17 Jun Ilir Meta: Ne do të fitojmë sepse dimë të kujdesemi për njerëzit .Meta : LSI është rruga e integrimit, është rruga e mbajtjes së premtimeve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se qytetarët shqiptarë do të votojnë LSI-në më 23 qershor pasi është një forcë politike e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në integrimin e vendit. “Qytetarët e Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë do të votojnë për ne se ata çmojnë LSI-në si një forcë qytetare, si një forcë që është për bashkëpunim, për zhvillim dhe për integrimin e vendit. Edhe në kulmin e fushatës elektorale, edhe në kulmin e luftës politike ne arritëm, me mençuri, me urtësi dhe me këmbëngulje që të mblidhnim Parlamentin dhe të gjithë të votonin tre ligjet që do t’i japin Shqipërisë në dhjetor statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo është shumë e rëndësishme për të zhbllokuar shumë projekte dhe shumë ndihma financiare që do të ndihmojnë ekonominë e vendit dhe që do të ndihmojnë për hapjen e shumë vendeve të reja të punës. Ne jemi partia e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ne jemi partia e zhvillimit të vendit, ne jemi partia e paqes sociale, ne jemi partia e bashkëpunimit me çdo qytetar që kërkon të ecë më shpejt”, deklaroi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.






