Meta: Më 23 qershor fitojmë të paktën dy mandate në Qarkun e Elbasanit. Ilir Meta: Zemra e fitores do të jetë Elbasani, qendra e Shqipërisë

Meta: Më 23 qershor fitojmë të paktën dy mandate në Qarkun e Elbasanit. Ilir Meta: Zemra e fitores do të jetë Elbasani, qendra e Shqipërisë

ilirmeta18062013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një miting madhështor në qytetin e Elbasanit, ku morën pjesë mijëra qytetarë dhe simpatizantë të kësaj force politike. Gjatë këtij takimi tepër entuziast u prezantuan serish kandidatët për deputetë të LSI-së në Qarkun e Elbasanit.

Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta në fjalën e mbajtur në këtë miting u shpreh se LSI-ja duhet të fitojë që Elbasani dhe e gjithë Shqipëria të vihet në punë. Ai tha se LSI-ja do të fitojë, sepse ka programin më të mirë, që pengon rënien e mëtejshme të ekonomisë sonë, premton ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë sonë si edhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Ne do të fitojmë sepse të gjitha politikat tona në programin tonë synojnë në hapjen e vendeve të reja të punës në të gjithë sektorët me potencialet më të mëdha për të ndikuar në rritjen ekonomike të vendit dhe në punësimin e elbasanasve dhe gjithë shqiptarëve”.

Më tej, z. Meta theksoi se fitorja është kudo, por shprehu bindjen se Elbasani do të jetë zemra e fitores. “Zemra e fitores do të jetë Elbasani, qendra e Shqipërisë dhe ne e duam këtë fitore me 23 qershor, të paktën dy mandate në qarkun e Elbasanit”, tha ndër të tjerash z. Meta.

Ndërkaq, kryesuesi i listës së kandidatët për deputet të LSI-së për qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto u shpreh se ndihet i privilegjuar që pati mundësinë të drejtojë dhe kryesojë një ekip të shkëlqyer kandidatësh, që kandidojnë në qarkun e Elbasanit. Ai shprehu bindjen se ky është ekipi i përfaqësuesve më të mirë të qarkut të Elbasanit, duke i falënderuar për punën e shkëlqyer që kanë bërë.

“Elbasani i urtësisë, i kulturës dhe i shkollës, i artizanëve dhe i novatorëve nuk meriton ndryshe veçse më të mirën dhe këta janë më të mirët. Kulturën dhe gjuhën e Elbasanit e flet sot e gjithë Shqipëria. Por, nesër kur të flasë Elbasani do të flasë e gjithë Shqipëria sepse askush si Elbasani nuk ndjehet kaq në zemër të Shqipërisë sepse Elbasani ka një rini të mrekullueshme, energjike dhe të pastër. Sepse Elbasani ka burra dhe gra të nderuar dhe shumë punëtorë”, tha Haxhinasto.

Kandidati për deputet theksoi se askush si Elbasani nuk ka atë potencial të madh zhvillimi, për bujqësinë, për turizmin, për agrobiznesin, për industrinë mekanike, për arsimimin, për shëndetësinë. “Elbasani kërkon ndryshimin, kërkon një jetë më të mirë, një jetë më e mirë që vjen nga puna, një mjedis më të pastër i cili vjen nga detyrimi që kemi ndaj të ardhmes dhe ndaj fëmijëve tanë”, deklaroi z. Haxhinasto.

Fjala e plotë e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta

Ne duhet të fitojmë që Elbasani të vihet në punë, që e gjithë Shqipëria të vihet në punë. Ne do të fitojmë, sepse kemi programin më të mirë, i cili pengon rënien e mëtejshme të ekonomisë sonë, i cili premton ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë sonë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ne do të fitojmë sepse të gjitha politikat tona në programin tonë synojnë në hapjen e vendeve të reja të punës në të gjithë sektorët me potencialet më të mëdha për të ndikuar në rritjen ekonomike të vendit dhe në punësimin e elbasanasve dhe gjithë shqiptarëve.

Ne do të fitojmë sepse Lëvizja Socialiste për Integrim është alternativa e të rinjve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, të cilët duan të ecin më shpejt. Me ne të rinjtë janë në vendimmarrje, me ne të rinjtë janë protagonistë të fateve të tyre dhe të së ardhmes së vendit. Prandaj, i ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Elbasanit, në këto gjashtë ditë që na ndajnë nga 23 qershori, të mos lodheni së renduri në mënyrë që të trokasim në çdo derë të Elbasanit, të takojmë çdo të ri, çdo të re, çdo votues të ri dhe ti bindim se e ardhmja e tyre fillon në 24 qershor duke votuar për Lëvizjen Socialiste për Integrim në datën 23.

Ne nuk do t’i lëmë të rinjtë në udhëkryq. Ne do t’i krijojmë të gjitha mundësitë që ata të jenë vetvetja, që ata të arsimohen më mirë, të formohen më mirë profesionalisht në përputhje me kërkesat e tregut të punës, që ata të punësohen, që ata të shpalosin talentet e tyre në të gjitha fushat.

Ne do të fitojmë sepse ne do të sjellim një qeverisje gjithëpërfshirëse, e cila do të marrë në konsideratë mendimin dhe opinionin e intelektualëve më të mirë të Elbasanit dhe të Shqipërisë, për vendimmarrje që kanë të bëjnë me Elbasanin dhe me të ardhmen e vendit tonë. Larg arrogancës së deritanishme. Larg vendimeve, të cilat sjellin pasoja sepse ne jemi për një qeverisje bashkëpunuese dhe transparente.

Fitorja është kudo, anembanë Shqipërisë dhe këtë herë po u them se Elbasani do të jetë zemra e fitores, por fitorja po vjen nga veriu i Shqipërisë. Unë vij këtu nga Shkodra dhe ju sjell mesazhet më optimiste për fitore atje. Le të shkojë sa herë të dojë Berisha në Kukës.

Kukësi do të ndryshojë dhe ka ndryshuar dhe Kukësi do t’i japë një deputet Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zemra e fitores do të jetë Elbasani, qendra e Shqipërisë dhe ne e duam këtë fitore me 23 qershor, të paktën dy mandate në qarkun e Elbasanit. Prandaj kam një lutje për të gjithë ju motra dhe vëllezër nga Elbasani, nga Librazhdi, nga Gramshi dhe nga Peqini. Le të vrapojmë pak më shpejt në këto pesë ditë që na kanë mbetur dhe të jeni të sigurt se fitorja jonë do të jetë e jashtëzakonshme ashtu siç është sot ky miting, kjo pjesëmarrje dhe ky entuziazëm. Me ne Elbasani do të vihet në punë, elbasanasit do të kenë mundësi të punojnë, sepse janë punëdashës dhe nga puna buron çdo e mirë për individin për familjen për komunitetin dhe për gjithë Shqipërinë.

Potencialet këtu janë të jashtëzakonshme siç i shpjegoi edhe kryesuesi i listës sonë z. Haxhinasto. Ne i njohim problemet e Elbasanit, ne i njohim resurset e Elbasanit, ne e dimë se Elbasani ka mjaft njerëz të aftë dhe të zot me të cilët ne do t’i zgjidhi problemet e këtij qyteti të këtij rrethi dhe të këtij qarku. Shumë prej tyre janë në listën tonë të kandidatëve për deputet prandaj votoni më 23 qershor
për këtë ekip të mrekullueshëm.

Votoni për Edmond Haxhinaston, një personalitet dhe drejtues i aftë. Votoni për doktor Bujar Kllogjrin, që të gjithë ju e njihni dhe i mbarë qarku e njeh për humanizmin e tij të jashtëzakonshëm. Votoni për Miranda Rirën, votoni për Çim Elezin, për Kastriot Belshin dhe për gjithë ekipin tonë të mrekullueshëm. Elbasani do të eci më shpejt, Shqipëria do të ecë më shpejt dhe kjo do të arrihet duke votuar numrin 26 në datën 23 qershor.

Rroftë populli i mrekullueshëm i Elbasanit, rrofshin anëtarët dhe simpatizantët e mrekullueshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kam besim të plotë se ju edhe natën do ta bëni ditë deri më 23 qershor që ne të fitojmë dy mandate në Qarkun e Elbasanit dhe t’ia kthejmë Elbasanit me investime dhe përkrahje këtë mbështetje që po na jep. Fitore!

Lista e kandidatëve për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Elbasanit

1.         EDMOND        LLAZAR           HAXHINASTO

2.         BUJAR              SABRI              KLLOGJRI

3.         MIRANDA       REXHEP          RIRA

4.         SHKELQIM       ISLAM             ELEZI

5.         KASTRIOT        ANDON           BELSHI

6.         DASHAMIR      ASLLAN           XHIKA

7.         EDLIRA            NURI                ÇEKREZI

8.         ALTIN               SULEJMAN       IDRIZI

9.         REXHEP           ISMAIL            BIÇA

10.       FLORIKA          LEONIDHA      TUKA

11.       ZENUN            SELIM             BULLARI

12.       RUDINA          JANI                             MITA

13.       KLAUDIA         HALIT              KRASNIKA

14.       BEHAR            DESTAN          ALMETA