyre në Shqipëri dhe të gjithë e dinë historinë lidhjeve të lashta të Lezhës me Italinë dhe preferencën e tyre për t’i njehsuar në Lezhë. Ndaj ne angazhohemi që brenda dy viteve ta bëjmë realitet parkun industrial duke thyer çdo barrierë dhe çdo pengesë në mënyrë që çdo i ri dhe e re e Lezhës dhe e qarkut tuaj të ketë mundësinë të punësohet këtu. Një tjetër neglizhencë e patolerueshme e qeverisë aktuale pas tetë vitesh në pushtet është porti i Shëngjinit. Ai ka mbetur pothuajse siç ka qenë ndaj për ne investimi për ta kthyer portin e Shëngjinit në një port të vërtetë të bashkëpunimit të Shqipërisë me Evropën dhe me Botën. Ndërtimi i parkut industrial, zhvillimi i dhe modernizimi i shpejtë i portit të Shëngjinit, janë dy objektivat tona strategjike për zhvillimin e shpejtë dhe afatgjatë të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës.
Të dashur motra dhe vëllezër të Lezhës Kurbinit dhe Mirditës. Kriza e gjithanshme që ka mbërthyer vendin nuk mund të kapërcehet ndryshe përveçse p
ërmes një drejtimi të ri, një ekuilibri të ri politik ekonomik dhe shoqëror. Ndaj më 23 qershor ju do të votoni për një lidership të ri, për një qeverisje të re, që sjell vizion dhe një perspektivë të re zhvillimi, duke lënë pas mendësitë e vjetra dhe premtimet boshe, që na çon më afër integrimit dhe që i jep zgjidhje të vërteta reale dhe të prekshme për hallet tuaja të përditshme. Ndaj sot ju kërkoni një shpresë për të dalë nga krizë që mbjell papunësi, ndaj ju dhe gjithë shqiptarët do të votoni për rotacionin, sepse ai do të jetë ndryshim dhe do të sjellë realizimin e shpresave tuaja dhe të fëmijëve tuaj.
Ndaj më 23 qershor duke votuar për një forcë politike që di të sjellë ndryshime, për një forcë politike që fjalët t’i kthejë në vepra, për një forcë politike që ka ambicie dhe aftësi për t’u ngritur mbi të kaluarën dhe për të ecur më shpejt drejt të ardhmes, ju do të kontribuoni jo vetëm, por një qeverisje të re, jo vetëm për një marrëdhënie të re në politikën shqiptare dhe për një marrëdhënie të re në çdo komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë, e cila do të bazohet në frymën e bashkëpunimit dhe të respekti reciprok. Në frymën e integrimit brenda të gjithë forcave politike dhe shoqërisë sonë që të realizojmë më shpejt integrimin evropian.
Ndaj lezhjanët, kurbinasit, mirditorët do të votojnë për LSI-në, sepse LSI-ja dhe përfaqësuesit e saj kujdesen për njerëzit e thjeshtë, nuk lodhen duke dëgjuar shqetësimet dhe hallet e tyre dhe kanë si prioritet kryesor zgjidhjen e tyre dhe vënin e politikës në shërbim të këtyre problemeve. Unë shpreh kënaqësinë e veçantë për këtë start të mrekullueshëm të fitores sonë më 23 qershor në qarkun e Lezhës dhe në të gjithë Shqipërinë.
Unë jam krenar për kryetarin tuaj të Bashkisë, Viktor Tushën, i cili edhe pse i pambështetur siç duhet nga qeveria dhe shpesh me vështirësi dhe pengesa të pajustifikuara, ka bërë përpjekjet më të mëdha për të ndryshuar sadopak problemet dhe hallet e këtij qyteti dhe këtij komuniteti. Por jam i bindur se kryebashkiaku i Lezhës më 23 qershor me votën tuaj për LSI-në dhe për përfaqësimin që ju do të keni në Kuvendin e ardhshëm, do të ndihet shumë më i mbështetur për të çuar më tej të gjitha projektet për qytetin tuaj. Dhe unë besoj se përfaqësuesit që ju do të zgjidhni nga LSI-ja do të jenë promotorë për t’i bashkuar të gjithë deputetë e Lezhës, pavarësisht nga partitë politike për të çuar përpara realizimin e parkut industrial dhe për të çuar përpara realizimin e një porti të ri dhe modern të Shëngjinit, që të ketë vërtetë një port i fuqishëm për t’i dhënë një standard të ri zhvillimit ekonomik e social, jo vetëm qarkut të Lezhës, por edhe marrëdhënieve me Kosovën dhe për të qenë një gjenerator i fuqishëm për rritjen e ekonomisë sonë kombëtare.
Dua t’i falënderoj të gjithë, dua të falënderoj Petrit Gjonit për angazhimin e tij të palodhur. Dua të falënderoj Gjok Bunën për angazhimin e tij dhe të gjithë shokëve tanë në Kurbin. Dua të falënderoj Bibë Gjomarkaj për angazhimin e tij, Edmond Pirolin, Eris Zaimin. Natyrisht dua të falënderoj edhe Monikën, sepse ajo e pranoi me shumë dëshirë ftesën e kryetarit të LSI-së dhe të Bashkisë së Lezhës e të strukturave këtu për të kontribuar në këtë fushatë për suksesin dhe për fitoren, jo thjeshtë të LSI-së, por jam i bindur për suksesin dhe fitoren e lezhjanëve, kurbinasve dhe mirditorëve.
Jam i bindur se ju të gjithë më 24 qershor do ta ndieni vëmendjen dhe kujdesin e atyre që do të zgjidhni dhe të gjithë ekipit tonë, sepse ne dimë të mbajmë fjalën. Sepse ne i duam njerëzit dhe kujdesemi për ta dhe sepse populli i Lezhës, i Kurbinit dhe i Mirditës e meriton një dashuri dhe kujdesjeje të pafundme. Fitore LSI-së! Le të nisemi drejt 23 qershorit me qytetari si sot në këtë shesh që mban emrin e heroit tonë kombëtar dhe me dëshirën për t’i bashkuar të gjithë lezhjanët, kurbinasit, mirditorët për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët, sepse potencialet tuaja dhje të gjithë shqiptarëve janë të jashtëzakonshme në mënyrë që kjo zonë e begatë të jetë zonë ku, jo vetëm të mos i shkojë mendja asnjë të riu që të largohet nga Lezha dhe nga Shqipëria, por edhe të mirëpresë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona që janë sot emigrantë dhe këtë e realizon më së miri programi ynë për punësimin. Rroftë populli i Lezhës, i Kurbinit dhe i Mirditës, fitore të gjithë lezhjanëve, kurbinasve dhe mirditorëve. 23 qershori do të jetë një festë e madhe e demokracisë.
Fjala e kryesueses së listës së LSI-së në Qarkun Lezhë, Monika Kryemadhi
Përshëndetje Kurbini i zanava, përshëndetje Mirdita e burrave të mëdhenj! Jam shumë e privilegjuar që kam nderin sot të prezantoj përpara jush ekipin prezantues të LSI-së: Petrit Gjoni, Gjok Buna, Bib Gjonmarkaj, Edmond Piroli, Erisi Zaimi, si dhe kryetaren e gruas Prenda Sejdia. Jam këtu në emrin tim dhe të këtij ekipi fitues që të realizojmë besëlidhjen midis nesh dhe jush, besëlidhjen midis Lezhës, kurbinasve dhe mirditorëve. Kjo besëlidhje duhet që nga ky shesh entuziast të kthejë besimin e humbur te politika shqiptare, të rikthejmë në mendjen e të gjithëve atë që bëri heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kur ktheu Arbërinë në rrugën drejt Europës. Pikërisht këtë do të bëjmë edhe ne sot. Me votën tuaj, duke më besuar mua dhe ekipin e LSI-së, ne do të shkojmë drejt Europës, atë rrugë të cilën e kemi nisur që 16 vite më parë, e cila e vetmja rrugë drejt integrimit Europian. Unë sot ju falënderoj ju të gjithëve që më besuat për të qenë përfaqësuesja juaj në Kuvendin e Shqipërisë. Ne sot do të lidhim besën për t’u ndarë përfundimisht nga politika e mospërfilljes dhe e bllokimit. Ne sot do të lidhim besën për të nisur së bashku një rrugë të re, për të zënë vendin që ne meritojmë, vend historik, strategjik dhe intelektual që i takon Qarkut të Lezhës. Ju jeni djepi i qytetarisë, ju keni nxjerrë në shekuj prijës dhe udhëheqës, intelektualë të klerit, por edhe shkrimtarë, artistë, shkencëtarë, doktorë dhe gazetarë. Në Lezhë ne kemi gazetën e parë të pavarur, “Koha Jonë”, pas regjimit të komunizmit, këtu në Lezhë u thyen tabutë për fjalën e lirë. Dua të theksoj se energjia juaj buron nga energjia e rinisë lezhjane, kurbinase dhe mirditore. Sot ne do të lidhim një kontratë me ju, me të rinjtë e Qarkut Lezhë, me premtimin se shumë shpejt ne do të bëjmë realitet që e ardhmja juaj të mos jetë emigracioni, por puna në vendin tuaj, sepse kjo energji e madhe duhet të investohet në vendin tonë, këtu, në Lezhë, në Laç, në Mamurras, në Zejmen, në Shënkoll, e kudo në çdo vend të Qarkut të Lezhës. Ky vend është i bekuar nga Zoti, dhe prandaj ne duhet të mbajmë premtimet tona për shkollat profesionale, për universitetin e ri, për parkun industrial i cili krijon mundësinë e punësimit për të ç’rrënjosur një herë e përgjithmonë papunësinë në Qarkun e Lezhës, turizmin historik dhe religjioz, etnografik, turizmin malor në pyjet e mrekullueshme të Mirditës, ne duhet të marrim vëmen
djen e munguar pas 23 vitesh bojkot total të Qarkut të Lezhës. Shumë është premtuar dhe shumë është dëgjuar për Portin e Shëngjinit. Por unë ju jap fjalën time sot, se me mandatin tuaj në Kuvend, jo vetëm me qeverinë, por edhe me donatorët ndërkombëtar, do ta kthejmë këtë port në një nga portat kryesore të zhvillimit jo vetëm për qarkun e Lezhës, por në një nga portat që do të hapet për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Në këto kohë që kam qëndruar me ju, kam kuptuar nga shtrëngimet e duarve në çdo takim, në çdo derë që më keni hapur, që ju jeni njerëz të besës, dhe unë sot dua t’ju jap besën time, që mandati ynë në Kuvend do të zgjidhë probleme që nuk janë zgjidhur në 23 vjet. Që banorët e Torovicës të mos e mbjellin tre herë tokën dhe të mos e korrin dot një herë nga përmbytjet, që banorët e Balldrenit të mos ju mungojë uji i pijshëm në 23 vite demokraci, kur ne jemi në epokën e internetit, të mos mungojë energjia elektrike, që të mos mungojë shërbimi shëndetësor, që të mos kemi mungesë të dritave dhe të ujit që nuk janë luks, por janë gjërat më elementare që klasa politike duhet të kujtojë dhe ka detyrim për qytetarët e saj dhe për njerëzit që i kanë dhënë votën për 23 vjet. Ju premtoj sot nga ky shesh entuziast që do të bëjmë një zgjidhje të shpejtë për sa i përket bujqësisë, që këto toka të begata të sjellin zhvillim jo për Lezhën, por për të gjithë Shqipërinë. Unë ju falënderoj sinqerisht nga zemra. Vota në 23 qershor tek numri 26 është vota për lezhjanët, për kurbinasit, dhe për të gjithë mirditorët, është vota për të ardhmen e kësaj rinie të mrekullueshme.