17 Jun Manjani : KQZ ka dështuar me procesi i verifikimit elektronik. LSI fushatë sensibilizimi në të gjithë vendin për verifikimin e emrave në lista
Jam sot në këtë komunikim me ju dhe me opinionin publik çështje të atilla që kanë të bëjnë me dështimin total të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por jo vetëm, qeverisë shqiptare gjithashtu dhe të pushtetit vendor në lidhje me këtë fazë përfundimtare të organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri.
Konkretisht në Shqipëri ka dështuar, për faj ekskluziv të qeverisë shqiptare dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi i verifikimit elektronik të kartës në Tiranë, njëra prej dy risive teknologjike që ishin miratuar me shumë konsensus dhe me shumë dashamirësi nga partitë politike, nga Parlamenti shqiptar. Gjë kjo që praktikisht e vendos në vështirësi procesin e verifikimit ose heqjen e dyshimeve për karta false e kështu me radhë. Por, që sidoqoftë është një çështje e zgjidhur dhe unë jam sot këtu për ti bërë thirrje gjithë punonjësve të strukturës zgjedhore, anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit duke filluar nga anëtarët e LSI-së të tregojnë kujdes dhe përkushtim maksimal për të verifikuar qartë dhe në mënyrë të ndershme zgjedhësit që paraqiten për të votuar vetë në qendrën e votimit, me dokument identiteti, pra letërnjoftim elektronik ose kartë elektronike dhe pasaportë biometrike për të përmbushur kështu një detyrë ligjore, detyrë, të cilën nuk e përmbushi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përkundrazi, harxhoi 2 milion euro për një detyrë të pabërë dhe përveçse dëmton procesin zgjedhor i ka shkaktuar dëm ekonomik këtij shteti, dëm, të cilin pas zgjedhjeve dikush do ta paguajë. Jua garantojmë këtë që dikush do ta paguajë. Kjo është e para.
E dyta, po vëmë re shenjat e para të personave të degjeneruar në pushtet që kanë administruar fonde publike në këto 8 vjet në tentativat e para për të joshur votues, për të blerë vota, apo për të krijuar situata të tilla, të cilat sipas Ligjit Penal, i hartuar me konsensus të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe gjithë partive politike, janë vepra penale të ndëshkueshme. Dhe jam këtu sot për të bërë thirrje që kushdo që tenton të përdorë para apo mjete të tjera për të joshur zgjedhësit në ditën e votimit është i ndëshkueshëm penalisht. Jua garantojmë edhe këtë që do të ndodhë, jo për hakmarrje por për drejtësi sepse është momenti që të flasë ligji, është momenti që të flasë drejtësia.
Së treti, ka një problem që mungon qartësisht në transparencën e zgjedhjeve. Ajo që quhet transparencë e zgjedhjeve mungon për shkak të faktit se zgjedhësit janë pak ose aspak të informuar dhe kjo na rezulton qartësisht gjatë punës që kemi bërë në terren. Janë pak ose aspak të informuar për vendin se ku do të votojnë, për qendrën e votimit ku do të votojnë, për numrin e qendrës së votimit që janë renditur në listë dhe kjo vjen për shkak të faktit se pushteti vendor dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dështuar totalisht të njoftojë me shkrim, siç thotë ligji, zgjedhësin për këtë informacion.
Pra, për numrin e qendrës së votimit dhe për adresën e qendrës së votimit. Kështu që jemi të detyruar që t’u bëjmë thirrje të gjithë zgjedhësve shqiptarë për të cilët jemi të sigurt se do të votojnë masivisht në 23 qershor, të bëjnë një mund, të bëjnë një përpjekje në këtë javë të fundit për të verifikuar veten se ku janë në listën e zgjedhësve. Ka dy rrugë për ta bërë këtë punë. Rruga e parë është që në qendrat e votimit që kanë qenë tradicionalisht aty ligjërisht të paktën duhet të jenë shpallur listat përfundimtare të zgjedhësve dhe mund ta kërkojnë emrin e tyre manualisht në ato qendra votimi ku janë votues. Kjo është rruga tradicionale, ashtu siç ka një rrugë më të shpejtë për të gjithë ata që janë përdorues të internetit, të rinj dhe të reja, por jo vetëm, ata që përdorin internetin të mund të bëjnë një kërkim të emrit të tyre në listën elektronike duke hyrë në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pra www.cec.org.al, kjo është adresa e faqes zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aty mund të shkoni tek ikona, ‘Lista e Votuesve’ ose në gjuhën angleze VOTERS LIST.
Dhe aty duke klikuar ikonën e VOTES LIST apo listës së votuesve do dalë një tabelë ku ju kërkon një informacion fare të thjeshtë, emrin, mbiemrin, dhe atësinë, është e domosdoshme kjo e fundit për të bërë qartësisht identifikimin e zgjedhësit që kërkon të gjejë informacionin përkatës. Pas bëni këtë punë do ju dalë gjithë informacioni i kërkuar për zgjedhësin që keni kërkuar. Aty do dali te kodi shifror i qendrës së votimit do dalë dhe numri i qendrës së votimit, është shumë e rëndësishme të theksojmë se numri i qendrës së votimit ndodhet në mes të kodit shifror të qendrës së votimit dhe kodit shifror të njësisë vendore ku banon. Dhe në kutinë e fundit gjendet gjithashtu edhe adresa e qendrës së votimit. Pra ky informacion është i saktë, është adekuat dhe është mirë që të bëhet një kërkim i tillë. Të gjithë ata që e bëjnë këtë punë i sugjerojmë dhe i kërkojmë ta bëjnë këtë gjë për të gjithë anëtarët e familjes së tyre, me qëllim që ditën e votimit të gjithë të jenë të informuar.
Meqenëse ky shtet nuk e bën dot këtë punë, atëherë u takon qytetarëve tua kërkojnë edhe njëherë e theksoj këtë detyrë qytetare, politike, demokratike, që të vetëinformohen përsa kohë që shteti nuk i informon, me qëllim që të shmangen radhët e gjata, të shmanget kausi eventual në ditën e votuesve. E theksojmë këtë sepse pas ndarjes së re të qendrave të votimit jo të gjithë do ta gjejnë ose do presin të votojnë aty ku kanë votuar herën e fundit. Pra, mund të jetë një qendër ngjitur, mund të jetë një qendër diku tjetër. Pra, ky informacion është shumë i rëndësishëm që të merret. Na rezulton që kjo gjë ndodh kryesisht për votuesit e majtë por kjo është një çështje që do ta sqarojmë realisht sipas përgjegjësive ligjore pas 23 qershorit. Në këtë çast e theksojmë se është e rëndësishme të kërkojmë veten ku jemi në listë me qëllim që ditën e diel të jemi të qartë ku do paraqitemi dhe ku do votojmë. Kjo është një pjesë e punës së përditshme jo vetëm të partive politike por tashmë është momenti që ta bëjnë të gjithë zgjedhësit kudo që gjenden në Republikën e Shqipërisë.