19 Jun LSI: Dhuna në Qarkun e Kukësit akt kriminal.
Ralf Gjoni
Jam këtu në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të dënoj rëndë një seri aktesh dhune dhe presioni elektoral që po ushtrohet këto ditë, përsëri në Qarkun e Kukësit.
Para 3 ditësh, pra në dt 16 qershor, Kreut të LSI në Fshatin Crnalevë – Komuna Shishtavec, z. Eshref Islami, I është bërë kontroll dhe bastisje në shtepi nga efektivë të policisë së shtetit pa patur mandat. Më pas z. Islami është shoqëruar në Komisariat ku është mbajtur për rreth 4 orë.
Sot në mëngjes, ndërsa Ministri i Brendshëm dhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike Flamur Noka vijonte takimet e tij elektorale, është telefonuar Kryetari i LSI dhe Këshilltar në Komunën Topojan z. Rrustem Ahmeti dhe i është kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë, pa asnjë lloj arsyeje.
Po sot, është ushtruar terror mbi Kandidatin për Deputet të LSI në Has z. Pëllumb Bardhoshi si dhe mbi të afërmit e tij. Forcat speciale dhe efektivë të policisë së shtetit, kanë zbarkuar në mënyrë të dhunshme Lagjen Bardhosh të Fshatit Qarr në Rrethin e krumës duke hyrë në shtëpitë e anëtarëve dhe mbështetësve të LSI, të të afërmve të kandidatit,dukë bërë bastisje dhe kontroll të pamandatuar.
Ndërkohë, sot në mengjes është shoqëruar edhe shoferi i z. Bardhoshi në Komisariatin e Hasit pas ndërhyrjes së rreth 30 efektivëve të policisë dhe të forcave speciale. Shefi i krimeve të zonës Shpetim Maçi ka qenë prezent. Kur është kërkuar nga z. Bardhoshi për arsyen e kësaj sjelljeje të paligjshme dhe të dhunshme, përgjigja nga policia ka qenë së nuk mund të jepen spjegime por se ka patur urdhën nga lart.
Eshtë e qartë se Flamur Noka po kthehet nga Ministër në shkatërrues i zgjedhjeve me bekimin e Sali Berishës.
Dua që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të paralajmëroj Ministrin e Brendshëm Noka dhe të gjithë ata individë që kanë ndërmarrë një operacion kaq të shëmtuar terrori ndaj kandidatëve, aktivistëve, mbështetësve të LSI apo të çdo force tjetër politike, se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për aktivitetin kriminal, intimidues dhe kërcënues që kanë ndërmarrë.
Këto veprime anti-ligjore deri në kriminale për të intimiduar zgjedhësit, për të krijuar klimë presioni deri në terror – janë ligjërisht të ndëshkueshme dhe janë tashmë të konsumuara në tentativë të plotë.
Keta lloj terrorucësh nuk trembin dot as pulat jo me hasianet, kuksianet dhe tropojanet, të cilët nuk kanë pyetur ndonjëherë për dhunën e Sali Berishës.
Shteti i pas datës 23, do t’i qepet këmba këmbës të gjithë këtyre policëve, shiksave, forcave speciale që janë vënë në shërbim të kësaj dhune zgjedhore të Partisë Demokratike, deri sa të vendoset drejtësia dhe të japin llogari para ligjit për çdo akt terrori që po kryejnë. E themi këtë jo për hakmarrje politike, por si qëndrim politik për drejtësi.
LSI ka kontaktuar me zyrën e OSBE-ODIHR, Prezencën e BE në Tiranë, Ambasadën Amerikane dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ndalimin e kësaj dhune shqetësuese elektorale.
Mesazhi ynë është i qartë – ne nuk zbrapsemi – përkundrazi të gjithë kandidatët dhe aktivistët e LSI do të punojnë edhe më fort dhe do jenë edhe më të motivuar për të siguruar fitoren e të gjithë Shqipërisë, e cila do të nisë nga Kukësi në 23 qershor.