LSI zhvillon Konventën e LSI-së për qarkun e Tiranës

LSI zhvillon Konventën e LSI-së për qarkun e Tiranës

ilirmeta16062013

Lëvizja Socialiste për Integrim, mes entuziazmit të jashtëzakonshëm, me pjesëmarrje e mijëra qytetarëve, mbajti sot në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” Konventën e saj për Qarkun e Tiranës. Në këtë takim madhështor është prezantuar i gjithë ekipi i kandidatëve të LSI-së për Tiranën. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shpalosi vizionin e LSI-së që Tirana dhe e gjithë Shqipëria të të ecë më shpejt drejt zhvillimit, të ecë më shpejt drejt Bashkimit Evropian.

Fjala e plotë në Konventën e LSI-së për Qarkun e Tiranës e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta

Ne do të fitojmë sepse Tirana duhet të fitojë dhe Shqipëria duhet të fillojë. Sepse ka ardhur koha që politika të ketë të parët qytetarët dhe jo pushtetarët. Ka ardhur koha që ata të jenë të parët në zgjidhjen e problemeve të tyre, e në radhë të parë për zgjidhjen e një problemi të madh të çdo qytetari shqiptar, për të ruajtur vendin e punës dhe për të hapur vende të reja të punës. Të dhënat më të fundit tregojnë papërgjegjshmërinë në rritje të qeverisë në ikje, e cila po shkatërron të gjithë treguesit makroekonomikë dhe financiarë vetëm për qëllime afatshkurtra elektorale për të ngushtuar humbjen e saj të paevitueshme dhe të pashmangshme. Por i ka bërë llogaritë shumë gabim, sepse qytetarët tanë janë shumë të vëmendshëm dhe e kuptojnë se vota e tyre nuk mund të shkojë për një qeveri që e ka marrë të tatëpjetën me kohë dhe kërkon të marrë të gjithë Shqipërinë me vete.

Raporti i fundit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e thotë shumë qartë se në tremujorin e parë ekonomia e Shqipërisë u rrit vetëm me 0.5 për qind. Pra, është shumë pranë rënies ekonomike, shumë pranë atij skenari të cilin nuk e duam por të cilin e kemi parë se si është zhvilluar në vende të tjera. Atij skenari që çon jo vetëm në zerimin e investimeve publike, jo vetëm në humbjen e vendeve të punës por edhe në uljen drastike të pagave dhe të pensioneve. Prandaj, Tiranë e para do të votojë kundër një qeverie, e cila nuk ka asnjë përgjegjshmëri për financat publike dhe buxhetin e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk ofron dot asnjë perspektivë më të mirë për 24 qershorin.

Tirana dhe Shqipëria do të votojnë për LSI-në sepse nuk mund të jetë më e para politika për politikën dhe politika për politikanët. Por, do të jetë e para ekonomia, problemet sociale dhe punësimi i qytetarëve tanë dhe në radhë të parë i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Të gjithë e kanë të qartë se forca politike që ka objektivat më të qarta është Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse problemi ynë kryesor është ristrukturimi i shpejtë dhe afatgjatë i ekonomisë në mënyrë që të evitojmë rënien dhe katastrofën ekonomiko-financiare përmes atyre reformave imediate që kryeministri aktual që as nuk i kupton dhe as nuk do t’i kuptojë. Sepse ai lufton për një mandat më shumë. Ai nuk lufton për një të ardhme më të sigurt të qytetarëve shqiptarë, të të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.

Prandaj, me votën tonë jo vetëm që do të votojmë për LSI-në por do të hedhim themele të sigurta të një Shqipërie, e cila do të ketë një ekonomi të qëndrueshme që rritet në mënyrë të qëndrueshme, përmes reformave strukturore, e cila përmes politikës sonë të taksave në mënyrë të veçantë nxit rritjen e prodhimit në vend, nxit uljen e importeve, nxit rritjen e eksporteve. Përmirëson të gjithë treguesit ekonomikë që krijojnë një ekonomi të shëndetshme, konkurruese, që garanton vende pune të reja, afatgjata dhe të sigurta për qytetarët tanë, e në radhë të parë për të rinjtë dhe të rejat.

Politikës së tuneleve po i vjen fundi, sepse ajo nuk është politika e cila garanton progresin ekonomik dhe social por është një politikë afatshkurtër për qëllime elektorale e cila nuk sjell atë progres që i kanë kërkuar dhe që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Katër vjet më parë u inaugurua tuneli i Kalimashit. Jam i bindur se këtu ka plot qytetarë nga Kukësi me origjinë dhe ata kanë familjarët e tyre në Kukës. Dhe ata e dinë shumë mirë se pas katër viteve nga inaugurimi i tunelit të Kalimashit, i cili nga nxitimi me të cilin u inaugurua, u harxhuan dhe rreth 100 milion euro më pas për ta rikuperuar. Pra që atëherë numri i familjeve në qytetin e Kukësit që marrin asistencë sociale është dyfishuar. Nesër kemi një inaugurim tjetër. Kemi inaugurimin e tunelit të Kërrabës, i cili po inaugurohet vetëm për qëllime elektorale, jashtë gjithë standardeve teknike, duke abuzuar me fondet tuaja dhe të prindërve tuaja, vetëm e vetëm që Sali Berisha mendon se mund të marrë edhe një votë më shumë. Por përgjigjen më të mirë do ta marrë në Elbasan dhe në Tiranë ashtu si do ta marrë në të gjithë Shqipërinë. Sepse politika e tuneleve po shkatërron ekonominë tonë. Ajo ka rritur borxhin në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo ka rritur deficitin në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo nuk mund të sjellë më shumë punësim, përkundrazi. Ka sjellë një regres social sepse nuk është një politikë e mençur por është një politikë populiste për qëllime afatshkurtra.

Ndaj, plani ynë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, plani ynë për ristrukturimin e ekonomisë, plani ynë për rimëkëmbjen dhe modernizimin e bujqësisë dhe mbështetjen e industrisë agropërpunuese, plani për ngritjen e një sistemi të tërë të fabrikave të pasurimit të mineraleve në vend, plani ynë për zhvillimin e industrisë dhe të shërbimeve është plani më i qartë që sjell shëndoshjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Për ne politika e taksave nuk është një debat as teorik dhe as etik. Për ne politika e taksave është instrumenti ynë për të zhvilluar ekonominë dhe për të nxitur vendet e reja të punës.

Ne do ti japim frymëmarrjen e cila i është ngushtuar sipërmarrjes së lirë vendase dhe të huaj, në mënyrë që të zgjerohen aktivitetet ekzistuese dhe të nxitet hapja e aktiviteteve të reja e në mënyrë të veçantë duke stimuluar sipërmarrësit për çdo të ri dhe të re që do të fusin për herë të parë në punë duke subvencionuar një pjesë të pagës, për të ulur kostot e tyre dhe për të ndihmuar të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të Shqipërisë për të zënë një vend të sigurt pune.

Ne do të krijojmë parqet industriale për të tërhequr të gjithë investitorët italianë dhe evropianë të cilët për shkak të krizës ekonomike në vendet e tyre dhe rritjes së taksave preferojnë Shqipërinë si destinacion i mrekullueshëm për të zhvendosur fabrikat e tyre dhe aktivitetet e tyre. Do tu krijojmë mundësi, do
tu krijojmë infrastrukturën e dhe terrenin dhe do tu krijojmë lehtësi nga taksat për pesë vitet e para, vetëm për një qëllim, për të fituar mijëra e mijëra vende të reja pune.

Ne do të fitojmë sepse Lëvizja Socialiste për Integrim si askush tjetër ka bërë gjithçka që nga krijimi i saj e deri më sot për të nxitur projektin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ne dhamë një kontribut të jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ashtu sikurse edhe tre javë më parë, me urtësi, me këmbëngulje dhe me modesti arritëm që të ndihmonin që Parlamenti shqiptar atëherë kur askush nuk e mendonte të votonte tre ligjet që në dhjetor do t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Marrja e statusit do të zhbllokojë mjaft projekte dhe ndihma të cilat do të na krijojnë mundësi për një frymëmarrje më të mirë për zhvillimin e ekonomisë dhe për të hapur vende të reja pune. Prandaj të gjithë ata të cilët e duan Shqipërinë në Evropë dhe i duan standardet evropiane në Shqipëri do të votojnë për numrin 26 si garancia më e madhe për të vazhduar këtë projekt të nisur në dhjetor të vitit ’90.

Ne do të fitojmë sepse programi i LSI-së është më i qartë dhe më i thjeshtë, më i kuptueshëm dhe më i realizueshëm sepse të gjithë politikat programore, që nga ato në fushën e arsimit, politikat e taksave, politikat sociale, synojnë në realizimin e një prioriteti madhor për Shqipërinë dhe për shqiptarët, synojnë punësimin për të vënë Tiranën në punë, për të vënë Shqipërinë në punë. Sepse puna është baza e çdo arritjeje, të çdo njeriu, të çdo familjeje, të çdo komuniteti, të çdo vendi dhe ne jemi njerëz të punës dhe dimë ta vëmë Shqipërinë në punë.

Ne do të fitojmë në gjithë Shqipërinë, ne do të fitojmë edhe në qarkun që ka më pak deputetë, në qarkun e Kukësit dhe dua t’i përshëndes nga këtu të gjithë kandidatët tanë të Kukësit. Do të jetë fitorja më e bukur pavarësisht se kandidatët tanë po ndeshen jo me rivalët por me të gjithë Ministrinë e Brendshme, me gjithë Policinë e Shtetit, që ka angazhuar ministri i Brendshëm, i cili nuk synon të marrë tre mandate, por synon të ruajë mandatin e tij për të ardhmen sepse i duhet imuniteti nga veprimet e paligjshme që po bën për të prishur zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ne do të fitojmë në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim në Berat lufton për mandatin e tretë në Qarkun e Beratit. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim në Fier lufton për mandatin e tretë në Fier. Të gjitha sondazhet që janë paguar nga të gjitha drejtimet kanë vetëm një qëllim të dekurajojnë atë përkrahje në rritje që ka populli i Tiranës, populli i Shqipërisë dhe sidomos të rinjtë për të votuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe unë sot me përgjegjësinë më të madhe si kryetar juaj dua t’ju siguroj se fitorja më e madhe do të jetë në Qarkun e Tiranës, do të jetë një fitore spektakolare sepse ajo bazohet tek puna që keni bërë gjatë gjithë kësaj kohe, sepse ajo bazohet tek puna që ju do të bëni në këtë javë të fundit drejt ditës finale të 23 qershorit.

Ne do të fitojmë sepse Tirana është me ne, sepse rinia e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë është me ne. Tirana dhe rinia janë dy komponentë historikë të ndryshimit të gjithë Shqipërisë. Tirana ka qenë gjithmonë e para për ndryshime dhe rinia si gjithmonë di të ecë më shpejt se të gjithë. Prandaj kur Tirana dhe rinia bashkohen bashkë, rezultati është i paparashikuar. Ne do të fitojmë sepse jemi një forcë me energji pozitive. Ne jemi një forcë që nuk harxhojmë energji për të kritikuar dhe për të sharë të tjerët. Por, jemi forcë që nxjerrim në plan të parë idetë tona, propozimet tona dhe gjithmonë sjellin frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjshmërisë në jetën politike dhe publike.

Ne do të fitojmë sepse përfaqësojmë alternativën e bashkëpunimit pa paragjykime midis të gjithë shqiptarëve. Grupi ynë parlamentar do të jetë modeli i një politike të standardeve evropiane dhe për këtë garanci është edhe lista jonë e qarkut të Tiranës e cila përmban emra mjaft të spikatur të cilët përfaqësojnë vlerat më mira dhe më pozitive të të rinjve dhe intelektualëve të të gjitha komuniteteve. Duke pasur Kejdin këtu, një kandidate 20-vjeçare, e cila voton për herë të parë dhe është njëherësh kandidate për herë të parë dua t’ju them të gjithë të rinjve dhe të rejave këtu në gjithë Tiranën, në gjithë Shqipërinë se pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë.

Prandaj votoni numrin 26 që të ecim më shpejt. Fuqia jonë qëndron tek fuqia juaj dhe e mijëra e mijëra simpatizantëve dhe anëtarëve tanë kudo në Tiranë, në Kamëz, në Paskuqan, në Kavajë, në Rrogozhinë, në Shën Gjergjin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, në Pezën e shenjtë të bashkimit të luftës për çlirim dhe për bashkim kombëtar. Në të gjithë këtë qark të mrekullueshëm ku më datën 23 qershor të gjithë qytetarët e Tiranës, kur të shkojnë përpara kutisë së votimit jam i bindur se do të marrim frymë thellë dhe do të mendohen për të nesërmen e tyre dhe për fëmijët e tyre.

Dhe kam besim se do të japin një votë të mençur, një votë për LSI-në, një votë për stabilitetin e Shqipërisë, një votë për ndryshimin e Shqipërisë një votë e cila do ta ndihmojë Tiranën dhe Shqipërinë të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit ekonomik, në rrugën e punësimit. Duke votuar për LSI-në të gjithë votojnë për një paqe sociale pas 23 qershorit, votojnë për një klimë bashkëpunimi dhe konstruktive që do të çojnë përpara reformat për të cilat ka nevojë vendi ynë dhe që duan qytetarët tanë.

Prandaj le të pushojmë sot dhe nga nesër do ta ndryshojmë sloganin duke e modifikuar pak dhe “të vrapojmë më shpejt” drejt 23 qershorit. Rroftë Lëvizja Socialiste për Integrim, rroftë rinia e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë, garancia e ndryshimit e cila me votën e saj do të ndihmojë veten dhe gjithë Shqipërinë të ecim më shpejt në rrugën e progresit, në rrugën e integrimit, në rrugën e punësimit. Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria evropiane! Fitore, fitore dhe vetëm fitore!